Prof. Dr. Enver Bytyçi: Skenari i Ramës është ta çojë  Shqipërinë  në luftë civile

378
Sigal

 Vrasja e 25- vjeçarit ndodhi, pasi kryeministri Rama vrau reformën në drejtësi, vrau parlamentarizmin shqiptar, vrau zgjedhjet demokratike, vrau shtetin e së drejtës, vrau së paku verbalisht të gjithë ata që e kundërshtuan, madje dhe studentët

Prof. Dr. Enver Bytyçi, politolog

 

 

 

 

Prof. Dr. Enver Bytyçi, politolog, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke përshkuar ngjarjet e fundit që po tronditin Shqipërinë, pohon se vrasja e 25- vjeçarit, ndodhi pasi kryeministri Rama ka vrarë reformën në drejtësi, parlamentarizmin, zgjedhjet demokratike, shtetin e së Drejtës dhe parlajmëron se Rama do të jetë edhe më i rrezikshëm në 25 prill 2021. Prof. Bytyçi, duke analizuar fenomenin “Rama” pohon se etja e tij për pushtet të pakufijshëm, mund të çojë Shqipërinë edhe në një Luftë Civile. Prof. Bytyçi, krition edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë, të cilët nuk flasin, nuk kritikojnë sjelljet arrogante, shkeljet e ligjit, korrupsionin e kryeministrit Rama, ndaj edhe pyet: Janë edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë të korruptuar? Janë të kapur me ndonjë video? Janë të veshur me tirq, apo me brekë nëpër këmbë?

“Është taktikë e Ramës që kur lëshon policinë kundër qytetarëve, ai ikën njëherë në Vlorë, tjetër herë në Sarandë, a në Stamboll dhe kësaj herë iku në Nju Jork, për t’u takuar me një eksponent të lobit grek në SHBA!…”

– Prof. Bytyçi, ish -Sekretarja e Shtetit e SHBA Allbright, ditët e fundit i bëri thirrje administratës  së re të Presidentit Biden,  se korrupsioni në Ballkan po dëmton institucionet dhe sundimin e ligjit, ndërsa  liderët e  Ballkanit po  kthehen në padronë. A është ky apel i zonjës Allbright edhe për kryeministrin Rama?

– Pikësëpari dua të shpreh kënqësinë time se në Shtëpinë e Bardhë u rikthyen miqtë e shqiptarëve. Në kushtet kur Serbia dhe lobi i saj në SHBA patën marrë një revansh të madh anti-shqiptar, rikthimi i emrave të mëdhenj si Joe Biden është lajmi më i mirë i vitit 2020.

Pjesëmarrjen e zonjës Albright në Komisionin e Jashtëm të Kongresit Amerikan dhe thirrjen e saj për angazhim në vendet e Ballkanit në luftën kundër korrupsionit, e konsideroj si kthesën më pozitive e më serioze në marrëdhëniet e SHBA-ve me vendet dhe shtetet e rajonit tonë. Të gjitha të zezat e shqiptarëve kanë ardhur dhe po i vijnë nga korrupsioni dhe të korruptuarit në pushtet. Të korruptuarit ta shesin atdheun. Kjo u provua edhe në rastin e ndarjes së Kosovës, ku u angazhuan seriozisht të korruptuarit me emra të veçantë si Edi Rama, Hashim Thaçi dhe spiunë të deklaruar e dekonspiruar, si Baton Haxhiu.

Thirrja e Allbright është thirrje për të rrëzuar elitat e korruptuara, në radhë të parë elitën politike në Shqipëri, në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të rajonit tonë. Cilado qeveri amerikane që do të ndërhynte për të eleminuar të korruptuarit në pushtet në vendin tonë e jo vetëm, do të ndihmonte për rivendosjen e plotë të sistemit demokratik të qeverisjes. Duket se adminiatrata e Biden do të fokusohet te ky fenomen, për të luftuar dhe eleminuar këtë kastë politike që mbijeton përmes parave të pista nga korrupsioni me oligarkët, nga trafiqet dhe krimi i organizuar.

