Një skandal ka përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit. Një koment i shkurtër i transmetuar tek “Zëri i Amerikës”, çoi në shkarkimin e Drejtorit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. VOA ka publikuar urdhrin në të cilin thuhet se një intervistë e Ardian Koçi më datë 12 shkurt, pa lejen e eprorit, është bërë shkak për shkarkim.
Ish-drejtori e quan vendimin të padrejtë, por në një farë mënyre të pritshëm, pasi i kishin bërë presion edhe më parë për ta larguar nga puna.
“… ju keni dhënë një intervistë për shtyp për median Zëri i Amerikës, publikuar në faqen web www.zëriamerikës.com, në datën 12 shkurt 2023, për të cilën Ju nuk keni njoftuar dhe nuk keni marrë një miratim nga Eprori…”,- thuhet ndër të tjera në vendimin e shkarkimit nga detyra.
Ardian Koçi njihet dhe është vlerësuar për detyrën dhe përkushtimin për zbatimin e saj, gjatë këtyre 10 viteve si drejtor i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Më 8 mars 2023, ka qenë dita e fundit e tij në detyrë.
“Pas gati 10 vjet punë, si drejtor i institucionit përgjegjës për administrimin dhe monitorimin e Zonave të Mbrojtura Fier, sot më ndërpriten padrejtësisht marrëdhëniet me punën. Shkaku është sa qesharak aq edhe absurd”, -shkroi ai në lajmërimin e shkarkimit nga detyra.


















