Tahsin Xh. Demiraj: “Kaos përpara kutisë së votimit…”

211
Sigal

E djathta kërkon ndryshimin. E majta thotë “Të shkojmë përpara!” Asnjëherë mbrapa. Të bukura të dyja. Nuk ka antagonizëm. Si njëra ashtu edhe tjetra janë paqësore dhe për progresin. Atëhere, pse kalojnë në agresion njëra apo tjetra?… Ç’është ky mllef? Në mos i trashëguar, atëhere i edukuar..!.

Vërej se një kaos i paparë mbretëron në të gjithë Shqipërinë. Një fushatë “hasmërie” me lloj-lloj thashethemesh, fjalësh fyese për njëri-tjetrin. Mjerë Rama, Dako e Sako në Durrës, ku do të shkojnë, kur Igli Cara të kurorëzohet, pasi ai premton se do ta shpëtojë Durrësin nga kthetrat e mafies? Durrësi po jeton shtypjen më të egër, betonizimi po i merr frymën. Mjerë Erion Velia që gënjen se janë ndërtuar 40 shkolla në Tiranë, kur vetëm 9 apo 10 numërohen. Klith se ka mbjellë 1 milionë pemë, kur po thahen edhe ato që janë mbjellë vite më parë. Gjithçka është propagandistike. Velia kërkon mandatin e tretë që të mbarojnë punët që kanë filluar dhe janë në proçes, kur proçesi i ndërtimeve është pambarim dhe i përjetshëm. Mos do të kërkojë edhe mandatin e 4-t dhe të 5-t ? Mos kërkon përjetësisht të jetë në bashki, kur Tirana nuk ka ujë të pijshëm pasi iu premtua se do të kishte ujë në 24 orë! Tirana mbeti pa qendër historike, kur sahati dhe xhamia historike mezi marrin frymë, kur mali i Dajtit nuk duket më nga shkerëtira me qiellgerricës, kur “Teatri kombëtar” i lavdisë së madhe teatrale u shemb barbarisht nga dhëmbët e këtijë çakalli?… Kur dhe kështjella dhe sarajet e Toptanëve janë në rrezik nga i pabesi që të vret natën e të qan ditën…Në Lezhë, Pjerin Ndreu demokratët i krahason me talebanët. Po ai vetë, çfarë është, çfarë rrace i takon Pjerinit? Nga dalin këto koka? Nga kanë lindur këto kope egërsirash, që bredhin të harbuar nëpër Tiranë e në Shqipëri? A ka bir nëne të ma thotë?…

Rama ka shpërthyer në agresion të përgjithshëm. Siç e kemi parë megalloman dhe agresiv në parlament, në qeveri, nëpër rrugë, nëpër ndërmarrje të punës, me fermerë, nëpër rrugë që shtrohen. Ai tregohet agresor edhe me ndërkombëtarët dhe nën delirin e madhështisë bërtet se e ka mik Mc Gonigal-in, mik shtëpie Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Tom Doshin, ish sekretaren e Arben Ahmetajt,…, i jep leksione Francës, Anglisë dhe Europës. Jep këshilla për rizgjedhjen e Llukashenkos në Bjellorusi, në Malin e Zi për Gjukanoviçin, konsiderata për Trampin, por Trampi udhëhoqi për 4 vjet Amerikën e po kandidon përsëri edhe në Kosovë e provoi nën delirin e madhështisë disa herë po nuk e duruan kosovarët dhe hoqi dorë, i fal detin Greqisë etj. Rama po dhunon standardet zgjedhore. Rama thotë ose votoni për mua, ose mos dilni fare për të votuar se nëse do të fitojë krahu i djathtë, unë nuk jap asnjë pjesë nga torta që do të ndajë, nga buxheti… Kjo bie ndesh me Kushtetutën. Po Presidenti?

Zoti President! A e ndiqni aktualitetin? Votat po shiten si zarzavatet në treg. Funksionarët po ushtrojnë dhunë ndër vartësit për votimet… Shqipëria është në prag të luftës civile.

