Viktima e radhës/ Reagon ashpër Berisha: Burgjet e Greqisë, kasaphanë për shqiptarët!

492
Sigal

Një tjetër shqiptar humbi jetën ditën e sotme në burgjet e Greqisë. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një përleshjeje në burgun e Trikallas, ku 29-vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Pavarësisht dërgimit në spital ai nuk mundi të mbijetonte.

Kujtojmë se vetëm gjatë 20 ditëve të fundit është vdekja e dytë që ndodh ne këtë burg.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili shprehet se, burgjet e shtetit fqinj janë kthyer në kasaphanë për shqiptarët.

Postimi i plotë i Sali Berishës:

Burgjet e Greqisë kasaphanë per shqiptarët!

Miq, në burgun famëzi të Trikallos theret si në kasaphanë një 29 vjeçar shqiptar, i dyti ky që vritet në këtë burg në harkun kohor 20 ditor.

Këto akte barbarie të përseritura, viktima të të cilave janë shqiptaret, shprehin frymën raciste antishqiptare si dhe standartet mesjetare që zotërojnë në burgjet e Greqisë.

Shpreh ngushellimet e mia më të sinqerta familjes së viktimës dhe dënoj me ashpersinë më të madhe terrorin, vrasjet, therjet e shqiptarëve si në kasphanë në burgjet e Greqisë si dhe indiferencen me të cilën e përcjellin këtë situatë barbarie autoritetet përgjegjëse të Greqisë dhe Zografi bis me kliken e tij në Tiranë.

Me këtë rast i bëj thirrje Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor, Degradues pranë Këshillit të Europës, Komitetit Kundër Torturës të OKB, institucioneve të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të ndërmarrin me urgjence një inspektim në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Greqi, të njihen me frymën rraciste që ekziston ndaj shqiptarëve dhe me kushtet çnjerëzore, torturat fizike dhe psiqike shtazore, mesjatare që ushtrohen ndaj tyre në këto burgje.

Ftoj këto institucione të konsiderojnë aplikimin e neneve ndëshkuese të Konventës Ndërkombëtare Kundër Torturës ndaj Greqisë dhë të detyrojnë atë të ndryshojë me urgjencë në përputhje me zotimet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare gjendjen katatstrofale të burgjeve te saj.