Spaho: Kemi vendosur forcat në përfundimin si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend

587
Sigal

“Ne jemi tërësisht të përqëndruar dhe kemi vendosur gjithë forcat në përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend.”- shprehet nën kryetari i PD.

Nga Redjon Shtylla

Në mbledhjen e kësaj të hëne të Kryesisë së PS-së, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ndër të tjera u shpreh për mediat se qeveria ”Rama 2”, zgjedhjet i sheh vetëm në 2021. Nga ana tjetër, opozita politike e ka pikë kyçe të aksionit të përditshëm, qëndrimin ndaj zgjedhjeve të parakohshme. Ndaj dhe ”Koha Jonë”, kontaktoi me nënkryetarin e PD-së, Edmond Spahon, për të mësuar më shumë mbi qëndrimin e opozitës por në veçanti të PD-së. Spaho në prononcimin e tij, flet për dokumentin e Bundestagut gjerman, për të cilin thotë se ka pranuar krizën në vend dhe si rrugë sheh zgjedhjet e parakohshme.

”Bundestagu ka renditur 9 kushte nga të cilat dy kushtet e para lidhen specifikisht me zgjidhjen e krizës politike, ku opozita ka detyrimet e saja të cilat ka pranuar ti japë. Detyrimi i parë është hartimi i Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore po procedon në përputhje me propozimin e opozitës të parashtruar në dokumentin prej 5 pikash të fundit të shtatorit 2019. Po kryhet midis pozitës dhe opozitës, jashtë parlamentit në Këshillin Politik dhe me ndërmjetësimin e ekspertëve të OSBE. Çfarë vendoset në Keshill do miratohet në Parlamentin monist”,-thotë Spaho.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PD-së thekson se forcat e opozitës janë përqëndruar për përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend. ”Çdo qëndrim ndryshe nga çfarë përcaktohet në dokumentin prej 9 pikash të Bundestagut, synon të zvarrisë Reformën Zgjedhore, zbatimin e saj, të thellojë krizën në vend dhe të pengojë hapjen e negociatave me BE-në. Ne e ndjekim këtë çështje me vëmendjen më të madhe dhe në çdo rast do ndërmarrim çdo aksion të mundshëm dhe me të gjitha mjetet në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”,-thotë më tej Spaho.

Prononcimi i plotë i Edmond Spahos

Sikurse të gjithë janë në dijeni, ka një dokument të Bundestagut gjerman i cili është kthyer në dokument të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar.

1-Për herë të parë pranohet kriza e thellë politike, kushtetuese, institucionale, ligjore, ekonomike në të cilën është futur Shqipëria dhe nevoja e zgjidhjes sa më parë të saj.

2-Nevoja për të kryer reforma të prekshme në shumë fusha për të bërë të mundur hapjen e negociatave me BE-në.

Për të dy çështjet Bundestagu ka renditur 9 kushte nga të cilat dy kushtet e para lidhen specifikisht me zgjidhjen e krizës politike, ku opozita ka detyrimet e saja të cilat ka pranuar ti japë. Detyrimi i parë është hartimi i Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore po procedon në përputhje me propozimin e opozitës të parashtruar në dokumentin prej 5 pikash të fundit të shtatorit 2019. Po kryhet midis pozitës dhe opozitës, jashtë parlamentit në Këshillin Politik dhe me ndërmjetësimin e ekspertëve të OSBE. Çfarë vendoset në Keshill do miratohet në Parlamentin monist.

Detyrimi i dytë është zbatimi i Reformës Zgjedhore që do të thotë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë çështje dokumenti i Bundestagut është edhe më i hollësishëm, mbledhja e parë inagurale ndërqeveritare për hapjen e negociatave nuk mund të mbahet pa u miratuar kodi i ri zgjedhor kurse mbledhja e dytë nderqeveritare, e cila praktikisht hap negociatat, nuk mund të mbahet pa u zbatuar kodi zgjedhor që do të thotë nuk mund të mbahet pa u kryer zgjedhjet e parakohshme.

Ne jemi tërësisht të përqëndruar dhe kemi vendosur gjithë forcat në përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend. Çdo qëndrim ndryshe nga çfarë përcaktohet në dokumentin prej 9 pikash të Bundestagut, synon të zvarrisë Reformën Zgjedhore, zbatimin e saj, të thellojë krizën në vend dhe të pengojë hapjen e negociatave me BE-në. Ne e ndjekim këtë çështje me vëmendjen më të madhe dhe në çdo rast do ndërmarrim çdo aksion të mundshëm dhe me të gjitha mjetet në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.