Veliaj me shefin e BEI-t: Diskutuam projekte që rrisin vlerën e pronës

106
Sigal

Bashkia e Tiranës po bashkëpunon ngushtë me Bankën Europiane të Investimeve për realizimin e tre projekteve të rëndësishme për qytetin, mes të cilave zgjatimi i Lanës nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar dhe përmirësimi i rrjetit të ujësjellësit, për të siguruar të njëjtin presion uji për gjithë Tiranën. Këto projekte të përbashkëta ishin në fokus të bisedës në takimin që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi me kreun e Divizionit të Bankës Europiane të Investimeve, Matteo Rivellini. Veliaj veçoi si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit projektin e zgjatimit të Lanës, i cili i jep zgjatimin e nevojshëm Tiranës që po zhvillohet. “Në pjesën nga Materniteti i Ri deri në Shkozë është bërë një punë e mrekullueshme. Vetëm rritja e vlerës së pronës nga investimet, nga pastrimi që i ka ndodhur qytetit, nga prishja e ndërtimeve pa leje, nga urbanizimi i zonës dhe sistemimi i skarpatës që shmang përmbytjet te Bregu i Lumit, është e jashtëzakonshme. Qëllimi ynë nuk është të lëmë njeri pa shtëpi, as të dëbojmë njeri, por projektet do të bëhen.”, tha kryebashkiaku Veliaj.