Tërmeti i 26 nëntorit/ Bardhi: Kjo qeveri të vret natën e të qan ditën

364
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi me anë të një statusi në rrjetet sociale shprehet se, kanë kaluar tashmë 3 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nuk janë vendosur para përgjegjësisë vrasësit e së paku 26 personave.

Bardhi nënvizon se, kjo qeveri “të vret natën dhe të qan ditën”, kurse shton se 26 vetë më së paku janë vrarë nga kjo qeveri, të cilën e quan të korruptuar e të kriminalizuar.

Postimi i Bardhit:

Të vrasin natën e të qajnë ditën!

Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit, ende nuk janë vënë para përgjegjësisë vrasësit e vërtetë të të paktën 26 viktimave. Ata i vrau qeverisja e korruptuar dhe e kriminalizuar. Ata qytetarë nuk duheshin lejuar të kthehen në banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit. Jo vetëm i lanë, por i garantuan që s’ka asnjë problem.

Sot, me të njëjtën gjakftohtësi, ky pushtet po përgatit vrasjen e rradhës. Me dhjetra familja të mbetura në mes të katër rrugëve, pa ndihmë, pa bonus qeraje janë detyruar të rikthehen në shtëpitë e dëmtuara rëndë, të cilat nuk do të mund t’i rezistojnë dot një lëkundjeje të fortë të tokës.

Me qindra qytetarë janë sot nëpër çadra, pa drita, pa ngrohje, të braktisur. Kjo sepse Qeveria më e korruptuar e Europës nuk i prek lekët që bashkëndan me oligarkët, nuk alokon fondet për të nisur rindërtimin, sepse po bën procedurat e radhës për tenderat korruptivë që do të mbushin xhepat e zyrtarëve edhe kësaj radhe.

Korrupsioni po gërryen ekonominë, mijëra biznese mbyllen, investitorët e huaj nuk e shohin vendin tonë si të përshtatshëm për investime, për shkak të korrupsionit, siç e kanë thënë të gjitha raportet deri më tani dhe siç e thonë përditë sipërmarrësit. Shqipëria është kthyer në lavatriçe të parave të pista të krimit që, në partneritet me Taulantët&co, i pastron në ndërtim duke marrë pronën e qytetarëve.

Shfaqjet luksoze, të denja për Korenë e Veriut dhe kartelet kolumbiane të drogës, nuk ua mbushin tavolinat e zbrazura shqiptarëve, nuk u sigurojnë bukë fëmijëve të mbi 290 mijë familjeve që sot e kanë të pamundur të ushqehen, nuk u sigurojnë punë mijëra shqiptarëve që duan të largohen nga vendi, sepse s’kanë asnjë mundësi për të jetuar, nuk u japin garanci qytetarëve, që sot nuk marrin as shërbimet më minimale nëpër spitale, nuk u garantojnë jetën e kërcënuar nga përplasjet me armë nëpër qendrat e banuara apo grabitjet e përditshme të shtëpive të tyre.

Përtej kartelit në Qeveri, askush në këtë vend nuk ndihet sot i sigurt për ekonominë apo jetën e tij. Propaganda është thjesht vetëkënaqësia e rilindjes së krimit dhe korrupsionit.