“Kryeministri Rama e njeh faktin se nuk do t’i shpëtojë hakmarrjes së shqiptarëve. Pra e di, se më 25 prill, shqiptarët do ta largojnë atë nga pushteti. Por sa më shumë afrohet  25 prilli, aq më i rrezikshëm do të bëhet ai…”

–  Ambasadorja Yuri Kim ditët e fundit po u jep ultimatume politikës në përgjithësi që Gjykata Kushtetuese të ngrihet deri në 31 dhjetor. Sipas jush, pse Ambasadorja amerikane nuk kritikon shkaktarin që pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese?

– Ka javë dhe muaj që përmes ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim, shqiptarët janë vënë në dijeni se ajo insiston në ngritjen e menjëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Së fundmi ajo është angazhuar fuqimisht për këtë, Mendoj se angazhimi i saj nuk ka të bëjë shumë me zbatimin e një kushti-kriter për integrimin e Shqipërisë në BE, por më së shumti lidhet me frikën e saj se “Presidenti Meta “do ta kapë” Gjykatën Kushtetuese”! Deklaratat e saj erdhën menjëherë, pasi një nga personat e skualifikuar për konkurim e çoi çështjen në ankimim në Gjykatë.

Fakti që të gjithë ambasadorët amerikanë, si dhe përfaqësues të tjerë i kanë bërë dhe i bëjnë presion opozitës dhe nuk kanë folur asnjëherë për shkeljet e Edi Ramës është shumë kompromentues.

Le ta konkretizojmë: Më 30 qershor 2019, opozita u paralajmërua se “nëse shkakton incidente ditën e zgjedhjeve, ajo do të shpallej organizatë terroriste”! Ndërsa kryeterroristi në karrigen e kreut të ekzekutivit u lejua të marrë të gjitha bashkitë me 8 % të votave të shqiptarëve! A ka bir nëne ta shpjegojë këtë lloj kurthi dhe këtë skemë komploti jo vetëm kundër opozitës, por edhe kundër demokracisë në Shqipëri?! Dhe e dini pse ndodhi kjo? Sepse në Shtëpinë e Bardhë drejtoi një autokrat. Ambasadorët nuk bënë gjë tjetër, vetëm se përkrahën qëndrimet anti-europiane të Edi Ramës, pse Donald Trump nuk kishte simpati për Angela Merkel! Për të fituar simpatinë e Trump, Edi Rama iu kundërvu asaj që e promovoi si “lider ballkanik”, pikërisht kancelares Merkel! Kjo është e vërteta. Tani me Biden marrëdhëniet SHBA-Europë do jenë ndryshe, më të mira, më të ngrohta. Kësaj marrëdhënieje do ia shohë sherrin Edi Rama.

“Të gjitha të zezat e shqiptarëve kanë ardhur dhe po i vijnë nga korrupsioni dhe të korruptuarit në pushtet. Të korruptuarit ta shesin atdheun. Kjo u provua edhe në ndarjen e Kosovës, ku u angazhuan Edi Rama, Hashim Thaçi dhe spiunë të deklaruar e dekonspiruar, si Baton Haxhiu…”

Shumë herë ambasadorët e akredituar në Tiranë shqetësimin e tyre e ngrenë tek formaliteti i ligjit dhe reformave në Shqipëri, domethënë shqetësohen vetëm për ngritjen formale të institucioneve të reja të Drejtësisë,  dhe jo sa zbatohen  ligjet, sa respektohen standardet e Demokracisë. Marrim shembull, u ngrit SPAK, BKH por Korrupsioni në sferat e larta të qeverisjes nuk është luftuar, ende kemi parlament monist, kemi pushtet vendor monist, kemi reformë Zgjedhore pa konsensus. Përse këta ambasadorë kanë dy fytyra me shqiptarët dhe për Shqipërinë?

