Tërheqja nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, instalim i diktaturës bashkëkohore

FORUMI NË “TELEGRAF/ Flasin: Ish ministri Prof. Dr. Elmaz Sherifi, Av. Ledio Braho, ish deputetët Oerd Bylykbashi dhe Luan Rama

Jakup B. GJOÇA

NOA

Qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, që do të thotë, të përligjë ligjet dhe VKM-të që ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë, të cilat kufizojnë të drejtat themelore të Njeriut. Gjithashtu, qeveria i ka kërkuar Kuvendit që të zgjatet deri në 23 qershor Gjenda e Jashtëzakonshme, përtej 30 ditëshit, që e lejon edhe Kushtetuta. Këto dy veprime të qeverisë së kryeministrit Rama janë instalime të diktaturave bashkëkohore, pa pushkatime, por me ligje dhe burgosje të çdo “të pabinduri”. Qeveria e kryeministrit Rama, edhe pse u vonua në marrjen e masave për të parandaluar pandeminë, duke bërë propagandë, se gjoja i ka marrë të gjitha masat, duke u justifikuar me Gjendjen e Jashtëzakonshme, ka ndërmarrë 3 hapa, të cilat  dëshmojnë se në Shqipëri po instalohet diktaturë. Përkufizimi nga kryeministri Rama i gjendjes së Jashtëzakonshme me “Kohë Lufte”, kur armiku është mungesa e shtretërve dhe fondeve në shërbimin publik shëndetësor, nxjerrja e tankeve në rrugët e boshatisura, për të terrorizuar psikologjikisht shqiptarët, janë treguesit e instalimit të diktaturës, e cila kaloi në këto hapa të ndërmarra nga kryeministri Rama.  Hapi i parë, ndryshon në mënyrën më antikushtetuese Kodin Penalm për gjendjen e Fatkeqësive natyrore. Hapi i dytë, zgjat në kundërshtim me Kushtetutën, afatin e Fatkeqësisë Natyrore, deri në 23 qershor 2020,  dhe hapi i tretë është tërheqja nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.  Gazeta “Telegraf” në forumin për këtë temë, mori mendimin e ish ministrit socialist dhe iash kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve Prof. Dr. Elmaz Sherifi, të ekspertit të të Drejtave Ndërkombëtare Av. Ledio Braho, si edhe mendimet e ish deputetëve Oerd Bylykbashi dhe nënkryetarit të LSI-së Luan Rama.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Prof. Elmaz Sherifi: Qeveria po kufizon të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

-Qeveria e Kryeministrit Rama ka bërë kërkesë të tërhiqet pjesërisht nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Sipas jush, përse e kërkon?  A e përligj këtë kërkesë situata e pandemisë?

-Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që në 1995 dhe Kuvendi i Shqipërisë e ka ratifikuar Konventen me ligj nr 8357 dt, 31.7.1996 bashkë me Protokollet 1, 2,4,7 dhe 11. Konventa Europiane, ka gjetur pasqyrim edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së miratuar me referendum në 1998. Konventa ka 59 norma juridike dhe disa protokolle shtesë. Konventa ka parashikuar me nenin 15, Derogimin e normave juridike në raste të jashtëzakonëshme, por, kjo e drejtë u jepet palëve kontraktuese vetëm në raste lufte dhe rreziku publik për kombin, por shteti palë ka detyrimin që të përcaktojë kohën gjatë së cilës bëhet përkohësisht derogimi, pa cenuar të drejta që kanë të bëjnë me nenin 2, si e drejta e jetës, edhe me kalimin e situatës së jashtëzakonëshme, lind detyrimi  për të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të KE, për kohën, kur do të rikthehet gjendjen e mëparëshme. Edhe sipas kësaj norme, nuk mund të merren masa që cenojnë të drejtën ndërkombëtare. Fusha e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore janë të shumta, që nga mbrojtja e jetës, liria e pronës, paprekshmëria e banesës, e deri të e drejta e shtetasve të huaj për t’u mos u ekstraduar. Neni 17 i konventes u’a kufizon të drejtën shteteve të bëjnë interpretime në kufizimin e të drejtave, tej standarteve që garanton Konventa, si burim i së  drejtës ndërkombëtare. Konventa përmban edhe norma për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe garanton të drejtën shteteve dhe individëve të kërkojnë Gjykatës mbrojtjen e të drejtave të cenuara, pasi ka përfunduar gjykimi në sistemin e brendshëm gjyqësor dhe nuk ka patur një proces të drejtë ligjor. Në përmbyllje, doja të thoja, se cili është rreziku që i kanoset kombit? Shqipëria nuk është në luftë, dhe situata e Fatkeqësisë Natyrore po tejkalohet. Qeveria i bëri ndryshimet edhe në Kodin Penal, që i cenon, dhe i kufizon disa të drejta, madje shtoi edhe masat e dënimit. Atëhere çfarë e shqetëson këtë qeveri, që guxon të kufizojë edhe norma të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut? Duke logjikuar me çfarë ka ndodhur deri tani, të krijohet bindja se kjo lloj qeverisje i ka për zemër ndëshkimet, duke marrë tiparet e qeverisjes autokratike.

