35 familje rome në Pogradec apelojnë: Na ndihmoni, jemi në rrezik

    423
    Duhet të ecësh mbi tre kilometra rrugë, nga qendra e qytetit të Pogradecit, nëpër një monopat mali, për të takuar 35 familje rome, afërsisht 180 banorë, në mes të këtij dimri të ashpër. Ndërtesa ku strehohen 35 familjet rome ndodhet në këmbët e një mali, në një vend të pjerrët dhe ambient izoluar, rreth e rrotull i mbuluar me dëborë, rreth 30 cm dhe erë të fortë acari, ku temperaturat shënojnë deri në minus 15 gradë nën zero. Ata kanë ardhur këtu të nxjerrë forcërisht nga Hotel “Mokra” në Pogradec, pasi jetonin dikur në këtë hotel, në lagjen “Goricë”, por kur ky hotel iu kthye pronarit, ata u strehuan provizorisht në disa ndërtesa të braktisur të ushtrisë, larg Pogradecit, me mungesë të kushteve më minimale të jetesës. Tani pas 12 vjetësh, fjala “provizorisht” për ta e ka humbur vlerën, pasi askush nuk është ndihmuar nga bashkia për t’i shpëtuar jetës së vështirë. Të gjithë janë pa punë, pa ujë të pijshëm, shpesh pa energji elektrike dhe me dimër të ashpër, mes kafshëve të egra rreth e rrotull ndërtesës. Sapo bie mbrëmja, kopetë e ujqërve vijnë rrotull ndërtesës. Në këto ditë të acarta të dimrit polar, aty ka mbi 50 cm dëborë. Banorët e kësaj ndërtese të sjellin ngjarje rrëqethëse të jetës së tyre, në këtë ndërtesë të braktisur. Për gazetën “Telegraf” Ramadan Dada dhe Agim Piperi sjellin në kujtesë disa ngjarje të dhimbshme, të përjetuar nga këto familje në vitin 2006. Një familje rome jetonte në këtë ish-kabinë elektrike të repartit ushtarak. Gjatë dimrit të ashpër, prej të ftohtit, vdiq Feruze Piperi, 53 vjeç dhe pas 40 ditësh vdiq edhe i nipi i saj 5-vjeçar, Andrea Piperi. Nuk munguan edhe premtimet e pushtetarëve dhe shoqatave për të ndihmuar këto familje, për t’i larguar prej këtyre banesave. Po pas 12 vitesh, asgjë nuk shihet, sepse asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tyre, përkundrazi, amortizimi i ndërtesës e ka bërë edhe më të vështirë jetesën e 35 familjeve rome. Banorët nëpërmjet gazetës “Telegraf” kanë dhënë sinajlin “sos” dhe i bëjnë thirrje pushtetit lokal, të verë dorën në zemër për këta të mjerë, që kanë ngelur në një gjendje të mjerueshme dhe depresive, në kushte mizerabël, pa elementët më të thjeshtë dhe të domosdoshme të jetesës. Po edhe shteti të investojë për këta romë të mjerë, për ta të ndërtohen banesa, ku mund të strehohen dhe të ingranohen në shoqëri edhe këta fatkeq. Të gjithë fëmijët e tyre janë lypsa, që gjithë ditën lypin në rrugët e qytetit, kurse prindërit e tyre mbledhin kanoçe për të mbajtur frymën gjallë. Ismail Shuli thotë për gazetën “Telegraf”, se kam shatë fëmijë, një pjesë lypin dhe një pjesë mbledhin kanoçe, unë thotë Ismaili, vetë e kam mbaruar shkollën tetëvjeçare, por fëmijët e mi, që të shtatë janë analfabetë dhe kjo është tragjike dhe e turpshme. Shumë shoqata joqeveritare kanë pasur projekte në Pogradec për romët, por duket se me lekët që duhet të shpenzonin për romët, drejtuesit e këtyre shoqatave kanë blerë shtëpi të dyta, vetura luksoze dhe kanë ngritur vila në Pogradec…
    Sigal