Turp i Historisë të rehabilitohet Zogu, që shiti dhe tradhtoi Shqipërinë

512
Sigal

Reagojnë  ashpër për “Telegraf”  veteranët e LANÇL dhe familjet e dëshmorëve

Menjëherë, pas deklaratave të së Djathtës, përse në 29 Nëntor në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, u ekspozua  portreti i Enver Hoxhës nga veteranë të LANÇL dhe nga qytetarë, kanë reaguar ashpër në “Telegraf”, veteranët e LANÇL, familjet e dëshmorëve, të cilët shikojnë që e Djathta mundohet të mohojë LANÇL, udhëheqësit e kësaj lufte dhe gjakun që u derdh nga dëshmorët dhe heronjtë tanë. Ata, thonë, se…

Enver Hoxha,  është udhëheqësi i LANÇL

 Sipas veteranëve dhe pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve,  fakti që e Djathta nuk e njeh datën 29 Nëntor, si Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, që këtu, problemi fillon e parcelizohet në interesa politike nga ana e saj. E Majta, duke përfshirë gjithë spektrin e saj politik, duke njohur e vlerësuar LANÇL, njeh edhe rolin që luajti Enver Hoxha, si udhëheqësi kryesor i kësaj lufte antifashiste të popullit shqiptar. Ky është një fakt historik, i pakundërshtueshëm. Ishte PKSH-ja dhe Enver Hoxha që organizuan, drejtuan dhe udhëhoqën LANÇL, që së bashku edhe me forcat nacionaliste, sikundër janë figurat e Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Shefqet Peçit, e dhjetëra të tjerëve, çuan popullin në fitoren e madhe kundër fashizmit e nazizmit. Dhe në homazhet e 29 Nëntorit, nderohen të gjithë. Komandantët, komisarët, nacionalistët, populli, dëshmorët dhe heronjtë, që morën pjesë aktive, që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për të çliruar Shqipërinë nga nazi- fashistët. Kurrkush nuk mund të mohojë rolin dhe kontributin edhe të Enver Hoxhës, si udhëheqësi i PKSH-së dhe i LANÇL. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, i cili ishte në Aleancën Kundër Nazi- fashistëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, që të mohohet roli dhe kontributi i udhëheqësit kryesor të kësaj lufte, për shkak të qëndrimeve të mëparshme. Stalini, pavarësisht se çfarë roli luajti para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nuk i mohohet nga askush, që ishte udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik në luftën kundër nazistëve gjermanë.

LANÇL u radhit në Aleancën Kundër Nazi- fashistëve

Që në fillim të LANÇL, udhëheqësit e saj, PKSH dhe Enver Hoxha e radhitën popullin shqiptar dhe luftën e tij në anën e aleatëve, e sidomos të aleatëve anglo-amerikanë, të cilët ndihmuan këtë luftë me njerëz dhe materiale. Edhe kjo nuk duhet mohuar, pavarësisht, se si rrodhën ngjarjet dhe marrëdhëniet e qeverisë komuniste që doli pas lufte me anglo-amerikanët. Ajo është një faqe tjetër e historisë dhe duhet të gjykohet e pavarur dhe e pandikuar nga LANÇL, sikurse edhe LANÇL duhet të gjykohet e vlerësohet e pandikuar dhe e pavarur nga ngjarjet që u zhvilluan më vonë, pas saj. Kjo ishte merita historike e PKSH-së dhe e udhëheqësit të saj Enver Hoxha, ndaj më 29 Nëntor, historia duhet ta vlerësojë për këtë kontribut.

E Djathta rehabiliton Ahmet Zogun, që shiti dhe tradhtoi Shqipërinë shumë herë

E Djathta shqiptare, duke njohur si datë çlirimi 28 Nëntorin, këtë e bën, pikërisht, për të mohuar rolin dhe kontributin e PKSH-së dhe të Enver Hoxhës, në LANÇL. Kur, ndërkohë, kjo e Djathtë politike ka rehabilituar, pa më të voglin problem, të gjithë ata mercenarë, bashibozukë, bashkëpunëtorë të fashizmit dhe nazizmit, të cilët luftuan së bashku me nazi- fashistët, popullin shqiptar. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, i cili mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore, qoftë si aleat kundër nazi- fashizmit qoftë edhe si bashkëpunëtor i nazi- fashizmit, që të rehabilitojë historikisht bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit. Në çfarëdo rendi shoqëror që janë aktualisht, që pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri tani. Vetëm e Djathta shqiptare me revanshizëm politik, rehabiliton sot bashkëpunëtorët e fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë, në emër të …demokracisë. E Djathta shqiptare, hoqi emrin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vënë emrin e “Ahmet Zogut, i cili shiti dhe tradhtoi disa herë Shqipërinë, vetëm e vetëm, që të bëhej- me ndihmën e bajonetave serbe- mbreti i Shqipërisë. Ahmet Zogu, me bajonetat e Serbisë dhe të mercenarëve rusë, rrëzoi qeverinë demokratike të Fan Nolit, shiti troje të Shqipërisë, për të uzurpuar pushtetin në Shqipëri. Mjafton vetëm ky fakt, që në histori Ahmet Zogu të ketë damkën tradhtar. Sepse, kush e shet dhe e tradhton  qoftë edhe një herë  Atdheun në histori mbetet përjetë tradhtar. Nuk rehabilitohet. Në Greqi, ish-mbreti i saj, Kostandinos, nuk u rehabilitua kurrë për rolin ndihmues që i dha dhunës ushtarake të 1967-s. Madje, qeveria greke i konfiskoi edhe pasuritë  e patundshme në Greqi, ish-mbretit. Dhe Gjykata e Strasburgut, ku u ankua ish-mbreti grek, i dha të drejtë qeverisë greke, edhe pse ish-mbreti është vëllai i mbretëreshës së Spanjës dhe kushëriri i parë i mbretëreshës britanike, Elisabet. Kjo është historia që nuk shkruhet sipas politikës.  Ahmet Zogu, vrau dhe persekutoi patriotët më të shquar të Shqipërisë, Hasan Prishtinën, Avni Rustemin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, e dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Kjo e Djathtë shqiptare, i ngriti monument këtij tradhtari të Shqipërisë, Ahmet Zogut, në bulevardin që dikur quhej “Dëshmorët e Kombit”, si për të mohuar pikërisht sakrificën, gjakun e tyre që dhanë për Atdheun.  Madje, disa metra më larg bustit të tradhtarit Zogu, gjendet edhe busti i Hasan Prishtinës, viktimës politike të Ahmet Zogut. Dhe, disa metra më tutje, ndodhet edhe sheshi dhe busti “Avni Rustemi”, i vrarë nga Ahmet Zogu. Nuk mund të ketë vend në piedestalin e Atdheut edhe për vrasësin Ahmet Zogu, edhe për të vrarët që ka vrarë ky vrasës.