Tahiri: Spekulim mediatiko-politik, raporti sekret për drogën

460
Sigal

Gazeta Telegraf/


Proncimi për mediat i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në çelje të Muajit Kombëtar Antitrafik, në kuadër të disa aktiviteteve që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për të denoncuar rastet apo tentativat për trafikim të personave:

Pyetje: Në lidhje me një pjesë të raportit të SHISH të publikuar dje në lidhje me kultivimin e hashashit në Shqipëri, por dhe me implikimin e efektivëve të Policisë, një koment, zoti ministër? 

Ministri Tahiri: Nuk jam në dijeni që ka një raport të tillë. Policia ka reaguar zyrtarisht. Bëhet fjalë për një përpjekje mjaft intensive për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit. Dhe tashmë, përveç SHQUP-it, hyjnë dhe segmente të caktuara të medias, të cilat kanë edhe guximin të fabrikojnë medemek “raporte” herë nga Shërbimi Informativ herë nga partnerët, të cilat nuk ekzistojnë askund. Dhe që synojnë përbaltjen e punës së Policisë.

Gjithsesi, unë nuk do të doja që këtë ditë të shënuar sot ta shpenzoja me pallavrat që është mësuar ky cikël llumi në politikë dhe në disa segmente të medias ndaj të gjithë atyre që nuk përputhen me interesat politike, personale dhe shpeshherë kriminale. 

Ndaj do doja t’ju ftoja dhe ju të shpenzoni pak kohë për t’u bërë me dije qytetarëve nevojën për t’u informuar me luftën që duhet të bëjmë të gjithë bashkë kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Armiku më i madh në këtë sfidë është pa asnjë diskutim injoranca, padijenia, varfëria, mungesa e kushteve të jetesës, papunësia dhe të gjitha fenomenet që në kompleks kanë çuar në Shqipëri në një numër jo të vogël viktimash të trafikimit.

Pyetje: Sa është ky numër?

Ministri Tahiri: Për këtë shkak në vitin 2013 trashëguam Shqipërinë e renditur, për fatin tonë të keq, në listën e Departamentit Amerikan të Shtetit, ajo që quhet “Lista e zezë”. Pra ndër vendet që kanë një problem shumë të madh me trafikimin dhe që kanë një qeveri që nuk punon për ta adresuar si çështje. 

Menjëherë vitin e parë të mandatit tonë, ne bëmë të mundur që Shqipëria të mos renditej në atë ‘listë turpi’. Por na mbetet ende shumë për të bërë për të adresuar këtë fenomen. Mbi të gjitha për të formuar vetëdijen kolektive, se ky është një problem jo vetëm i viktimave të trafikimit. Ky është një problem i Shqipërisë. Ky është një problem i shoqërisë.

Ka raste kur të rinj dhe të reja, as janë të vetëdijshëm që me veprimet e tyre, për cilindo motiv bëhen pa dashje viktima të trafikimit. Ashtu siç ka raste që kurajot për të denoncuar të tilla fenomene, në institucionet përkatëse Polici, Prokurori apo edhe në media, në shumë raste, – ka shërbyer si shembull i mirë për të gjithë ata që nuk kanë pasur deri më sot guximin të denoncojnë.   

Ndaj unë do të doja shumë që miqësisht, dashamirësisht, dhe pa asnjë diskutim në mënyrë institucionale, t’ju kërkoja që të shpenzonim pak kohë më shumë, lidhur me çështje që janë shumë më madhore se pallavrat që prodhon një gazetë, apo një redaksi, apo një pjesë e caktuar e politikës që deri dje nuk ka bërë asgjë për Shqipërinë; dhe që sot mundohet të hedhë baltë mbi ata që të paktën kanë filluar të bëjnë punët ashtu siç duhet.

Pyetje: Z. Tahiri t’i rikthehemi trafikut të lëndëve narkotike, pa shkëputur vëmendjen nga trafikimi i qenieve njerëzore. Ka patur një kapje të drogës tre tonë në Mat, nga ana tjetër kemi patur edhe pistën e avionit që u kap po me drogë në Ishëm, nuk ka patur deri tani asnjë efektivë të policisë të pezulluar për gjithë këtë drogë të kapur. A do ketë një hetim nga ana juaj për efektivë?  

