Faik Islami/ “Beteja me dekoratat”, tallje me hallet e shqiptarëve

567
Çerek shekulli, si është rrëzuar sistemi i diktaturës së proletariatit, fitimtarëve që ngritën themelet e sistemit “të ri”, duket se nuk ju ka dalë inati me atë të kaluar, së cilës po për kaq vite, nuk lanë gjë pa i punuar. Gur mbi gur s’lanë nga sa gjetën më këmbë, me lajtmotivin e teorisë fashiste të nivelit ‘zero’. Populli u bë dëshmitari dhe sehirxhiu i shkatërrimit të gjithë mundit dhe djersës, derdhur lumë, për 50 vjet. Nëse mund të flitet për meritë të madh, mes dy sistemeve, kryesori, që nuk mund të harrohet kurrë, por do të çimentohet në kujtesën e shqiptarëve, është vetshkatërrimi i gjithçkaje materiale, shpirtërore, njerëzore e shoqërore, prej njerëzve të “rinj” të sistemit të ri. Me sa ju punua këtij, vendi, qysh se nisi vetshkatërrimi, mund të pohohet se as fashizmi më i zi, nuk do ta kish arritur këtë gjëmë mbi truallin dhe shoqërinë shqiptare. Ju punua qindi njerëzillëkut, pronësisë shoqërore, territorit, tokës në përgjithësi e asaj are në veçanti, pyjeve, lumenjve, madje dhe vetë detit. Shkurt, për gjithçka, mund të thuhen vetëm rrokullimat, se gjë për mbarë e mirë, nuk mund të numërohet. Këtë biçim sistemi, që guxohet dhe na i thonë demokraci .nuk ka ku ta ndukë as qeni më i uritur i tërë botës. Këtu jemi! Pse ka arritur në këtë derexhe, shoqëria shqiptare, po merr udhët e botës tutje, evidentuar si populli më gjezditës i Ballkanit. Ikin duke lënë në truallin mëmë, pothuajse aq njerëz sa gjeti sistemi që erdhi sapo vendi u çlirua nga okupatorët nazi- fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ai sistem e rriti popullsinë në afërsisht katër milionë. Ky i “riu” e katandisi gati në gjysmën që la sistemit socialist. U katandis popullsia në posokun e merhumes mbretëri! E nëse kodet zakonore shqiptare, do ta kishin në model dekoratën e turpit, atë, me tërë madhështinë e peshës negative e meriton ky sistemi ynë hibrid, njerëzit, që e drejtuan dhe e zaptuan atë, që qeverisën. Në modelin e turpit mes vendeve të Ballkanit. Se vend kasollesh me kashtë dhe me banorë ca çobanë ishte territori i Romës së sotme, në shek. e 8 (p.K) Por për një periudhë gati sa dyfishi i kësaj kohës shqiptarëve, me sistem “demokracie”, qyteti i romakëve nisi rrugën e qytetërimit, duke e bërë shumë shpejt Romën, shtetin më të fuqishëm të kohës. Jo vetëm kryeqyteti, por tërë qytete tona u “qeverisën me mentalitetin e shkatërrimit dhe fadromizimit! Fadromizimi mbetet një tjetër medalje turpi, varur në qafën e tërë klasës politike, në qeverisjet e periudhës 25- vjeçare. 
