Turi i dialogut vendor/ Blendi Klosi, Arbjan Mazniku dhe Ermal Dredha takime e diskutime rreth Vlorës: Prioritet infrastruktura dhe turizmi

Turi i dialogut vendor, Arbjan Mazniku, Blendi Klosi dhe Ermal Dredha për prioritetet për Vlorën

Infrastruktura, parkingjet publike, investimet në Vlorë për një turizëm gjithë vjetor dhe lehtësimi i trafikut gjatë sezonit turistik, do të jenë disa ndër prioritetet e punës së përbashkët.

Ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku prej disa javësh po kryen takime në shumë bashki në vend në kuadër të nismës “Dialogu Vendor”. Të dielën së bashku me deputetin Blendi Klosi ai u ndal në Bashkinë e Vlorës ku u zhvillua në mjediset e kësaj bashkie takimi me Kreun e vendorit në Vlorë Ermal Dredha dhe ekipet e punës respektive. Mes prioriteteve të takimit është edhe sfida e një turizmi gjithë vjetor, por edhe përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës veçanërisht të nevojshme gjatë sezoneve turistike. Në lidhje me këtë takim, Ministri për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku tha se “Infrastruktura, parkingjet publike, investimet për një turizëm gjithë vjetor dhe lehtësimi i trafikut gjatë sezonit turistik, do të jenë disa ndër prioritetet e punës së përbashkët në vijim”, duke njoftuar kështu forcimin e bashkëpunimit për arritjen e objektivave të cilët do të synojnë një zhvillim edhe më pozitiv për Vlorën. Nga ana e tij, deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi tha se në takim “diskutuam mbi bashkërendimin e punës mes qeverisjes qendore dhe asaj vendore për të çuar më tej zbatimin e projekteve zhvillimore në sektorë të rëndësishëm dhe me prioritet për Vlorën sikurse janë infrastruktura dhe turizmi” – tha Klosi. Ndërsa Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha vlerësoi takimin për të cilin tha se “diskutuan së bashku prioritetet e Bashkisë Vlorë në kuadër të zhvillimit të turizmit afatgjatë, të infrastrukturës së brendshme, mobilitetit, zhvillimit të zonave rurale dhe modeleve bujqësore të qëndrueshme.” Dredha tha se “jemi të bindur që do të gjejmë format e bashkëpunimit më të mira me qeverisjen qëndrore, në të mirë të qytetit.” – tha Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha.

NOA