– Qeveria i ka dërguar Parlamentit draft për miratim që Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore të zgjatet deri në 23 qershor 2020. Cili është qëllimi i vërtetë, pse kërkohet deri atëhere kjo zgjatje e Situatës së Jashtëzakonshme, derisa tani po zbuten masat për t’u kthyer në normalitet?

– Mendoj se pyetja e dytë lidhet pazgjidhëshmërisht me pyetjen e parë. Shqipëria është në gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, kur kjo situate nuk u vendos për përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit te kaluar. Akti normative i qeverisë, nuk mund t’i zgjas kufizimet e regjimit juridik më shumë se një muaj. Situata realisht ështëduke u përmirësuar. Kërkesa për të zgjatur Fatkeqësinë Natyrore, deri në fund të qershorit nuk ka bazë logjike, veç dëshirës për të kufizuar të drejta dhe liritë politike. Besoj se shqiptarët po e kuptojne filozofine e qeverisjes. Gjithçka lidhet me pushtetin. A e keni parë se si punojnë “pa orar” punonjës të administratës në rrjetet sociale, që të bëjnë një milion like për shpëtimtarin e Shqipërisë, Skënderbeun, apo Ismail Qemalin e Ri?

 

Av. Ledio Braho: Zgjatja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, më shumë se afati 30 ditor i sanksionuar në nenin 174 të Kushtetutës, është antikushtetues

 

-Qeveria e Kryeministrit Rama ka bërë kërkesë të tërhiqet pjesërisht nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Sipas jush, përse e kërkon? A e përligj këtë kërkesë situata e pandemisë?

– Kufizimi i disa të drejtave të sanksionuara në KEDNj nga qeveria shqiptare është regjistruar që në datë 31 mars, duke njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, siç parashikohet në nenin 15 të KEDNj. Ky njoftim u regjistrua pas kufizimit me vendim të Këshillit të Ministrave të disa të drejtave kushtetuese nëpërmjet shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në datë 24 mars. Problematika e parë në lidhje me kufizimin në vend të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut është se ky kufizim ka nisur që në datë 10 mars nëpërmjet dhjetëra urdhrave me karakter normativ të nxjerrë nga Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pra më parë se të shpallej gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe më parë se të njoftohej Këshilli i Europës në lidhje me derogimin nga disa prej të drejtave të sanksionuara në KEDNj. I gjithë ky hark kohor gjatë të cilit janë kufizuar të drejtat kushtetuese dhe ato të sanksionuara në KEDNj bie ndesh me Kushtetutën dhe konventën. Në lidhje me situatën pas njoftimit të derogimit, shkalla e masave të marra në përgjigje të kërcënimit aktual të COVID-19 dhe mënyra se si ato po aplikohen varion ndjeshëm nga një shtet në tjetrin në momente të ndryshme të kohës. Ndonëse disa masa kufizuese të miratuara nga shtetet anëtare mund të përligjen në bazë të dispozitave të zakonshme të Konventës në lidhje me mbrojtjen e shëndetit (shih nenin 5, pika 1e, pika 2 e nenit 8 deri 11 të Konventës dhe nenin 2, pika 3 e Protokollit nr. 4 të Konventës), masat e një natyre të jashtëzakonshme mund të kërkojnë derogimin nga detyrimet e shteteve sipas Konventës. I takon secilit shtet të vlerësojë nëse masat që merr e kërkojnë një derogim të tillë, në varësi të natyrës dhe shkallës së kufizimeve të aplikuara ndaj të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga Konventa. Mundësia që shtetet ta bëjnë këtë është një karakteristikë e rëndësishme e sistemit, duke lejuar aplikimin e vazhdueshëm të Konventës dhe të makinerisë së saj mbikëqyrëse edhe në kohët më kritike. Çdo derogim do të vlerësohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rastet që do të paraqitet para saj. Gjykata u ka dhënë shteteve një marzh vlerësimi në këtë fushë: “I takon në radhë të parë çdo Shteti nënshkrues, me përgjegjësinë e tij për ‘jetën e kombit [të tij]’, të vendosë nëse kjo jetë kërcënohet nga një emergjencë publike dhe, nëse është kështu, sa larg nevojitet të shkohet në përpjekjet për kapërcimin e asaj emergjence. Për shkak të kontakteve të tyre të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme me nevojat e ngutshme të momentit, autoritetet kombëtare janë parimisht në një pozicion më të mirë sesa një gjyqtar ndërkombëtar për të përcaktuar si praninë e një emergjence të tillë, ashtu edhe natyrën dhe objektin e derogimeve të nevojshme për kapërcimin e saj. Në këtë fushë, neni 15 § 1 (…) u jep këtyre autoriteteve një marzh të gjerë vlerësimi.” Derogimi sipas nenit 15 nuk varet nga miratimi formal i emergjencës apo i çfarëdolloj regjimi të ngjashëm nga shteti në shkallë kombëtare. Në të njëjtën kohë, çdo derogim duhet të ketë një mbështetje të qartë në legjislacionin vendas me qëllim mbrojtjen nga arbitrariteti dhe duhet të jetë rreptësisht i nevojshëm për të luftuar ndaj emergjencës publike. Shtetet duhet të mbajnë parasysh se çdo masë e marrë duhet të jetë një përpjekje për mbrojtjen e rendit demokratik nga kërcënimet ndaj tij dhe se duhet të bëhet çdo përpjekje për ruajtjen e vlerave të shoqërive demokratike, si pluralizmi dhe toleranca. Ndonëse derogimet janë pranuar nga GjEDNj për të justifikuar përjashtime të caktuara nga standardet e Konventës, ato nuk mund të justifikojnë asnjëherë asnjë veprim që bie në kundërshtim me kërkesat tejet të rëndësishme të Konventës për ligjshmëri dhe proporcionalitet. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vepron si një mekanizëm mbikëqyrës për shmangiet nga KEDNj. Sidoqoftë, asnjë mbikëqyrje gjyqësore e vetme, përfshirë atë të GjEDNj-së, nuk mund të mbikëqyrë në mënyrë të efektshme shmangiet për të paktën dy arsye.

