Studimi / Reklamat politike ekstremiste, dëmtojnë atë që i përdor ato

287
Sigal

Sipas një studimi të Institutit Dartmauth, mesazhet agresive politike, mund të funksionojnë kundër kandidatëve që i përdorin ato, duke i radikalizuar mbështetësit dhe distancuar të moderuarit.

Një studimi i botuar në “Physical Review X”, tregon se si mesazhet e transmetuara përmes reklamave politike dhe paraqitjeve në media, mund t’i zhvendosin votuesit drejt rrjeteve sociale ekstremiste, duke i bërë ata më pak me ndikim tek votuesit e pavendosur, dhe tek tjerët që janë të pozicionuar në mesin e spektrit politik.

“Besimi i përbashkët, është që reklamimi politik i ndihmon përpjekjet e një kandidati pwr tw fituar”- thotë Feng Fu, profesor asistent i matematikës në Dartmauth, dhe një nga studiuesit kryesorë në studimin në fjalë.

“Ky studim zbulon se ekspozimi tepër i amplifikuar dhe pozicionimi super i fortë nw një fushate, mund të zvogëlojë gjasat për të fituar mbështetjen e gjerë që dëshirohet”- thotë ai.

Në studim, studiuesit përdorën një model kompjuterik për të simuluar përdoruesit e mediave sociale, për të vlerësuar se si fushatat politike, besimet personale dhe marrëdhëniet shoqërore, ndikojnë në ndërveprimet midis individëve. Kur u prezantua mesazhi politik ekstremist, studiuesit zbuluan se mbështetësit lëviznin drejt mendimeve më ekstreme. Por ndërsa mesazhet politike, mund të kenë efektin e forcimit të mbështetjes së mbështetësve ekzistues, komunikimet agresive kishin ndikimin negativ të distancimit të mbështetjes nga votuesit që kanë qasje më të moderuara shoqërore.

Pasi krijojnë rrjete brenda grupeve më ekstreme, ata individë nuk janë më në gjendje të bindin votuesit e pavendosur, që të mbështesin një kandidat të dëshiruar. “Strategët politikë, duhet të marrin në konsideratë faktin se si reklamat agresive dhe mesazhet e tjera ekstreme mund të kthehen në një bumerang”– shprehet Xin Uang, autori kryesor i studimit.

Sipas tij mbështetësit ekzistues mund të bëhen “shumë radikalë për ata që janë relativisht të moderuar apo të pavendosur”. Përveçse tregon efektin e mundshëm negativ të reklamave politike nga lart-poshtë, hulumtimi gjithashtu demonstron ndikimin e shkëmbimeve nga poshtë-lart, si ndarja e mesazheve në mediat sociale midis individëve.

Studimi tregon se kur njerëzit janë relativisht mendje-hapur me politikën e tyre, ata mund të tërhiqen në dhomat-jehonë përmes diskutimit të përditshëm politik, me njerëz që kanë mendime politike disi të ngjashme. Antonio Siriani, që bashkë-drejtoi studimin thotë:”Kur individët marrin në konsideratë mendime të ngjashme me mendimet e tyre, por injorojnë opinione thelbësisht të ndryshme, mjedisi bëhet i pjekur për polarizim”.