Ta gëzosh veturën tip i fundit, drejtor i “ partisë”!

491
Drejtorët e emëruar nga qeverisja e rilindjes duket se kanë nisur garët e rradhës. Bëhet fjalë për garën se kush do të blejë (kuptohet jo me lekët e veta) makinën më të shtrenjtë, e cila nuk mbahet prej tyre më tepër se 1 vit. E “vjetra” shitet me 50 për qind të çmimit, dhe sërish blihet e reja. Kjo gjë po ndodh krahas xhepave të mbushur, krahas tenderave të dhëna miqve dhe farefisit, dhe veç 20 për qindëshit që merret nën dorë. Drejtorët e “partisë” e kanë nisur garën hapur fare. Ata qysh herët në mëngjes rreshtojnë tek kafet e preferuara makinat e tyre të reja, luksi i të cilave nuk do t’u shkonte as drejtuesve të ndërmarjeve të shtetit në Gjermani. 

Makina e re e blerë nga drejtori me allishverishet e tenderit “transparent”
Rasti më i fundit ishte blerja e një Audi të reja me vlerë 25 mijë euro nga një drejtor, që me paratë e fituara natyrisht nga tenderat dhe allishverishet e tjera, është njëherësh edhe kontribuesi kryesor i partisë. Ai sponsorizon takimet e partisë, si brënda ashtu edhe jashtë rrethit, si brënda ashtu edhe jashtë shtetit, apo edhe fundjavat dhe ekskursionet e gjata turistike, ndërkohë, që qejfin vetes ia bën, duke ndërruar makinat çdo vit. Blerja e Audit me vlerë 25 mijë euro, ishte kontribut i marrjes së bakshishit prej 20 për qind nga një tender që u bë “transparent”, ndërkohë që makinën e “vjetër” ia shiti një komshiu, që e mban dhe paguan edhe si roje objekti. Madje, Audin e ri nuk e ka të deklaruar edhe si pasuri personale. Këto allishverishe ndodhin në Elbasan, por edhe në shumicën e ndërmarjeve dhe institucioneve të shtetit në Durrës, Tiranë, Korçë e Vlorë, atje ku paratë e taksapaguesve shkojnë në xhepat e kodoshëve dhe sekserëve. Gara e drejtorave në qytetet e mëdha duket se u ka dhënë “zemër” edhe drejtorëve të qyteteve të vogla. Edhe ata kanë nisur të kopjojnë nga kolegët e tyre në qytetet e mëdha, paçka se fondet dhe investimet i kanë me pikatore. Gjetja dhe emërimi i drejtorëve natyrisht bëhet mbi bazën e “meritave”, që ata kanë shfaqur para dhe gjatë fushatës, por edhe tek fjala e mbajtur, tek e cila varet vijueshmëria e tyre. 

Emërimet, shitblerjet, tenderet, me sms nga celulari i shefit
Çdo punësim, çdo largim, çdo blerje dhe shitje, çdo tender dhe pazar tjetër, bëhet mbi bazën e “meritës”, apo sms që vjen nga celulari shefit. Ky i fundit është gjithmonë në korrent të gjithçkaje që ka bërë dhe do të bëjë drejtori. Edhe blerjet e makinave të reja, natyrisht bëhen me dijeninë e shefit. Kur shefi ka marrë pjesën e “luanit”, ajo që mbetet futet në xhepin e drejtorit. Mendo sa është ajo pjesa që mbetet, aq sa mbush xhepat e drejtorit dhe tepron për të blerë edhe makinën 25 mijë euro çdo vit. Por fenomeni duket se ka nisur të marrë përmasa të mëdha. Edhe zyrtarët vartës të drejtorave kanë nisur të bëhen ziliqarë, edhe ata kanë nisur t’ja ndjejnë lezetin postit. Mjafton të shikosh oborret e institucioneve dhe ndërmarjeve dhe do të duket vetja sikur je në ndonjë kompani të huaj që shet makina, pasi do të shikosh lloj-lloj automjetesh të markave dhe çmimeve të ndryshme, natyrisht jo më të vjetra se ato të vitit 2010. Kjo situatë dhe kjo mendësi ka degraruar një pjesë të mirë të zyrave dhe zyrtarëve të shtetit. Askush nuk e ka mendjen tek detyra, tek zgjidhja e problemeve, halleve, tek plotësimi detyrimeve ligjore, tek rritja e efektivitetit të punës, por tek paratë. Askush nuk e nis ditën me mendimin se “çfarë do të duhet të bëj më mirë për të lehtësuar qytetarin”, por e nisin ditën e punës me mendimin se “sa para do të mbushin xhepin deri në fund të orarit zyrtar”. 

Ndërmarjet dhe institucionet e shtetit janë kthyer si pikat e këmbimit valutor
Ndërmarjet dhe institucionet e shtetit janë kthyer si pikat e këmbimit valutor, ku qytetari shkon të mbarojë punë, të zgjidhë problemin dhe i ofrohet vlera e shërbimit, apo biznesmeni shkon dhe njihet me tenderin e rradhës dhe i ofrohet vlera që duhet të paguajë nën dorë paraprakisht, ndryshe është i paradeklaruar humbës. Pavarësisht se ky realitet denoncohet çdo ditë nga qytetarët në organet mediatike dhe ato të drejtësisë, deri sot nuk ka gjasa të ndryshojë asgjë, përkundrazi shkeljet, abuzimet, përvetësimet, sa vijnë e thellohen, duke patur madje imunitet edhe ndaj ligjeve të shtetit. 
Sigal