Si u mbyllën dyert e komisionit TIMS
Socialistët mbyllin komisionin TIM. Shumë detaje se çfarë ndodhi në Gusht të 2023 kur në sistemin TIMS u ndërhy nuk do të mësohen kurrë. Komisioni hetimor u zhvillua të martën me dyer të mbyllura. Ministri i Brendshëm Taulant Balla dëshmoj për 3 orë me radhë. Demokratët kërkuan dëshmi publike, por 8 votat e socialistëve e rrëzuan kërkesën. Balla dëshmoi me dyer të mbyllura, ndërsa pas saj ai nuk u ballafaqua me median. Ndërkohë rreth orës 20:00 nisi dëshminë e tij Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku. Vetë drejtori i Policisë së Shtetit tha se dëshmia e tij ka sekrete hetimore. Rrumbullaku tha se nëse mbledhja bëhet e hapur do të flasë vetëm për ato që nuk janë sekret. Partia Socialiste votoi që drejtori Policisë së Shteti, Muhamet Rrumbullaku të dëshmojë me dyer të mbyllura në komisionin hetimor për sistemin “TIMS”, pavarësisht insistimit të opozitës.
Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, Ervin Salianji ka dhënë detaje të reja pas dëshmive të titullarëve të institucioneve një ditë më parë para komisionit. Gjatë një interviste Salianji tha se të dhënat e sistemit TIMS ndodhen online dhe të publikuara në një portal.
Salianji: “Pas hakërimit, sistemi TIMS gjendet online, në një ëeb të paligjshëm dhe gjenden të dhënat e qytetarëve aty. Kam kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë, sepse jemi në kushtet e cënimit të rëndë të sigurisë kombëtare. Ju them me bindje dhe dokumente që janë adminisstruar që në sistemin TIMS ka patur akses të paautorizuar dhe po ashtu ju them që ka patur persona që pavarësisht se fusnin dokumentet në sistem, sistemi për personat në kërkim nuk i nxirrte çka le dyshime të arsyeshme, që mund të jenë përdorur nga persona me rekorde kriminale.”
Salianji tha se titullarët e institucioneve, përfshirë edhe ish-ministrin e asaj kohe, kanë gënjyer fillimisht lidhur me hakërimin e sistemit. Sot del që janë online. Kjo është logjika skandaloze e të gjithë kësaj çështje. Ky shtet që duhet t’i kishte sistemet sensitive të sigurta, i ka në duar të paautorizuara, të pasigurta. Por e dyta që është po aq skandal, persona të caktuar kanë patur akses të paautorizuar në sistem dhe kanë patur mundësinë që të ndërhyjnë. Ai u shpreh se është bërë një katrahurë me emërimet, ndërsa më e rënda është se justifikohen me togfjalëshin gabim njerëzor. “Do të përfundojmë hetimin brenda afateve, që është data 21 korrik dhe të gjitha gjetjet dhe raportin përfundimtar do e çojmë në organet e drejtësisë, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm, sikundër e parashikon ligji. Nuk ka asnjë sekret shtetëror në dëshmitë e dhëna deri më tani. Të dhënat që morëm nga drejtuesit e Policisë së Shtetit ishin llahtar. Ajo që mund të them është e keqpërdorur jo vetëm policia e shtetit, por edhe ligji”, -tha Salianji.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjatë një konference për mediat nga selia blu, është shprehur se dje në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS është konfirmuar denoncimi i opozitës se nga sistemi TIMS janë fshirë të dhëna. Sipas Bardhit, të dhënat janë fshirë për llogari të krimit të organizuar.‘Ajo që ka thënë opozita, që sistemi TIMS keqpërdoret duke fshirë, plotësuar, e shtuar dhe ndryshuar të dhëna për llogari të krimit të organizuar, është konfirmuar dje në komisionin e TIMS. Prandaj duan të mbyllin dyert e komisionit, sepse kanë përdorur një sistem të sigurisë kombëtare për t’i shërbyer grupeve kriminale. Kanë fshirë të dhëna sipas interesit të tyre, që ata të kalojnë dhe të arratisen. Dhe kur të nxjerrë urdhër më pas SPAK, ata të gjenden në Dubai apo në vende ku ekstradimi bëhet i vështirë.



