Damka e politikanëve të turpit
Nuk kanë të numëruar arsyet e një damkosjeje me turp, me medalje e dekorata vetëm turpi, të gjithë politikanët e këtij sistemi, kryekëput të faktorëve dhe aktorëve politikë e qeverisës. U ngrit në sistem vjedhja, kusaria mbi pronën shtetërore. Vetëm nga armët që kishin depot, shqiptarët mund të jetonin 10 vjet me ushqime. Nga hekuri e çeliku i tankeve dhe strukturave të tjera, që pati ushtria shqiptare, më modernia në këtë cep Ballkani, mund të siguroheshin mbi 4 miliardë USD. Vetëm nga alumini i trupave të avionëve, që u vodh e u shit, mund të merreshin mbi një miliardë USD. Këto vanë që të gjitha për pajë djallit. Por gjene nuk janë këto thagma e madhe. Humbja më e madhe nuk mbeten e llogariten këto edhe të marra së bashku. Nuk janë asgjë para humbjes në mënyrë të pakthyeshme më kurrë të shpresës. Klasa politike që qeverisi në 25 vjet është atentatorja që u vrau shpresën shqiptarëve. Të varfër ishin atëherë, por në punë dhe shpresonin se një ditë mund të bëheshin dhe më mirë. Sot nuk kanë as punë, por nuk kanë as shpresë, për më mirë, ajo është varrosur njëherë e mirë! E kjo është damkosja me turpin më të pashlyeshëm kurrë, të krejt kësaj klase politike. Dekoratën e turpit, për humbjen e gjësë më të shtrenjtë, mbetur në ndërgjegjen njerëzore. Këtë gjëmë e kreu kjo klasë politike thellësisht kriminale! Pa le më, kur na fanepsen gjithë kurajo e guxim, për ta shtruar dyst, sallës e parlamentit të turpeve, në atë biçim melçizi, problemin e madh, shqetësuesin, penguesin për ecjen përpara, portën e shuar me mavri, që nuk lë këmbë njeriu për të zënë punë “dekoratat e medaljet e njerëzve, të gjallë e të vdekur, që patën kontribuar në sistemin socialist, para 25 vjetësh! 
Tallja e radhës me popullin
Çfarë tallje me këtë popull? Një popull i tërë i dënuar të turpërohet deri në këtë farë feje! Ç’i paskemi bërë Perëndisë që na paska dënuar aq rëndë sa detyrohemi të dëgjojmë edhe thagma si kjo, kur na është dhënë liria dhe e gjithë e drejta për t’ia hequr vetes, me gisht të këmbës? Po ja ku janë, të tillët, kaq kurajozë e pa pikën e turpit, që ftojnë sot popullin e mekur nga hallet, në mejdan të dëgjojë betejën e madhe mbi “dekoratat”! Betejë me copat e pafidheve gjithë ndryshk, mbetur syndyqeve si reliktet e nuseve, kur burrat u iknin nizamë në Jemen e nuk u kthyen kurrë! Të varfër more kemi qenë, por nderi e nejrëzillëku nuk na ka munguar si sot. E kishin të shenjtë dikur respektin e dashurinë njerëzore, për shokun, mikun, komshiun, bashkëfshatarin e lagjarin. Asnjë gjë nga këto nuk ka mbetur. Zot i kujtdo është interesi, babëzia e zilia, si armët më të sofistikuara të sistemit të ri dhe armët reale të cilësdo natyrë krim. Këto, si shtrat i këtij sistemi, si mentalitet formues, ardhur prej funksionimit të tij, ushqyen shkatërrimin. Ideatorët i vunë në eficensë me synimin e vetëm për ta vjedhur atë që ishte e popullit. Sot 1 % e këtyre, të majmurve që tallen me mjerimin e popullit, zotërojnë tërë pasurinë që e tij. Nuk lanë gjë prej gjëje pa e vjedhur. Aq sa sot nuk i bën kujt përshtypje, madje nuk u hipën kujt fije skuqje në syrretet, si burrave të hershëm, në kohët e para, kur etiketojnë si pa të keq njeri – tjetrin, me fjalën plumb “kusar”. Dekorata më e lartë e turpit marrë me shumë meritë nga kjo klasë politike. Ja pra, këta guxojnë t’u qasen për t`u marrë dekoratat e medaljet, gjithë atyre njerëzve të ndershëm, që i përfituan si stimul moral nga rregullat e sistemit në të cilën shkrinë jetën e tyre, këta po vërsulen tua marrin edhe të vdekurve. Si turkoshakë modernë, të cilët mësynë mbi varrin e legjendarit Skënderbe! Kavalierët e medaljes së turpeve, vrasësit e gjësë më të shtrenjtë e më të shenjtë, mbetur në ndërgjegjen njerëzore të shpresës, kanë bërë gati thesin për të grumbulluar medalje e dekorata si dhuratë për popullin e mekur nga hallet! Dhe ja u bëjnë edhe këtë tallje, pikërisht ca që ndërsa duhet të zhduken nga skena politike, ndërsejnë e ndjellin budallenj, të vrasin mërzinë, për t;u mbushur me erën e mykut të dekoratave të së vdekurve dhe ta atyre pak të gjallëve, që i kanë merituar plotësisht, ndërsa ishin ndër ligjet dhe rregullat e një sistemi.
