Spartak Ngjela: FBI dhe qeveria e re antikorrupsion

Ngjela: FBI i ka bashkuar dosjet, do të ngrihet qeveria antikorrupsion 

Politikani Spartak Ngjela deklaroi se Shqipëria do të ketë një qeveri antikorrupsion, ndërsa FBI i ka lidhur në një linjë logjike dosjet e fundit hetimore ndaj zyrtarëve të lartë. “Shenjat janë që politika amerikane i ka vendosur në një lidhje logjikë të arsyetuar: çështjen Tahiri; çështjen e fenomenit kanabis në Shqipëri; pushimin nga puna në administratën shtetërore dhe emërimet e reja aty në prag të zgjedhjeve politikë të këtij viti; si dhe implikimin e zyrtarëve të lartë në pushtetin vendor, në qytetet e mëdhenj të vendit, me bandat kriminale”, u shpreh Ngjela. Ai shtoi se e gjithë “kjo tablo sigurisht që shumë shpejt, pas hetimit radikal që po ushtrohet nga FBI në Tiranë, do vijë në përfundimin se qeveria Rama nuk mund të ketë legjitimitet për të drejtuar vendin”. “Por edhe me mendimin e politikës së lartë ndërkombëtarë që, nëpërmjet autoritetit atlantik, Shqipëria të drejtohet nga një qeveri besimi antikorrupsion”, tha Ngjela. Sipas avokatit të njohur, “nëse ky proces do të drejtohet nga politika e SHBA dhe BE, askush nuk mund të kundërshtojë më në Shqipëri, se do ketë mbështetjen e madhe të të gjithë shqiptarëve, që më këtë rast do të pushtohen nga një optimizëm real dhe i vërtetë”. “Duhet të presim rezultatet e hetimit të FBI – së që do të vinë shpejt…”, deklaroi Spartak Ngjela.
NOA