Sot nis sesioni i ri parlamentar, pritet debat mes mazhorancës dhe opozitës! PD shkon në Kuvend me tre grupime të ndryshme

39
Sigal

Sot, nis sesioni i ri parlamentar, ndërkohë që priten përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës të paralajmëruara që në mbledhjen e parë të konferencës së kryetarëve.

Kjo rinisje e punimeve të Kuvendit vjen me ndryshime në grupet parlamentare, me socialistët që do të kenë një drejtues të ri dhe kampet e PD-së që vijojnë të bashkohen disa e të ndahen disa të tjerë mes tyre. PD-ja shkon në Kuvend me tri grupime për shkak të përçarjes së brendshme.

Pas ndryshimeve në statutin e PD, kreu i demokratëve Lulzim Basha është tashmë dhe kryetar i grupit parlamentar, post të cilin më parë e mbante Gazment Bardhi. Por ky i fundit me anë të një reagimi të shtunën është shprehur se nuk i pranon ndryshimet statutore të Bashës.

Nga ana tjetër, është edhe grupim i rithemelimit i kryesuar nga Sali Berisha, i cili i ka lënë të hapur mundësinë për bashkim me Gazment Bardhin dhe deputetëve të tij mbështetës. Por nuk është vetëm situata në Partinë Demokratike ajo çka do të sjellë debate në seancën e re parlamentare.

Ngjarjet e fundit politike, afera e koncensionit të sterilizimit, inceneratorët, por jo vetëm mund të sjellin përplasje dhe akuza mes opozitës dhe mazhorancës. Në pikëpyetje mbetet se me cilin grupim opozitar do të bashkëpunojë mazhoranca sa i përket punimeve për rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndonëse këtu përjashtohet grupimi i Berishës, pasi kanë qenë vetë anëtarët e Partisë Socialiste ata të cilët janë shprehur se njohin vetëm Partinë Demokratike zyrtare.

Një ditë pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD, kryetari i saj, Lulzim Basha mblodhi mbrëmë kryesinë e PD-së. Kreu demokrat, Lulzim Basha pak orë para mbledhjes së kryesisë përcolli mesazhin se “Qëllimi i ekzistencës sonë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre”.

“Arsyeja pse ekzistojmë si forcë politike është që t’ju shërbejmë njerëzve, jo vetes sonë! Qëllimi i ekzistencës sonë është që t’ju ofrojmë shqiptarëve alternativë për qeverisjen e tyre, zgjidhje për problemet e tyre, rrugëdalje për hallet e tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Ky do të jenë udhërrëfyesi në rrugën e re që nisim sëbashku”, shkruan Basha në “Facebook”.

Kujtojme që ditën e shtunë, Kuvendi Kombëtar i PD-së miratoi ndryshimet në statut e PD-së, duke i hapur rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë Kreun e Grupit Parlamentar, post të cilin e mori kryetari Lulzim Basha, duke larguar kështu Gazment Bardhin. Nga ana tjetër, Bardhi ka thirrur të martën një takim me të gjithë deputetët opozitarë.

Mbledhja e tij vjen dy ditë pasi kreu i partisë Lulzim Basha i mori postim nëpërmjet një ndryshimi në Statut gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të shtunën. Ai thekson nevojën e bashkimit dhe unifikimit të opozitës kundër keqqeverisjes së Edi Ramës. Bardhi u bëri thirrje të deputetëve, pa parjashtim, të marrin pjesë në takimin që mbahet më 5 shtator në orën 12:00.

“Në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, në nisje të këtij sesioni parlamentar, do të ndërmarr nismën për thirrjen ditën e martë, datë 5 Shtator 2023, të një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit PDAN, pa asnjë përjashtim”, shkruan Gazment Bardhi.

Deputeti i PD shprehet se “shqetësimi për nevojën urgjente të unifikimit të opozitës bashkëndahet nga çdo deputet që ndien përgjegjësinë për një përballje të unifikuar kundër Edi Ramës”, ndërsa shtoi se “mirëpres pranimin e kësaj thirrje të sinqertë, me qëllimin e mirë të përcaktimit të axhendës dhe strategjisë së përbashkët të të gjithë PD dhe të gjithë opozitës parlamentare”.

Neni 48 i miratuar në Kuvendin Kombëtar i jep kryetarit të partisë, Lulzim Bashës edhe postin e kreut të Grupit Parlamentar.