Së pari, GjEDNj nuk mund të garantojë një rishikim në kohë të masave të derogimit në mënyrë që të sigurojë një përgjigje adekuate ndaj masave të derogimit. Sipas politikës aktuale të përparësisë për shqyrtimin e çështjeve të depozituara, aplikimet në lidhje me masat kufizuese nuk paraqiten si një kategori e veçantë që gëzon përparësi. Ato nuk klasifikohen si “raste urgjente”. Prandaj, mund të duhen vite përpara se GjEDNj të vendosë për raste të tilla (përveç masave të përkohshme). Efektet e COVID-19 sa i përket të drejtave themelore të njeriut do të shihen në 5-6 vjet kur masat e marra nga qeveritë tani do të analizohen në gjykimet në lidhje me konventën.

Së dyti, vendimet e GjEDNj përqendrohen në faktet e një ankese individuale, dhe ndaj nuk mund të adresojnë masën e shqetësimeve të të drejtave të njeriut që lidhen me regjimet e derogimit. Në këtë drejtim, GjEDNj, nuk mund të adresojë në mënyrë sistematike efektet e masave emergjente në të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.  Dobësitë në mbikëqyrjen e kufizimeve nuk mund të zbuten plotësisht nga angazhimet e rastit të Komisionit të Venecias ose Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, sado të jenë proaktivë. Këto dhe sfida të tjera në mbikëqyrjen e kufizimeve janë adresuar në një farë mase me Rezolutën 2209 (2018) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) e cila rekomandon Sekretarin e Përgjithshëm të marrë një rol proaktiv dhe të sigurojë mbikëqyrjen në kohë të kufizimeve. Në veçanti, Rezoluta 2202 e PACE-s rekomandon që Sekretari i Përgjithshëm:

“- si depozitar i Konventës, jep këshilla për çdo shtet palë duke marrë parasysh mundësinë e kufizimit nga fakti nëse kufizimi është i nevojshëm dhe, nëse po, si të kufizohet rreptësisht fushëveprimi i kufizimit;

– të iniciojë një hetim sipas nenit 52 të Konventës në lidhje me çdo shtet që devijon nga Konventa;

