Strukturat e PS në Greqi/ Damian Gjiknuri takim me emigrantët: PS mbështet bashkëatdhetarë ,do adresojmë problematikat me autoritetet greke

104
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri i shoqëruar nga Sekretari Organizativ Blendi Klosi, etj. zhvilluan një takim me  strukturat e PS dhe mbështetës që jetojnë e punojnë në Selanik. “Kënaqësi të merrja pjesë në takimin e organizuar nga Presidenti i Lidhjes së biznesmenëve greko-shqiptarë në Selanik, Arjan Gusho, ku u takova me biznesmenë të komunitetit shqiptar dhe anëtarë të dhomës së Biznesit në Greqi, Presidentin e Dhomës së Tregëtisë në Selanik, Pandeli Filipidhi, Presidentin e Lidhjes së artizanëve dhe industrisë së lehtë, Anastasios Kapnopolis, Presidentin i Lidhjes së Biznesit të Import-Eksporteve, Simos Dhiamantidhis, Presidentin e Lidhjes së Bizneseve Industriale në zonën e Sindhos, Anastasios Polizoidhis, përfaqësues të Prefekturës së Njësisë Administrative Maqedoni – Thraki, përfaqësues të bashkisë Selanik -Oreokastro ,Stavrupoli, Neapoli. Diskutuam për lehtësimin e procesve doganore, rikthimin e një filiali të një banke greke në Shqipëri dhe procese që ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhenieve tregtare mes dy vendeve.” Njofton në publikimin e tij për mediat Damian Gjiknuri ndërsa ka shtuar se pas takimit është ndalur edhe në një vizitë në ambientet e Lidhjes së eksportuesve të Greqisë. Ndërsa më herët Gjiknuri ka pasur mundësinë të takojë edhe aytetarë të komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë në Greqi. Gjiknuri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur emigrantët kudo që ata janë. Ai nënvizoi se Shqipëria tashmë u garanton emigrantëve të drejtën e votës në Kod. Ai u bëri thirrje atyre për të shprehur vullnetin politik në zgjedhje. “Qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndërkaq të gjitha masat për të përmirësuar shërbimet konsullore e gjendur sa më pranë çdo bashkatdhetari. Gjithashtu, i informuam për atë çka po bëhet në Shqipëri jo vetëm për t’u përballur me sfidat e kohës, por për të shëndoshur ekonominë dhe zgjeruar mundësitë që kursimet e tyre emigrantët të vinë t’i investojnë në Atdhe.” Më tej, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri theksoi se Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike që u ka kushtuar vëmendje bashkatdhetarëve tanë në Greqi.