– Parimisht ambasadorët e huaj përfaqësojnë interesat e shteteve të tyre në Shqipëri. Pa një marrëdhënie të mirë me qeverinë dhe institucionet e qeverisjes, ata nuk mund t’i realizojnë këto interesa. Edhe suksesi ose mossuksesi i tyre matet me këtë kriter. Por nuk pritej që përshembull, ambasadori i Bashkimit Europian, t’i bashkohet këtij kori që ushqen formalizmin, por jo substancën e demokracië. Ai nuk përfaqëson interesa të ndonjë vendi të caktuar. Ai është kujdestar dhe vëzhgues i zbatimit të demokracisë dhe demokracia nis me zgjedhjet demokratike dhe me funksionimin e kësaj demokracie në parlament.

Kam përshtypjen se dy ambasadorët e fundit të BE-së në Tiranë, si edhe ai i OSBE-së me “gisht në gojë” që iku, i kanë bërë dhe i bëjnë fresk 24 orë në 24 kryeministrit Rama. Qëndrimin e tyre unë nuk e shpjegoj me interesat e Brukselit. Dhe nëse nuk shpjegohet me këtë, atëherë na lind e drejta ta interpretojmë: Janë dhe këta të korruptuar? Janë kapur me ndonjë video? Janë të veshur me tirq, apo me brekë nëpër këmbë?! Jam i sigurt se ata e dinë vetë cila është arsyeja pse mbështesin deri ndryshime kushtetuese nga një parlament ilegjitim, e për më tepër me 18 deputetë më pak! Pse duartrokasin prishjen e marrëveshjeve me opozitën nga ana e Edi Ramës! Pse nuk flasin kur pushteti dhe policia ushtrojnë dhunë, ndërkohë që akuzojnë kundërshtarët e regjimit në pushtet pse dogjën një pemë dekorative?! Janë shumë enigma, të cilave vështirë t’u gjendet fija. Ambasadorët kryesorë fatkeqësisht kanë manipuluar, duke folur për ndëshkimin e “peshqve të mëdhenj”, e më pas kur në rrjetë kanë rënë cironka dalin dhe përshëndesin SPAK-un, policinë apo prokurorinë! Me këto qëndrime janë bërë të pabesueshëm në atë masë sa e pabesueshme është qeverisja e Edi Ramës!

“Duket se administrata e Biden do të fokusohet te fenomeni i korrupsionit në Ballkan, për të luftuar dhe eleminuar këtë kastë politike që mbijeton përmes parave të pista nga korrupsioni me oligarkët, nga trafiqet dhe krimi i organizuar…”

– Zoti Bytyçi, vrasja e 25 -vjeçarit është veprim i papërgjegjshëm i një polici? (Apo është mentaliteti i pushtetit të kryeministrit Rama?)

– Vrasja ndodhi më 8 dhjetor, Ditën e Rinisë, ditën e protestave të Studentëve të Dhjetorit 1990. Vrasja ndodhi, kur Edi Rama u largua nga Shqipëria pa asnjë agjendë serioze, pa asnjë shkak madhor, thjesht për propagandë. Vrasja ndodhi nga një polic militant i partisë në pushtet, madje i afërm i një ish-ministri të ‘Rilindjes’. Ajo vrasje u krye kundër një djali që kishte ardhur me familjen nga Dibra në Tiranë. Dhe më e keqja, policia dhe shteti bëri përpjekje për ta manipuluar ngjarjen, për ta etiketuar viktimën si “terrorist” (të armatosur), madje dhe si person “me precedent penal”, ose me probleme mendore.  Për këto arsye atë vrasje nuk e bëri pistoleta e shtetit, siç thotë kryeministri, por e bëri vetë shteti. Unë dyshoj se ka motive të qarta politike, sepse kjo vrasje u krye Ditën e Rinisë, kur përkujtohej qëndresa për rrëzimin e komunizmit, datë që bën thirrje për rrëzimin e regjimit të sotëm. Mund të jem gabim, por është taktikë e Ramës që kur lëshon policinë kundër qytetarëve, ai ikën njëherë në Vlorë, tjetër herë në Sarandë a në Stamboll dhe kësaj herë iku në Nju Jork për t’u takuar me një eksponent të lobit grek në SHBA! Kur ikën kryeministri Rama, le pas katastrofën, tmerrin, vrasjet! Dhe e gjitha kjo, për t’u kthyer e për të bërë rolin e krokodilit! Fatkeqësisht, ka ende njerëz që sensibilizohen nga lotët e tij prej krokodili!  Por e sigurt është se vrasja ndodhi, pasi kryeministri i Shqipërisë vrau reformën në drejtësi, vrau parlamentarizmin shqiptar, vrau zgjedhjet demokratike, vrau shtetin e së drejtës, vrau së paku verbalisht të gjithë ata që e kundërshtuan, madje dhe studentët, si qenia më e pafajshme e shoqërisë njerëzore! Vrasja e shpresës së shqiptarëve nuk është më hipotezë, është realitet. Zbrasja e qëllimshme e Shqipërisë nuk është më hipotetike, është një vepër kriminale e kryer nga qeveria në pushtet! Vrasja e Klodian Rashës ishte epilogu. Prandaj rinia është e revoltuar dhe proteston. Kryeministri dhe Ardi Veliu kanë lëshuar policinë dhe forcat militante të ndërhyrjes së shpejtë të ushtrojnë dhunë kundër rinisë që proteston. Sa më thellë t’i shkojnë kësaj qasje, aq më i trishtë do të jetë fundi i tyre!