…Si kal i harbuar pa kapistër Rama i bën oponencë Serbisë, që nuk njeh Kosovën, Serbisë genocidiste në Kosovë, Serbisë që është e papranueshme në Europë, Serbisë kur vet Serbia ngul këmbë dhe nuk është për sanksionet ndaj Rusisë, Serbisë që nuk ka ç’na duhet neve shqiptarëve. Ai ju bën thirrje shqiptarëve në Turqi, të votojnë për Erdoganin, kur ky ka qenë dy dekada në krye të Turqisë…Ç’është kjo, megallomani apo kapriçio? I thotë Europës “Hiqni dorë nga Shqipëria se unë jam me Turqinë, me lindjen, me Serbinë, dmth me Putinin, unë e aprovoj Serbinë që është me Putinin, unë jam dhe me Ukrainën edhe pro luftës ruse në Ukrainë, nuk më intereson që gjithë bota është kundër, unë jam me autokracinë turke, dmth me Lindjen Osmane, pavarësisht se bashkëkombasit çirren rreth tre dekada se duan t’i bashkëngjiten Perëndimit, Europës, pavarësisht se bashkëkombësit e mi thonë se Shqipëria po shpopullohet me galop…

Zoti Kryeministër! Rruga për në Bruksel është e shkurtër po ta duam dhe kalon nga e majta e Ballkanit drejt e në Bruksel, nuk kalon aq larg sa nga Beogradi e nga Stambolli e nga Arabia. Mos harxho aq shum karburant.

Bashkëkombësit e mi! Një referendum mbarëkombëtar do të qe shërimi i këtyre çoroditjeve mendore që po e dëmtojne imazhin e kombit.

Rama kur thotë që Elbasani, Durrësi, Korça, Roskoveci janë të miat, nëse është i sigurtë, nuk duhet të bëhet nevrik, nuk ka pse të rrëshqasë në gjuhën e tij fëmijërore, nuk duhet të kalojë në epitete pezhorative, “gomerë” dhe “kalë” karroce për deputetët socialistë, nuk ka pse të tallë deputetin e Elbasanit, nuk ka pse të kalojë në çështje, që nuk kanë të bëjnë fare me propagandën elektorale, nuk duhet të rrëshqasë në gjuhë banale, por duhet të frenojë nervat, duhet t’i thonë ta mbajë veten, ta “qepë shpellën”, të mos bëhet për të ardhur keq.

Me paramendim u la vula në dorën e Alibeajt dhe kur e nxorën jashtë loje edhe portierin u urdhërua Gjykata e lartë për ta gjuajtur topin dhe e bëri golin, pas një lufte nervash i la pa vulë demokratët e rithemelimit. Pas kësaj vule do të kishte të tjera belara për të paralizuar Berishën, derisa më në fund do të bashkohej e Djathta me të Majtën e Metës, deri më në fund do të krijohej “BASHKË FITOJMË” për këto zgjedhje lokale.

Tradhtia e madhe e Bashës i shkaktoi humbje të madhe demokratëve. Po e paguajmë shtrenjtë tradhtinë e atij pehlivani në gjirin e Partisë. Gabimi fatal ishte dorëzimi i Partisë Demokratike një bastardi, si Basha. Djegia e mandateve dhe lënia e parlamentit më parë dhe mosmarrja pjesë në votimet  lokale që ia fali të gjitha bashkitë të majtëve, ishte thikë që shkoi deri në kockë të së djathtës. Nuk e kuptoj çfarë politike është kjo? Ai ka tradhtuar 600.000 zgjedhësit dhe duhet të dalë e të përgjigjet në gjyq popullor dhe të ndëshkohet! Mor, po ku është?!

Takimi Bashës në 3 dhjetorin e vitit që shkoi, në orën 18:25-19:25 me Taulant Ballën fshehtas në një apartament sekret flet shumë për këtë. (Ky takim është një takim pisllëqesh e quan Z. Myslim Murrizi). Se çfarë është  diskutuar, ka pak rëndësi, nuk ka nevojë për koment. E udhës për të mos hamendësuar këto pisllëqe le të ishin takuar në një kafe apo restorant. Kjo tregon pisllëkun e madh që Basha është plotësisht një i marrë peng nga socialistët. E sa takime të tilla do të jenë bërë prapa shpine kur ne mblidheshim në manifestime kombëtare prapa Bashës? Atje, në fushën e burrave këta politikanë kanë një fytyrë tjetër. I kemi parë dhe dëgjuar, se çfarë kanë sharë dhe ofenduar njëri -tjetrin për gjëra të ndryshme, deri në banalitete dhe tani, këta surretër të zgjedhur nga ne, i shohim të takohen, të bisedojnë, të bëjnë pazare skutave e të puthen si mij gjirizi.