Kujt mund t’i hiqen dekoratat?
Dekoratat dhe titujt mund dhe t’i hiqen një të gjalli, i cili ndërsa ka qenë në detyrat të kohës, ka shkelur me vetëdije ligjet e saj. Por nuk mund të cenohet asnjë që kësaj bote i ka lënë shëndenë, sepse cilido i gjallë, që merret me një të vdekur, mbetet në fakt një i vdekur mbi dhe të dekoratave e medaljeve të turpeve realisht janë kufoma mbi dhe! Çdo kusur të të gjallit, vjen një ditë që ja mbulon dheu. Si mund të jemi shoqëri e emancipuar kur kërrejmë nga varri të vdekurit, vetëm e vetëm, që t’u marrim dekoratat apo medaljet,si vesi i ngjizur i hakmarrjes primitive ? E tillë mund të jetë vetëm një shoqëri e mpirë nga ligësia. Dhe jo vetëm kaq, jo vetëm kemi arritur tek mpirja, ku nuk qajmë më dot, për sa na iku, por nuk kemi më asnjë shans, asnjë shpresë, se ditë të mira mund të na vinë, pas kësaj hataje të madhe! Këta nuk po na ndahen, për të na lënë të vdesim të qetë, brenda rrethit vicioz të halleve të rënda, që nuk i ngre e mban dot as dheu. Kështu mund të sillen vetëm kusarët pa shpirt, tinëzarë, por edhe tallës! E si të na zërë gjumi rehat ne, kur nja 100 vetë të mbetur gjallë dhe nja 200 lënë shëndenë kësaj bote, mbakan dekorata e tituj, si bie fjala medalje kujtimi, trimërie, punëtori pararojë, Hero i Popullit, që ai sistem e kish në parim. Me të vërtetë groteske, por ia vlen për këta kavalierët e betejës mbi dekorata ta dinë si është e vërteta mes njerëzve për këtë problem. Para ca kohësh, ndërsa po përcillnim për në banesën e fundit, një ish ushtarak, ish partizan i Brigadës I S, vetë i tretë vëlla, djem trima në lulen e rinisë së tyre, luftuan deri në Vishegrad. I kërkuam bashkëshortes së ushtarakut të lartë, dekoratat e medaljet, si kujtim e vlerësim njerëzor, për t`ia vënë tek guri i varrit, tek koka, sepse veç dy gurë merr me vete i vdekshmi. Të vetmen “dhuratë”, për sa ai kish bërë, një jetë në shërbim të Atdheut. Gjithë pasuria që pati marrë nga shoqëria, nga sistemi, ishin 7 copë dekorata bronzi!.Por e shkreta grua, gjithë habi na tha: “Unë ato i kam hedhur poshtë, pse ç`i duheshin atij, e përse më hynin në punë më mua”? Ku e dinte ajo e shkretë se ja që u dashkej për këtë ditë, që t’i marrin këta të politikave të mëdha “vizionare”! Dekoratat, stimujt e tituj u janë dhënë plot nga radha e të vdekurve, por ish drejtues a udhëheqës, për cilësitë e vdekshme, bashke me ta. Sistemi i këtyre, që shajnë të parin, ka plot të mira, pas të cilave nuk lënë rast pa vrapuar, por të mjerët nuk e dinë se ato janë gjithashtu ” të vdekshme”! Se në të vërtetë, të mirat në kuptimin e plotë të fjalës, nuk vdesin. Nuk vdes urtësia, besnikëria, atdhedashuria, ndershmëria, virtyti. E në shumicën e dhënies së atyre dekoratave e titujve pikërisht mbi ato vlera është gjykuar. Ndaj ato të gjallëve e sidomos të vdekurve, nuk mund t’u hiqen dot kurrë! Sidomos nga një parlament turpesh.
Sigal