“Fakti që të gjithë ambasadorët amerikanë, si dhe përfaqësues të tjerë i kanë bërë dhe i bëjnë presion opozitës dhe nuk kanë folur asnjëherë për shkeljet e Edi Ramës është shumë kompromentues…”

– Si do ta karakterizonit sjelljen e kryeministrit Rama? Dy ditët e para të vrasjes, jo vetëm heshti, por bënte shoping nëpër dyqanet e Nju Yorkut, ndërsa dje kur foli, fajin ua hodhi protestuesve që kanë dhunuar policët dhe bëri fajtor Presidentin e Republikës dhe kryetarin e Opozitës, si nxitës të dhunës kundër qeverisë dhe institucioneve?

-Kryeministri iku, duke lënë pas tmerrin e kësaj vrasjeje. Heshti, sepse ishte i zënë me shoping në Nju Jork, Ishte i zënë dhe me disa punë ashtu, “Se si të zgjidhej halli për t’u afruar me Joe Biden”!  Se deklarata kundër Trump e vitit 2016 iu kthye në makth deri në atë masë sa “do të ndiqte dita ditës politikën e presidentit në largim të SHBA-së, me qëllim që t’i binte në sy atij. Madje e mbështeti para tri vitesh Trump edhe për kritikat e tij ndaj vendeve të BE-së. Ai foli, pasi u kthye nga SHBA-ja. Kjo ndodhi me siguri, sepse nuk kishte mirëkuptimin e Sandër Lleshit për dorëheqjen e këtij të fundit. U desh të vinte në Tiranë, ta thërriste, t’i bënte presion dhe t’ia merrte dorëheqjen, me qëllim që të shpëtonte veten dhe Ardi Veliun, i cili i duhet në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.  Sakrifikoi Sandrin për të zgjatur pushtetin e tij.  Pastaj doli dhe tha fjalët më të mira për ish-ministrin. Sepse e realizoi atë që deshi. E përdori disa herë. E rrëzoi edhe teatrin me fuqinë e Sandrit dhe në fund i tha: “Ik ti se duhet të shpëtoj unë! Por që unë të jem i sigurt, më duhet ta shpëtoj edhe Ardi Veliun!” Kjo është e vërteta. Të gjitha ato që tha në fjalën e tij, janë sajesa për të gënjyer shqiptarët! Ndërkaq Rama është mjeshtër për ta transferuar fajin te ata që nuk kanë lidhje me ngjarjen. Këtë bëri dhe do ta bëjë edhe në ditët në vazhdim. Vetë atakon presidentin Meta, ndërsa ndërsen Taon të flasë kundër kreut të opozitës! Zoti Basha bën mirë që nuk i përgjigjet Taos, sepse ndryshe do binte në lojën e Ramës për të vënë shenjën e barazimit midis Tayota-s dhe kreut të opozitës shqiptare! Mendoj se qytetarët shqiptarë tashmë e kanë të qartë se manipulimet e kryeministrit janë bërë shumë bajate!