– në bazë të informacionit të dhënë në përgjigje të një hetimi të tillë, të angazhohet në dialog me shtetin në fjalë për të siguruar pajtueshmërinë e gjendjes së jashtëzakonshme me standardet e Konventës, duke respektuar kompetencën ligjore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Kufizimet për shkak të pandemisë COVID-19 janë kufizimet e para që nga miratimi i Rezolutës 2209. Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm ndaj këtyre derogimeve do të sqarojë nëse Rezoluta 2209 e ka fuqizuar atë të veprojë si një mekanizëm shtesë i mbikëqyrjes së derogimeve dhe si synon ai që ta ushtrojë këtë funksion. Në rastin e Shqipërisë, një mekanizëm i tillë është edhe më i rëndësishëm për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe të faktit që tashmë është bërë e ditur që gjendja e fatkeqësisë natyrore do të shtyhet edhe për dy muaj të tjerë, çka për rrjedhojë sjell si pasojë edhe kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë kësaj periudhe. Çështjet e kufizimeve të të drejtave të njeriut janë bërë objekt kërkesash në gjykatat kushtetuese të një sërë vendeve, madje dhe në vende si Gjermania që kufizimet nuk janë aq drastike dhe aq të shtrira në kohë si në rastin e Shqipërisë.

– Qeveria i ka dërguar Parlamentit draft për miratim që Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore të zgjatet deri në 23 qershor 2020. Cili është qëllimi i vërtetë, pse kërkohet deri atëhere kjo zgjatje e Situatës së Jashtëzakonshme, derisa tani po zbuten masat për t’u kthyer në normalitet?

Së pari, kjo zgjatje, duke qenë 60 ditë, pra më shumë se afati 30 ditor i sanksionuar në nenin 174 të Kushtetutës, është alogjike dhe antikushtetuese, për arsye se zgjatja e një afati nuk mund të jetë më e gjatë se vetë afati. Së dyti, Komisioni i Venecias ka theksuar se pajtohet me faktin “që në një demokraci parlamentare ekzekutivi është i përbërë normalisht nga liderët e partive dhe figura të tjera të partisë politike në shumicë, […] por kontrolli legjislativ mund të mos jetë aq i efektshëm në praktikë për të frenuar abuzimin e pushtetit ekzekutiv. Prandaj, në një shtet të së drejtës, kontrolli legjislativ duhet të plotësohet me mjete të përshtatshme dhe efektive të kontrollit gjyqësor” që në rastin e Shqipërisë është e pamundur për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Në një situatë të tillë, në mungesë absolute të kontrollit ndaj pushtetit ekzekutiv, është pikërisht ky pushtet i vetmi përfitues nga një zgjatje e tillë e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje kjo që përveçse po shoqërohet me kufizime të theksuara të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, por po karakterizohet dhe nga prokurime publike me procedura jokonkurruese siç sanksionohen në legjislacionin në fuqi për prokurimet publike. Është shumë ironike të mendosh që në fund të muajit shkurt qeveria nuk kishte nxjerrë ende asnjë akt nënligjor për parandalimin e situatës së COVID-19 pavarësisht se “armiku ishte te porta”, por në mënyrë krejtësisht antiligjore dhe antikushtetuese miratoi VKM  Nr. 203, datë 26.2.2020 “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”, vendim ky që po zbatohet rëndom gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për të “tenderuar” miliona euro para publike të taksapaguesve shqiptarë.

Prononcohen ish deputetët

Ish deputeti Bylykbashi: Kryeministri do të përpiqet të gjejë arsye ta zgjasë gjendjen e pandemisë”,

