Vangjel Tavo: Rilindja izoloi Gjirokastrën, shërbimet po transferohen në Fier

209
Sigal

Kandidati i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo ka denoncuar mbylljen dhe transferimin e një sërë shërbimesh publike në këtë qark.

Në një reagim të tijin të shpërndarë në rrjetet sociale, Tavo shprehet se janë disa drejtori që janë larguar gjatë tetë viteve nga Rilindja ndërkohë që pritet të hiqen dhe disa shërbime të tjera, të cilat banorët e Gjirokastrës duhet t’i marrin në Fier.


Postimi i plotë i Vangjel Tavos:

Miq,
Jam përkushtuar personalisht për ngritjen e sa më shumë institucioneve dhe drejtorive në qarkun tonë në mënyrë që zona të zhvillohej dhe të kishte punësim, por sot ndodhemi në një fakt tragjik me largimin që qeveria u bëri të gjitha institucioneve nga Gjirokastra duke e rritur edhe më shumë papunësinë.
Largoi:
Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë;
Drejtorinë Rajonale të Arsimit; Arkivin;
Inspektoriatin Shtetëror Teknik Industrial;
Drejtorinë e Peshëmatjeve (DPM);
Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (ISHMPUT);
Shërbimin e Extensionit (këshillimit të fermerëve);
Së fundmi po i heqin edhe një shërbim tjetër Gjirokastrës duke e kthyer Spitalin në Gjirokastër bashkiak, me shërbime të kufizuara, dhe duke caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit.
Banorët e Gjirokastrës do detyrohen të shkojnë në Fier për të marrë shërbimet shëndetësore.
Po planifikohen dhe institucione të tjera që do t’ia heqin Gjirokastrës si Gjykata e Apelit, etj.
250 vende pune të larguara nga drejtoritë. 300 vende të tjera nga Spitali e shumë e të tjera nga Gjykata e Apelit tregojnë që ky është plan i qëllimshëm papunësie dhe izolimi.
Qarku i Gjirokastrës nuk mund të shndërrohet në një xhep e provincë të humbur. Nuk kemi për ta lejuar kurrë.
Unë kam bërë një premtim publik dhe do e mbaj atë fjalë për fjalë. Jo vetëm që do i kthej të gjitha institucionet e larguara në qarkun e Gjirokastrës dhe të rikthehen vendet e punës që i takojnë këtij qarku, por do hapim vende pune edhe për ata me arsim profesional, të mesëm, universitet, e për të gjitha kategoritë, duke punuar për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për banorët dhe familjet e thjeshta të qarkut tonë të mrekullueshëm.
Rritja e punësimit dhe ulja e varfërisë për qarkun tonë janë misioni im!