Ditmir Bushati: Marrëdheniet e reja me SHBA, pas “JO”-së, kufijtë detarë dhe vizita në Serbi

470
Sigal

Intervista e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati  për statusin kandidat, për marrëdhëniet me SHBA-në.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për Radio Kosova, pyetjes se a doli me një pamje të mirë Shqipëria nga çështja e shkatërrimit të armatimit kimik të Sirisë, u përgjigj:

– Shqipëria u kontaktua nga aleatët strategjikë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të parë mundësinë se si dhe ku mund të kontribuonim në këtë çështje, e cila është çështje e karakterit ndërkombëtar, pra nuk është një çysht e thjesht amerikane, evropiane apo shqiptare. Natyrisht, ne vlerësuam kapacitetet tona, aftësinë tonë për të qenë pjesë e këtij procesi. Kuptohet që Shqipëria shprehu qartësisht vullnetin politik për të qenë pjesë e këtij procesi. Por, nga ana tjetër vullneti politik gjithmonë duhet vlerësuar në raport me aftësitë dhe kapacitetet që ka një vend. Aq më tepër kjo, kur një pjesë e mirë e vendeve aleatë që bëjnë pjesë në familjen e NATO­s duket që po tërhiqeshin nga ky proces një e nga një për mungesë kapacitetesh. Për t’iu përgjigjur pyetjes Tuaj, do të thoja që vendimtare në këtë rast ka qenë qëndrimi i qartë i opinionit publik dhe mungesa e kapaciteteve tona për të qenë pjesë e këtij procesi.

– (Lidhur me problemin e mospranimit të armëve kimike)A kishte më shumë përfitime Shqipëria, apo do të ishte më e cenuar, në raport me partnerët ndërkombëtarë, përfshi këtu edhe besueshmërinë  me SHBA-të?

Kur flasim për këtë vendimmarrje, besoj se qeveria shqiptare mirëpeshoi të gjitha këto konsiderata që ju përmendët. Besoj se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i ka rrënjët e thella, nuk ka dhe nuk mund ë vihet në pikëpyetje nga fakti që Shqipëria e kishte të pamundur që të ishte pjesë e këtij procesi.

Nëse ne dështojmë edhe këtë herë për marrjen e statusit, çfarë do të bëjë qeveria, ku do të duhet të punojë që kjo të ndryshojë?

– E para, unë besoj që ne duhet të mendojmë për një skenar që është skenari realist, Dhe, skenari realist ka të bëjë me nevojën për reforma të mëtejshëm të Shqipërisë pavarësisht nëse e merr apo nuk e merr në dhjetor statusin e vendit “kandidat”, në rast se fillon në një të ardhme të afërt procesi i bisedimeve për anëtarësim apo nuk fillon. Këto janë reforma të rëndësishme për procesin e shtet-ndërtimit dhe procesin e transformimit demokratik… Ritmi i reformave duhet të vazhdojë të konsolidohet, cilësia e reformave duhet të përmirësohet. Kryesisht e kam fjalën për reformat që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, sepse Komisioni Europian për herë të parë ka bërë një ndarje le të themi të qartë të detyrave dhe të etapave midis kritereve që duhen përmbushur për të plotësuar statusin e vendit “kandidat”, pra për të marrë statusin e vendit “kandidat” dhe për këtë Komisioni Evropian ka shprehur rekomandimin e qartë dhe kritereve që janë të papërmbushura dhe që duhet të përmbushen për të filluar bisedimet për anëtarësim.

– A ka një dyshim Shqipëria që Greqia mund të bëhet pengesë?

– Jo, nuk ka dyshim dhe nuk ka përse të ketë dyshim për një gjë të tillë. Greqia është një fqinj, partner strategjik në politikën tonë të jashtme, është një vend, i cili ka një mbështetje të qartë përsa i përket politikës së zgjerimit.

– Zoti Bushati,  a mund të jetë partner strategjik një shtet që ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë?

– Besoj se nuk ka pretendime territoriale në raportet dypalëshe Shqipëri ­ Greqi. Dhe, është mirë që të ndajmë qëndrimin e qartë dhe të paekuivok të zyrtarëve grekë dhe shqiptarë, ato që konsiderohen ndryshe si “qëndrime zyrtare” dhe qëndrimet që vijnë nga qarqe periferike dhe që duan të mbajnë gjallë ndjenjën e konfliktit. Greqia është një partner strategjik. Është një partner strategjik jo sepse është le të themi moderne që të thuhet që “Shqipëria ka këtë, këtë dhe atë” partner në rajon dhe në këtë rast të përmendim edhe Greqinë. Është një partner strategjik në rast se do të shohim nivelin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtarë. Është i rëndësishëm për sa i përket gjërave që ne ndajmë me Greqinë, vijës kufitare qoftë kjo tokësore apo detare. Është i rëndësishëm përsa i përket rrezes së influencës së veprimit që Shqipëria dhe Greqia kanë në rajonin e Mesdheut. Është i rëndësishëm përsa i përket edhe elementëve të tjerë të përbashkët që kanë të dy kombet tona. Nga ana tjetër, fakti që jemi partnerë strategjikë, në një partneritet strategjik, nuk do të thotë se një pjesë e çështjeve të së shkuarës, siç është edhe rasti i asaj që njihet si “Çështja Çame”, apo çështje që kanë lindur së fundmi (kur them “së fundmi” kuptoj në 10­15 vjetët e fundit), nuk janë adresuar ende siç duhet në përputhje me parimet e së drejtës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një nga, besoj edhe risitë edhe të bisedave që kemi pasur edhe me homologun grek (Vangjel (Evangjelos) Venizellos) apo më pas edhe me Presidentin e Republikës së Greqisë (Karolos Papulias) gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka qenë pikërisht vendosmëria e autoriteteve shqiptare për të parashtruar këtë çështje dhe për të synuar zgjidhjen e këtyre çështjeve nën dritën e pikërisht këtyre parimeve që përmenda. Pra, të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo në mënyrë të njëanshme, jo bazuar në retorikë, por bazuar në realitetin ekzistues.

– Zoti ministër, a përshihet këtu në këtë përgjigje, edhe marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar?

– Besoj se kjo është një pyetje që nuk ka nevojë për një përgjigje të gjatë. Gjykata Kushtetuese ka folur qartë. Ne jemi një vend, ku sundimi i së drejtës është i një rëndësie parësore si çdo vend tjetër demokratik dhe që synon të jetë pjesë e familjes europiane. Kushdo që do të jetë në këtë institucion, kushdo që do të ulet në krye të punëve të shtetit, e ka për detyrë që të ndjekë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”.

Zoti Bushati, Kryeministri Edi Rama dhe Ju shkoni për vizitë të pritshme në Serbi. Çfarë do të kërkoni në Serbi dhe a do të shkoni në Preshevë?

– Së pari, më lejoni të them që çështja e shqiptarëve të Preshevës është prioritet i politikës tonë të jashtme në rajon. Është koha që çështjet, të cilat janë ende të pazgjidhshme të vihen në tryezën e bisedimeve në mënyrë që të marrin trajtesën e duhur një e nga një. Një lloj bashkëpunimi dhe një lloj ripajtimi mes kombit shqiptar dhe kombit serb është i domosdoshëm për avancimin e rajonit në rrjedhat euroatlantike.