Sot vendoset fati i zgjedhjeve lokale 2015

422
Sigal

Ngjela: Skema e Berishës është e qartë: bojkot parlamentar dhe bojkot i zgjedhjeve vendore të vitit 2015

Sot, është afati i fundit kushtetues  që Presidenti Nishani duhet të shpallë  me dekret  datën e zgjedhjeve lokale të 2015. Është Kodi Zgjedhor që e detyron kreun e shtetit, që të caktojë ditën kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhurit vendorë. Brenda datës 15 dhjetor, Kodi Zgjedhor në nenin 9, përcakton se Presidenti duhet ta shpallë datën jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë, që në rastin konkret i bie 15 shtatori. Presidenti duhet të përcaktojë si ditë të mbajtjes së zgjedhjeve, një nga dy të dielat e fundit të periudhës përkatëse zgjedhore. Ndaj sipas përllogaritjeve, zgjedhjet duhet të zhvillohen në një nga dy të dielat e para të muajit qershor.

Pokeri i Nishanit

 Siç dihet, në bazë të ligjit “ Për ndarjen Territoriale dhe Administrative”  që u miratua në Kuvend  zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor do të bëhen në bazë të 64 njësive të reja administrative që ka përcaktuar ky ligj. Ndaj nuk është harresë që Presidenti Nishani ende nuk e ka shpallur dekretin për datën e zgjedhjeve të pushtetit vendor, por është qartë që, me këtë zvarritje kohore për mos shpalljen e zgjedhjeve vendore, qoftë edhe në limitin e fundit që përcakton Kushtetuta,  luhet pokeri politik i Nishanit, për t’i dalë zot kërkesave të PD-së, për rrëzimin e ligjit “Për ndarjen Territoriale dhe Administrative”.  Siç dihet PD-ja ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që kjo reformë, e miratuar në Kuvend me mbi 84 vota, të shpallet antikushtetuese. Arsyeja është se në PD, ndarja territoriale me 64 njësi vendore, bashki, favorizon elektoratin socialist, ndaj PD-ja pretendon se kjo ndarje e re territoriale dhe administrative e vendit, i jep fitoren në tavolinë maxhorancës. Nishani, shpreson se Gjykata Kushtetuese mund ta cilësojë antikushtetuese këtë reformë, dhe kësisoj, Presidenti të marrë shkas nga ky vendim i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese, për të shtyrë afatin zgjedhor.

Nishani flirt me shkeljen e Kushtetutës

Mirëpo, Kodi Zgjedhor, përcakton,  qartë afatet kohore të dekretimit nga Presidenti të datës zë zgjedhjeve. Brenda datës 15 dhjetor, Kodi Zgjedhor në nenin 9, përcakton se Presidenti duhet ta shpallë datën jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë, që në rastin konkret i bie 15 shtatori. Nëse Presidenti, për çfarëdo arsye, përjashto arsyet madhore, kur Atdheu pëson agresion të jashtëm ushtarak, duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve. Në këtë rast, Nishani qëllimisht dhe me vetëdije, flirton që të shkelë afatet e dekretimit të datës së zgjedhjeve, ku data e fundit është e sotmja, 15 dhjetor. Kjo do të përbënte një shkelje (flagrante) pa precedent të Kushtetutës nga Presidenti. Kësisoj, Presidenti është ai, që, me mosveprim, po acaron edhe më marrëdhëniet e Presidencës me maxhorancën. Kjo shkelje (e mundshme) e Kushtetutës nga Presidenti mund të japë shkak maxhorancës që të kërkojë shkarkimin e tij. Sepse Kushtetuta parashikon që një nga arsyet e shakarkimit të Presidentit është kur ai shkel Kushtetutën me veprim ose me mosveprim.

Ngjela: Skenari i Berishës, bojkoti i zgjedhjeve vendore të 2015

Politikani dhe Av. Spartak Ngjela, në intervistën ekskluzive për “Telegraf” para 2 ditësh, pohoi, që një nga skenarët e bojkotit të tanishëm të PD-së, është që të bojkotojë edhe zgjedhjet vendore të 2015-s. Ngjela pohoi: “Skema e Berishës është e qartë: bojkot parlamentar dhe bojkot i zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Kjo duket se është doktrina aktuale e Partisë Demokratike”. Ndaj edhe vonesa e mosdrekretimit të datës të zgjedhjeve nga Nishani, mund të jetë pjesë e këtij skenari, kur dihet që Nishani është beniamini i Berishës. Afati kohor i zgjedhjeve lokale është kushtetues. Ai duhet të shpall datën. Në se forcat kryesore politike, në konsultim me Presidentin kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve për arsye të përligjura, data e zgjedhjeve shtyhet. Por këtu kjo hipotezë e Kushtetutës nuk qëndron, pasi, njëanshmërisht, është vetëm PD-ja që ka nxjerrë nga sirtari i saj politik, mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve vendore.

Plotësimi i KQZ-së

Maxhoranca pritet të plotësojë KQZ-në  brenda muajit janar. Deri më tani mësohet se ish anëtarët Ilirjan Muho i LSI-së dhe Denar Biba i PS-së pritet të rikthehen sërish te KQZ-ja, ndërsa emri i tretë do të jetë një femër, nga radhët e socialistëve. Por burime nga shumica qeverisëse nuk përjashtojnë as mundësinë e një riformatimi të plotë të këtij institucioni. Pritet, që fill pas plotësimit të KQZ, mazhoranca, të bëjë edhe ndryshime ne Kodin Zgjedhor, kërkesë e përsëriotur deri më tani nga institucioni më i lartë i zgjedhjeve, por edhe një domosdoshnëri, në rast se zgjedhjet do të bëhen sipas ndarjes së re të territorit, që e shohin Shqipërinë në 61 njësi vendore.

Jakup B. GJOÇA