“Kam përshtypjen se dy ambasadorët e fundit të BE-së në Tiranë, si edhe ai i OSBE-së me “gisht në gojë” që iku, i kanë bërë dhe i bëjnë fresk 24 orë në 24 kryeministrit Rama. Janë dhe këta të korruptuar? Janë kapur me ndonjë video? Janë të veshur me tirq, apo me brekë nëpër këmbë?!…”

– Çfarë tregon revolta e protestuesve këto ditë?

– Akumulim. Nuk e di nëse e lexon kështu këtë revoltë kryeministri. Por kjo që po ndodh nuk ka paralele. as me qeverinë e Ramiz Alisë, as me vitin e mbrapshtë 1997. Në vitin 1997 ishin bandat e PS-së, përkatësisht të ‘Rilindjes’ dhe Edi Ramës, ato që vranë punonjësit e shtetit. U vranë 9 punonjës të SHIK në Vlorë. U vranë dhe masakruan të tjerë në Sarandë. Ndërkaq shteti, policia nuk ka vrarë asnjë bandit e protestues të asaj kohe. Asnjë! Një protestues që u vra në Vlorë, ende nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja! Vërtet shteti u shkërmoq. Por u shkërmoq edhe për shkak se shteti nuk nxiti policinë të vrasë njerëz. E pësuan dhunën e banditëve gjithashtu eksponentë të pushtetit, por prapë nuk u vra njeri as nga policia, as nga forcat e ndërhyerjes së shpejtë! U vranë në anarki me qindra njerëz, por ende nuk është përcaktuar përgjegjësia e shtetit dhe e opozitës së asaj kohe, e cila merrte në mbrojtje dhe mbrohej vetë nga bandat dhe komitetet! Sot kemi një qasje krejt tjetër. Arrestohen gazetarë, tërhiqen zvarrë të rinj, studentë e njerëz të pafajshëm. Janë ngritur akuza e padi për dhjetra persona. Të gjitha këto vetëm se e shtojnë urrejtjen. Për pasojë urrejtja shtohet dhe  ku ka urrejtje, ka edhe dhunë. Dhuna aktualisht qëndron në duart e policëve militantë të Edi Ramës dhe Ardi Veliut. Por nëse vazhdon kështu, dhuna do të prodhojë dhunë dhe shqiptarët mund shohin ditë të zeza deri në atë masë sa ta quajnë një mrekulli të zotit atë që ndoodhi në vitin 1997.

Edhe sa i përket ngjarjes së 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues, nuk ka të krahasuar, siç u përpoq spiuni Baton Haxhiu ta shpjegojë vrasjen e të riut Klodian Rasha. Më 21 janar vrau garda e Republikës, jo policia, megjithëse policia ishte provokuar në atë masë sa të qëllonte pa paralajmërim. Grupi i zjarrit i gardës drejtohej nga kreu i sotëm i Partisë Socialiste për rrethin e Matit. Kush ma shpjegon, pse u mor në detyra partiake ky person? Çfarë meritash kishte ai, përveçse vrasjen e katër protestuesve, që Rama i çoi si mish për top në dyert e godinës së kryeministrisë?!

“Lufta civile mbulon gjithçka. Me këtë ai justifikon jo vetëm ikjen nga pushteti, por edhe vazhdimin e drejtimit në Partinë Socialiste. Nëse ikën paqësisht nga vota e qytetarëve, ai vihet nën presion për ta lënë detyrën e kryetarit të PS-së. Por njëkohësisht vihet në objektivin e ndëshkimit ligjor…”

– Prof. Bytyçi, ju mendoni, se me sjelljet e fundit të pushtetit dhe kryeministrit Rama, i kemi parë të gjitha, (çfarë mund të bëjnë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë)?