Gjendja e jashtëzakonshme zgjatet vetëm 30 ditë! Edi Rama i propozon ‎Parlamentit zgjatjen e gjendjes se fatkeqësisë natyrore deri me 23 qershor, plot dy muaj të tjerë. Të gjitha vendet e tjera, që sot kanë kriza të vërteta shëndetësore me qindra mijëra të sëmurë e dhjetera mijëra të vdekur si Italia, Britania, Gjermania, Franca dhe SHBA, e kanë deklaruar zgjatjen maksimumi nga 3 – 11 maj. Ka shumë që kundërshtojnë këto zgjatje masash, madje në SHBA ka protesta të mirëfillta në rrugë. Sigurisht, kushdo me pak mend në kokë, e kupton që nëpër rrugë, në tregje, supermerkata, vende pune, por dhe në familje, virusi bredh lirisht dhe zgjatja duhet. Por shifrat e Edi Ramës, 609 te identifikuar me virus dhe 26 të vdekur, nuk e justifikojnë aspak zgjatjen deri në qershor, kur të tjerët me kriza të vërtetë shëndetësore po i zgjasin vetëm 3-4 jave. Por çështja nuk është nëse duhet zgjatur, apo jo. Çështja është a ka Kryeministri të drejtë të propozojë një zgjatje sa i teket qejfi dhe Parlamenti ta miratojë kërkesën pa kufizim? Po nëse Qeveria i ka në xhep deputetët me gojën e mbyllur me maskë kur flet Kryeministri, ‎a mund ta zgjasë Parlamenti afatin aq sa kërkon Kryeministri? Jo! Afati fillestar që parashikon Kushtetuta është 30 ditë dhe shtesa nuk mund të jetë më e gjatë se afati fillestar. Kushtetuta detyron që të merren masa të jashtëzakonshme, që fatkeqësia natyrore, qoftë edhe pandemia, të përballen sipas afateve.‎ Nëse nuk mjafton, Qeveria të kërkojë në Parlament zgjatje tjetër 30-ditore, e po nuk mjaftoi shtesa e parë, të arsyetojë dhe kërkojë një tjetër. Afati shërben edhe që të matet efikasiteti i masave. Ndërkohë, të mos harrojmë se janë kufizuar të drejta e liri themelore kushtetuese për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, e para liria e lëvizjes. Nëse do të kishim mburojën imunitare kushtetuese, Gjykatën Kushtetuese, sot do e vendoste ajo nëse Rama, nën pretekstin e koronavirusit, mund të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme dhe kufizimin e lirive të shqiptarëve aq sa i leverdis pushtetit të tij, edhe pse statistikat nuk e justifikojnë. Por falë Edi Ramës, Gjykata Kushtetuese u hoq si bajamet (tonsilet) e sëmura, edhe pse sot e thonë të gjithë, që është më mirë t’i kurosh bajamet, sesa t’i heqësh, sepse janë ndër mburojat e para në ditën, kur vjen infeksioni i abuzimit me pushtetin dhe Kushtetutën. Mos harroni, Edi Rama do të përpiqet të gjejë arsye ta zgjasë gjendjen e pandemisë edhe kur ajo të jetë zhdukur tjetërkund. Nëse vendoset precedenti sot, mos u çuditni që Rama të përpiqet ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri në një vit.

 

Luan Rama, nënkryetari i LSI: Boll me mëkate, tërhiqni propozimin për shtyrje me dy muaj

Neni 174 I Kushtetutës e bën të qartë dhe thotë në mënyrë laksativ shqip dhe qartë që për parandalimin apo mënjanim e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik. Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, pika 2 e të njëjtit nen thotë që zgjatja e fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por në kushtet kur pandemia është e kufizuar. Sot nuk ka më asnjë bazë reale, por edhe asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore që të zgjatet më tej gjendja e fatkeqësisë natyrore, aq më tepër po të kemi parasysh që ka zona të tëra të vendit, ka bashki të tëra në të cilat nuk ka asnjë rast ta shfaqjes së të infektuarve me coronavirus, gjë që do të thotë se nuk ka asnjë arsye as në kuptimin parandaluese, por as në kuptimin e diagnostikimit, as në kuptimin e administrimit te realitetit që atje të ketë kufizime në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Prandaj, qeveria duhet të tërhiqet menjëherë nga ideja apo propozimi për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Republikën e Shqipërisë edhe me 2 muaj të tjerë dhe ndërkohë nesër menjëherë pas përfundimit edhe në kuptimin kushtetues dhe ligjor të gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet që qeveria shqiptare të rikthej menjëherë, e përsëris me status të plotë Shqipërinë si anëtare të Këshillit të Europës dhe siç urdhëron neni 5 I Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut do të duhet që qeveria shqiptare të informojë me shkrim menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për përfundimin e gjendjen e fatkeqsisë natyrore e për rikthimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve siç buron jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por dhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e të gjitha të drejtave të cënuara apo të kufizuara për shkak të gjendjes së fatkeqsisë natyrore. Dhe një gjë tjetër dua të bëj të qartë. Pavarësisht që në kuptimin kushtetues dhe ligjor, Shqipëria është në kushtet e fatkeqësisë natyrore, masat e aplikuara nga qeveria janë në tejkalim të kësaj gjendjeje apo të këtij statusi ligjor pasi ato realisht kanë qenë masat e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë që do të thotë se jemi përpara dhunimit, shpërdorimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës. Qeveria të tërheqë propozimin që ka bërë dhe Kuvendi të mos e fusë veten edhe në një mëkat tjetër të shkeljes së Kushtetutës dhe të talljes me interesat e qytetarëve dhe me interesat e Republikës së Shqipërisë, e cila do të duhet nga nesër të kthehet me statusin e plotë si anëtare e Këshillit të Europës.