Skandali tek infektivi: Babai vdiq, por i vodhën lekët dhe llogarinë

48
Sigal

Denoncimi/ Pas skandalit të sanitares tek sanatoriumi, djali i një pacienti denoncon abuzimin që ka ndodhur me babanë e tij, i cili u shtrua në Infektiv në 22 dhjetor dhe ndërroi jetë në 27 dhjetor. Bashkë me portofolin me paratë, kishte edhe kartën bankare me kodin. Në datën 25 dhjetor u fut në intubim dhe pikërisht në atë ditë janë tërhequr nëpërmjet kartës paratë që kishte bankomati si dhe paratë e kuletës.

Pas sanitares Tire Alldervishi që punonte në spitalin Covid 2 e cila zhvati nga paratë vajzën e një pacienteje me koronavirus, një tjetër rast abuzimi ka ndodhur në Spitalin Infektiv. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin Covid 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol. Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë Lekë të vjetra, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit, së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit. Bëhet fjalë për datën 25 dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Punonjësit e spitalit Covid 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait. Ai vuri re se brenda portofolit mungonin 200 mijë Lekë të vjetra, por kishin mbetur vetëm 2 mijë Lekë të vjetra. Edhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin pin mungonte.