Ministri Tahiri: Policia e Shtetit po bën detyrën dhe ju duhet të keni pak durim që Policia dhe gjithë instancat e tjera të përfundojnë hetimet. Hetimet nuk mbarojnë sot për nesër, kanë kohën e tyre. Unë e kuptoj padurimin tuaj dhe të medias. E kuptoj dhe nxitimin për të nxjerrë lajme. E kuptoj ndonjëherë dhe gabimin gjatë rrugës për lajme që nuk janë të vërteta. Ashtu siç ju duhet të kuptoni pamundësinë tonë për t’i thënë të gjitha për shkak të detyrës, këtu përfshirë dhe Policinë që nuk e ka mundësinë të komunikojë me median edhe për hetime që janë në vazhdim.

Pyetje: Lufta kundër trafikimit nuk është sot, ka shumë muaj, kundër parcelave të kultivimit me hashash. Ndërkohë që nuk ka deri tani asnjë efektiv, shef komisariatesh, vetëm bimë të asgjësuara?

Ministri Tahiri: Unë besoj që nuk e dëgjova nga ju për herë të parë që lufta kundër narkotikëve ka disa muaj që ka filluar. Jam shumë i vetëdijshëm për këtë. Ashtu siç ju duhet të jeni të bindur që nga njëra anë luftojmë kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nga ana tjetër është një luftë paralele me të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër e kanë nxitur apo kanë bashkëpunuar për këtë fenomen. Këtu përfshirë dhe struktura të policisë.

Ka hetime përkatëse. SHÇBA ka çështje konkrete në hetim. Ka disa punonjës policie, të cilët janë në ndjekje penale, sot që flasim. Kemi një bashkëpunim me prokurorinë në këtë aspekt. Kurioziteti juaj është i ligjshëm, por ajo që mua më kënaq është përmasa e punës që kemi bërë deri më sot, krahasuar me të kaluarën.

Në qoftë se në të kaluarën Policia ishte në gjendje të shkatërronte vetëm 7.5% të sipërfaqes së kultivuar në Shqipëri me kanabis, unë me të drejtë ngre pyetjen, ku shkoi pjesa e mbetur? Dhe cilët ishin ata që e lejuan, dhe cili ishte roli i Policisë?!

Në qoftë se ne sot shkatërrojmë mbi 99% të sipërfaqes së kultivuar, jemi shumë të fokusuar që edhe për atë që mbetet të çojmë përpara hetime që nxjerrin përgjegjësit, përfshirë dhe punonjësit e policisë. Por dallimi është shumë i qartë ndërmjet atyre që deri dje e linin dhe ne sot që po e luftojmë këtë fenomen.

Pyetje: Vëllai i shefit të Komisariatit të Dibrës që është kapur me kokainë, çfarë po luftohet? 

Ministri Tahiri: Në qoftë se ju mendoni që ne jemi të kënaqur me gjithçka kemi bërë, ua  them unë i pari që pres më shumë, nxisë më shumë punonjësit e policisë të punojnë dhe të kenë rezultate më të forta në këtë kuadër. Të gjitha rastet që ju përmendët, janë raste që i ka çuar përpara me hetime policia. Tani unë nuk e di nëse m’i përmendi si çështje për të cilat unë duhet të përgjigjem apo si sukses? Unë i quaj sukses.

Pyetje: Vëllai i shefit të komisariatit kapet me drogë, ndërkohë që i vëllai qëndron akoma në punë. Një pezullim ndërkohë. Ai u kap me drogë në Shqipëri dhe kjo do të thotë që ti nuk kontrollon dot as njerëzit më të afërt.

Ministri Tahiri: Të gjitha rastet që ju përmendi, jo vetëm ju por edhe opozita janë pjesë e sukseseve tona. Ndaj këtu nuk ka asgjë për t’u krenuar. Unë nuk krenohem me këtë. Janë vetëm nxitja e domosdoshme për të vazhduar të bëjmë luftën që po bëjmë.

Ju kërkoj dhe një herë me shumë dashamirësi të jepni theksin e duhur luftës kundër trafikimit. Të gjitha këto që sot janë temë debati nga opozita, nga segmente të caktuara të medias, janë çështje të politikës së ditës.

Ne duhet të luftojmë dhe të fitojmë një betejë shumë më të madhe, me të gjithë ata që Shqipërinë dhe veçanërisht të rinjtë dhe të rejat duan t’i mbajnë në diktatin e trafikimit. Kjo është një plagë shumë e madhe, jo vetëm kriminale, por mbi të gjitha sociale dhe që nuk ka të bëjë me Shqipërinë sot.

Ka të bëjë mbi të gjitha me Shqipërinë nesër. Ndaj ejani të punojmë sot, që nesër mos të jetë vonë për ne dhe fëmijët tanë.

Ju faleminderit!