Takimi i trilateralit Shqipëri-Itali-Serbi, zhvillohet nesër në Tiranë

529
Nesër do të zhvillohet në Tiranë, takimi i dytë i Ministrave të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, Paolo Gentiloni e Ivica Dacic, në kuadër të Trilateralit Shqipëri-Itali-Serbi.
Ky takim synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme si për vendet tona ashtu edhe për rajonin dhe me gjerë.
“Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, në frymën e procesit të Berlinit dhe duke pasur parasysh Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, do të jenë në fokus të këtij takimi të rëndësishëm, objektiv parësor i të cilit do të jetë përforcimi i urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi” informon ministria e Jashtme përmes një deklarate për shtyp.
Gjatë takimit, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete, me interes të ndërsjellë, në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj., duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
Takimi trilateral do të paraprihet nga takime të veçanta të Ministrit të jashtëm Bushati me Ministrat Gentiloni dhe Daçiç.
Kjo nismë u iniciua më shumë se një vit më parë dhe vijon takimin e parë trepalësh në nivel Ministrash të Punëve të Jashtme mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Romë, më 23 janar 2015.
Axhenda
Ora 10:00 – 10:55 Takim bilateral ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ditmir Bushati dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Sh.T.Z Paolo Gentiloni me prezencën e dy delegacioneve, Vendi: Ministria e Punëve të Jashtme.
Oa 11:05 – 11:55 Takim bilateral midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ditmir Bushati dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Sh.T.Z. Ivica Dacic, me prezencën e dy delegacioneve; Vendi: Ministria e Punëve të Jashtme
Ora 13:00 Drekë pune Trepalëshe: Shqipëri – Itali – Serbi/ Vendi: Pallati i Brigadave – Salla Skënderbej
Ora 15:00 /Konferencë e përbashkët për shtyp, Ministri Bushati prezanton rezultatet e takimit, pasuar nga pyetje dhe përgjigje; Vendi: Holli i Pallatit të Brigadave
Sigal