Tushaj: Reforma territoriale do t’i japë një autoritet tjetër Bashkisë së Lezhës

409
Pas një turi takimesh nëpër fshatra, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Viktor Tushaj ka startuar takimet në qytet. Tushaj është ndalur në Lagjen “Besëlidhja”, e ashtuquajtur zona e Bregut të Drinit, ku shpalosi platformën e tij elektorale, për katër vitet e ardhshme nëse do të jetë në krye të bashkisë së Lezhës, Ai, vlerësoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për realizimin e atyre projekteve madhore të cilat po japinefektet e tyre në rritjen e standardit të jetës së qytetarëve lezhjanë.
“Në harkun e këtyre viteve kemi ditur të ndërtojmë ato modele, kemi ditur qëtë vendosim gurë të rëndësishëm në themelin e zhvillimit për të ecur përpara. Përpiqem që ta transformoj qytetin duke u ardhur në ndihmë nevojave dhe shqetësimeve për ta shfrytëzuar së bashku qytetin. Vij me avantazhin e gjithë eksperiencave që kam në ndërtimin e projekteve dhe në realizimin e disa projekteve të cilat sot na bëjnë krenarë si qytetarë të Lezhës. Infrastruktura shkollore ka qenë një ndër problemet që ka tërhequr vëmendjen tonë. Janë ndërtuar shkolla të reja në qytetin e Lezhës, sa nuk janë ndërtuar në asnjë bashki tjetër. Janë rikonstruktuar shkolla falë bashkëpunimit me partnerët dhe me donatorë. Rruga e kalasë së qytetit jam i bindur se ka bërë krenar çdo qytetar lezhjan sepse e kemi bashkuar tashmë me vizitorët, por dhe me qytetarët një nga asetet më të rëndësishme, me kalanë e qytetit. Shëtitorja e Bregut të Drinit, do të jetë modeli më i mirë që do të na udhëheqë në të ardhmen që ta realizojë në të gjithë gjatësinë e lumit Drin. Unë jam i bindur se të gjitha këto nuk janë gjithçka që kanë nevojë qytetarët”, – u shpreh Tushaj.
Më tej kandidati i majtë theksoi se ndarja e re territoriale do t’i japë një impuls të ri zhvillimit ekonomik duke rritur potencialet e Lezhës. “Unë jam i bindur se shumë e shumë gjëra të tjera duhen për qytetarët, reforma administrative territoriale do t’i japë një autoritet tjetër Bashkisë së Lezhës. Do t’i japë një autoritet tjetër për shkak të numrit të banorëve janë 120 mijë banorë, janë 460 kilometra katrorë, janë resurse që i bashkohen resursit që ka qyteti. Do t’i shtohet resursi i bujqësisë, do t’i shtohet një vijë prej 29 kilometra bregdete, do t’i shtohen dy laguna dhe të gjitha së bashku këto resurse me kapitale të mrekullueshme njerëzore, do ta kthejmë bashkinë e Lezhës në një bashki pilot dhe do t’i garantojë kësaj bashkie zhvillimin ekonomik”, deklaroi Tushaj. Ndërkohë kanë kërkuar mbështetjen e qytetarëve edhe deputetët e zonës, duke e konsideruar kandidatin e kësaj mazhorancë si alternativën më të mirë për qeverisjen e pushtetit vendor.
Sigal