Tushaj: Ne jemi zgjidhja e duhur që në të ardhmen numri i fermerëve të rritet

440
Edhe pse Lezha është një ndër zonat fushore më prodhuese në vend, resurset e saj asnjëherë nuk janë menaxhuar siç duhet. Një fakt i tillë u diskutua edhe gjatë takimit që kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj zhvilloi me fermerët në Komunën e Balldrenit. Gjatë bashkëbisedimit, Tushaj, teksa e cilësoi si të vështirë situatën, garantoi fermerët se me qasjen e re edhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e bujqësisë, por edhe me angazhimin e tij të plotë si kryetar i ardhshëm i bashkisë, do të jetë i mundur shpëtimi i këtij sektori, i cili do të mund të prodhojë mirëqenien e munguar për banorët e zonës dhe jo vetëm.
“Ne jemi zgjidhja e duhur që në të ardhmen numri i fermerëve të rritet. Me qasjen e qeverisë shqiptare sektori i bujqësisë do të marrë zhvillim dhe do të prodhojë mirëqenien e munguar për qytetarët. Me mbështetjen e qeverisë dhe deputetëve të Qarkut Lezhë projektet tona për sektorin e bujqësisë do të realizohen. Ne duhet të investojmë në kapacitetet njerëzore dhe në fushat e malet tona në mënyrë të integruar. Të punojmë që t’u japim mundësi brezave pasardhës që të punojnë më mirë”, u shpreh Tushaj.
Më pas Tushaj ka zhvilluar një tjetër takim edhe me banorët e Torovicës, ku deklaroi se infrastruktura rrugore e munguar prej vitesh, mungesa e vëmendjes ndaj bujqësisë dhe ndaj çdo shërbimi tjetër publik, e kanë kthyer fshatin e Torovicës në një zonë të harruar, e ndërsa niveli ekonomik i tyre mbetet në nivelet më minimale. Gjatë takimit Tushaj, tha se dikur Torovica ishte një hambar prodhimi, e ndërsa sot lëngon si pasojë e mungesës së funksionimit të mekanizmave të duhur. 
Gjithashtu, ai ka kërkuar mbështetjen e banorëve si një mundësi sipas tij për të sjellë vëmendjen e qeverisë shqiptare e për të rritur mirëqenien e tyre. “Shërbimet në Torovicë janë më të varfra se në qytet, por me reformën territoriale kjo do të ndryshojë. Ju garantoj që me mbështetjen e qeverisë dhe tuajën ne do të mund të hartojmë projekte që do të rrisin mirëqenien tuaj”, tha Tushaj.
Sigal