– Kryeministri Rama e njeh faktin se nuk do t’i shpëtojë hakmarrjes së shqiptarëve. Pra e di se më 25 prill shqiptarët do ta largojnë atë nga pushteti. Por sa më shumë afrohet 25 prilli, aq më i rrezikshëm do të bëhet ai. Qofsha i gabuar, por unë besoj se ai ka një skenar. Skenari i tij është ta çojë vendin në luftë civile. A nuk e keni parë si e manipulon opinionin, pse thyhen pesë xhama të zyrave të pushtetit?! Nëse ndodh kjo, ai mendon se do të imponojë një marrëveshje “pajtimi”, me të cilën do t’i bëhet atij amnisti për korrupsionin e lartë dhe krime e shkelje ligjore të panumërta gjatë qeverisjes. Këtë amnisti ai e ka kërkuar në rrugë të ndryshme. Por askush nuk është i gatshëm t’ia ofrojë. Lufta civile mbulon gjithçka. Me këtë ai justifikon jo vetëm ikjen nga pushteti, por edhe vazhdimin e drejtimit në Partinë Socialiste. Nëse ikën paqësisht nga vota e qytetarëve, ai vihet nën presion për ta lënë detyrën e kryetarit të PS-së. Por njëkohësisht vihet në objektivin e ndëshkimit ligjor. Shumë agjenci informative në Europë, shumë qarqe të caktuara të zbulimeve perëndimore janë të gatshme të japin të dhëna për korrupsionin e zotit Rama. Në kushtet e një përplasjeje civile në Shqipëri, këto nuk do të vepronin, sepse situata e tensionuar këtu mund t’i bënte ato të heshtin. Të gjitha këto përbëjnë një rrezik serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ambasadorët kryesorë kanë manipuluar, duke folur për ndëshkimin e “peshqve të mëdhenj”, e më pas kur në rrjetë kanë rënë cironka! Janë bërë të pabesueshëm, sa e pabesueshme është qeverisja e Edi Ramës!…”

– Dje eurodeputeti Lega dhe eporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian tha për krerët e politikës shqiptare: “Të mos kujtojë se po na i hedhin” ndërsa Eurodeputeti Thomas Ëaitz tha:”Rama është jopopullor, gjithnjë e më shumë autoritarist”!  Cili është mesazhi i Eurodeputetëve për shqiptarët?

– Fatkeqësisht europianët e kanë njohur tashmë Ramën. Jo vetëm stilin e tij autokratik të drejtimit në qeverisje, por edhe veset e tij deri në perversitet. E kanë njohur shumë mirë edhe amerikanët. Disa vite më parë një personalitet i opozitës, ankohej në Stej Departament për autoritarizmin e Ramës dhe për disa orë u dha shumë fakte. Ata e dëgjonin, por nuk mbanin shënime. Në fund përfaqësuesi i opozitës i pyet se pse nuk mbajtën asnjë shënim. Përgjigja ishte: -Të gjitha sa na the e të tjera që nuk na i thatë, ne i dimë më mirë se ju! Pra, nuk duhet menduar se në BE e SHBA ka budallenj që nuk e njohin kryeministrin e Shqipërisë. E njeh shumë mirë dhe zonja Kim. Arsyet pse nuk reagojnë, ose kohën, kur ata mund të reagojnë e dinë vetë!

– Prof. Bytyçi, ngjarjet e ditëve të fundit, na treguan se dorëheqja e një ministri të qeverisë së Ramës u imponua nga gjaku që u derdh. Mendoni se periudha deri në zgjedhjet e 25 prillit do të rrjedhë e qetë?

– Ne shqiptarët, por edhe partnerët dhe miqtë tanë në Europë e SHBA do të duhet të përgatitemi për më të keqen. Europianët dhe amerikanët mund ta parandalojnë atë. Shqiptarët nuk kanë gjë në dorë, përveçse vetëmbrojtjen nga dhuna policore e shtetërore e ridimensionuar qëllimshëm në këto kohë të trazuara!

– Faleminderit!

//Gazeta “Telegraf”