SPAK të hetoi OST dhe KESH-in

399
Sigal

Skandali/ Shqipëria shiti jashtë vendit energji me 20 euro kur në treg ishte 130 euro. Kush i përfitoi miliona euro?! Drejtori juridik i ERE denoncon babëzinë: Duhet të ishin shkarkuar 3 drejtorë dhe ministri i linjës. Zyrat e shtetit kanë 700 mln euro detyrime të papaguara

 

Skandali/ Shqipëria shiti energji me 20 euro kur në treg ishte 130

 Ish-drejtori juridik në Entin Rregullator të Energjisë Elektrike: “Duhet të ishin shkarkuar 3 drejtorë dhe ministrja”

Duhet një hetim dhe për blerjen. Janë sisteme që nuk certifikohen nga asnjë institucion, si bëhen këto tendera, ato mund të paracaktojnë fituesit, me vlera të larta, qoftë nga OST qoftë nga KESH

Ish-drejtori juridik në Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, Eduard Elezi ka folur në lidhje me krizën e paralajmëruar të këtij sektori, dhe skenarët e mundshëm, që i kanosen vendit tonë.

Elezi tha se në vitin e kaluar në vendin tonë është prodhuar një sasi rekord energjie elektrike, pas investimeve të bëra në kaskadën e Drinit, por shitja e tepricave është bërë me një çmim shumë më të ulët sesa tregu.

“Në këto periudha ka një rritje të tarifave të energjisë deri në fund të nëntorit, kjo ndihmuar dhe nga hidrot, që kemi një rënie të nivelit të reshjeve. Kjo është krizë e menaxhimit, pasi ka pasur mbikuotë, në një muaj e gjysëm dolëm në media dhe thamë që nga kaskada e Drinit kishim prodhim kampion. Problemi është që KESH ka shitur një energji me çmim shumë të ulët (20 euro ndërkohë që tregu kishte shifra deri në 130 euro), i takon organeve që të gjejnë se pse u shit me këto tarifa.Tashmë blihen sasi jo të plota, dhe me një çmim deri në 230 euro. Duhet një hetim dhe për blerjen. Janë sisteme që nuk certifikohen nga asnjë institucion, si bëhen këto tendera, ato mund të paracaktojnë fituesit, me vlera të larta, qoftë nga OST qoftë nga KESH. Para se të flasim për krizë duhet të ishin shkarkuar 3 drejtorë, dhe ministrja e linjës, ndërkohë që duhet të ishte paralajmëruar dhe drejtori i Entit Rregullator që është një institucion që vegjeton”,- tha Elezi. Elezi dha disa shembuj të kontratave, që mund të ishin të favorshme për vendin tonë. Eksperti tha se ka disa mënyra sesi shteti mund të hyjë në lojë për të ndihmuar kompanitë e sistemit të energjisë elektrike, qoftë duke ndryshuar zëra në buxhetin e shtetit, duke iu dalë garant në marrjen e kredive, ose duke i dhënë para në formën e borxhit. 3 kompanitë e energjisë në vendin tonë kanë marrë borxhe! Nëse ti merr borxh dhe bën investime të sakta, atëherë ky borxh ia vlen, por kanë bërë investime që thjesht është harxhuar paraja, kjo është pjesë e specialistëve. I është lënë dorë e lirë kompanive që të marrin vendime pa marrë dakordësinë e entit rregullator. Shteti deri në nëntor do të ketë disa kosto. Këto kosto do t’i paguajë qytetari shqiptar në mënyrë direkte. Mendoj se në të gjitha sektorët shmanget ligji dhe të gjitha rastet duhet të hetohen nga prokuroria e posaçme.

Ja si institucionet e shtetit po zhysin në kolaps OSHEE-në, 700 milionë euro detyrime të papaguara

Kriza energjetike pritet të prekë shumë vende, po ashtu edhe vendin tonë, ndërsa ditët e fundit ka pasur debate të shumta lidhur më këtë çështje. Ajo që mësohet është se OSHEE është në një krizë dhe mund të zhytet drejt kolapsit. Por ajo që bie në sy është se vetë institucionet shtetërore janë debitorët më të mëdhenj. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të muajit gusht, detyrimi që konsumatorët privatë dhe shtetërorë i kanë kësaj kompanie arriti në 77 miliardë lekë, ose rreth 700 milionë euro. Një nga borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë institucionet publike. Të dhënat flasin se borxhi në institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, ka shënuar rritje nga viti në vit. Në fund të muajit gusht, detyrimi i tyre ndaj OSHEE, ku përfshihen kryesisht ujësjellësit arriti në masën 20 miliardë lekë, kjo shifër në 2020 ishte 17, ndërsa në 2019, 13 miliardë lekë. Faturat e energjisë së kompanive publike paguhen direkt nga buxheti i shtetit, ndaj ky fenomen është një dëshmi e mungesës së disiplinës në shpenzimet buxhetore. Sa herë këto kompani nuk janë në gjendje të mirë financiare vendosin të mos paguajnë faturat e energjisë dhe të ujit, ndërsa deri më sot askush prej tyre nuk penalizohet. Por, nga ana tjetër nëse një konsumator familjar nuk paguan faturën e energjisë, atij i ndërpritet energjia, ndërsa fillon dhe aplikohen kamatëvonesat.

Importi i energjisë

Në dy vitet e fundit, për shkak të situatës së vështirë hidrike në vend, importet e energjisë elektrike i kanë kapërcyer vlerat e 177 milionë eurove. Të dhënat zyrtare të importeve nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, bëjnë me dije se në vitin 2020, importet e energjisë për periudhën nga janari deri në tetor arritën në 77,5 milionë euro, me një mesatare të çmimit të blerjes së energjisë prej 49,4 euro për megavat orë. Ndërsa, që nga janari deri në tetor të këtij viti, vlera e importeve ka kapërcyer 99 milionë euro. Ndërkohë që çmimi i blerjes ka pësuar luhatje të forta. Sipas të dhënave, çmimi i blerjes së energjisë ka qenë i stabilizuar në 50,5 euro për megavat orë nga janari 2021 deri në qershor, teksa ka pësuar rritje të ndjeshme nga korriku e në vijim. Kështu, në korrik çmimi mestar i importit ishte 107,6 euro/megavat orë, në gusht 128,2 euro për megavat orë dhe në shtator 165 euro për megavat orë. Për periudhën nga 1 tetori deri më 10 tetor, çmimi mesatar i importit të energjisë kapërceu në 216 euro për megavat orë. Çmimet e larta me të cilët po blihet energjia në tregjet ndërkombëtare nga Furnizuesi i Tregut të Lirë ka bërë që shpenzimet të jenë më të larta, në krahasim me vitin e kaluar. Rritja e çmimeve u reflektua që në muajin korrik të këtij viti, ku për disa procedura blerjesh u pagua 134.91 euro/ Mëh apo 129.95 euro/Mëh, nga 40.85 euro/Mëh që kjo energji kushtoi në të njëjtën periudhë të 2020-ës. Rritja e çmimit vijoi edhe gjatë gushtit e shtatorit, duke kulmuar në blerjen e fundit, ku për 1 Mëh u shpenzua mesatarisht 233 euro/Mwh.