Tenderat, gjatë vitit 2023 u lidhën 1 mld euro kontrata

14
Sigal

Në vitin 2023 u zhvilluan mbi 5 mijë tendera, ku 1000 prej tyre janë anulluar dhe për 800 prej tyre pati ankesa. Nga Janar deri në Dhjetor 2023 vërehet se, numrin më të madh të procedurave të shpallura e zënë procedurat për prokurimin e mallrave me 2,785 tendera ose 53%, duke vijuar me procedurat për shërbimet 1,528 ose 29% dhe të punëve publike 937 procedura ose 18%

Gjatë vitit që shkoi 2023 u hapën 5.250 tendera me një fond limit 134.3 miliardë lekë. Nga këto procedura rreth 1396 procedura tenderuese u anulluan. Kështu u tha në një raport vjetor të Agjencisë së prokurimit Publik për vitin 2023. Në të gjithë Shqipërinë gjatë vitit 2023 peshën më të madhe të tenderave të hapur e zunë tenderat e mallrave. Pas tyre u renditën nga tenderat për shërbimet dhe ato të mbajtura për punë publike. Gjatë gjithë vitit që shkoi vlera e tenderave të nënshkruar kapi shumën e mbi 1 miliardë eurove siç thuhet referuar raportit vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik. Nga 5.250 tendera gjithësej gjatë vitit që shkoi u lidhën gjithsej 4007 kontrata për shërbime, mallra apo punë publike. Krahasuar me vitin 2022 ky numër rezultoi më pak, sepse gjatë 2022 u lidhën 4,507 kontrata me një vlerë të përafërt që shkonte sa 134,3 miliardë lekë. Për kontratat që kanë një fitues, fondi limit i përcaktuar nga autoritetet kontraktore ka qenë në vlerën 125,6 miliardë lekë, por kompanitë që kanë marrë pjesë në garë kanë ofruar 111.7 miliardë lekë. “Sa i takon kursimit, gjatë vitit 2023, konstatohet fakti se vlera totale e kursyer e procedurave të fituara ndaj fondit total limit shprehur në përqindje është 15% dhe krahasuar me vitin e kaluar kjo vlerë është domethënëse më e lartë se në vitin 2022 (ku kjo vlerë ishte 8.4%) gjë që tregon rritje të efektivitetit në përdorimin e fondeve publike”,- thuhet në analizën e APP-së. Vjet ka pasur më shumë ankesa se në vitin 2022 pavarësisht se janë lidhur më pak kontrata për tenderat e zhvilluara. Sipas të dhënave nga Komisioni i Prokurimit Publik në vitin 2023 janë shqyrtuar 871 ankesa nga kompanitë për tenderat e hapura, për të cilat ky institucion ka marrë në total 851 vendime, ndërkohë që 21 prej tyre janë ankimuar në Gjykatë. Shumica e ankesave ka qenë për vlerësimin e ofertave, për këtë kriter janë bërë 518 ankesa, dhe pjesa tjetër janë për dokumentet e tenderit me 351 ankesa, për shkak se kompanitë pjesmarrëse në gara kanë vlerësuar se dokumentet kanë pasur probleme. Kurse në vitin 2022, u regjistruan 794 ankesa në total nga të cilat 478 ishin për vlerësimin e ofertave, 300 për dokumentet e tenderit dhe 15 ankesa për shkaqe të tjera.