INTERVISTA/ Superiorja dhe Kategoria e Parë, flet për “Telegraf” specialisti i futbollit Agim Canaj
Nga Agron KAJA
“Ky kampionat ka treguar se të gjitha skuadrat kanë oshilacione dhe janë jo të stabilizuara. Besoj se faza e katërt do të luhet pikërisht për skuadrën kampione dhe dy për të tjerat që do të luajnë në Europë. Fundi do sjellë edhe ndonjë surprizë”
Dje u luajtën tre ndeshje të javës së 25-të në Superiore. Cilën prej tyre e mendoni se kishte të papritura dhe cili ishte rezultati logjik?
Mendoj se të tria ndeshjet ishin të vështira, si për skuadrat vendase, ashtu edhe ato udhëtuese. Do veçoja fitoren e pastër të Kukësit, që ishte e pritshme, ndërsa Teuta mendohej të fitonte me Kastriotin. Erzeni-Egnatia ishte e bukur për golat, jo te niveli i lojës.
Për dy skuadrat e fundit të renditjes, duket se këto rezultate i pozicionuan më seriozisht në fundin e tabelës së renditjes?
Nga këto ndeshje mendoj se dy vendet e fundit sikur po “zbardhen” nga java në javë, dhe rezultatet e tyre e bëjnë më evident rrezikun e rënies nga kategoria. Për këto skuadra ka disa ndeshje që po tregojnë vështirësi që të marrin tri pikë.
Luhen dy ndeshjet e fundit sot. Cciftin Vllaznia-Partizani e mendoni si një kryendeshje për kreun e renditjes?
Të dyja këto janë ndeshje që përplasin tre skuadrat e kreut në tabelën e renditjes. Në dukje mund të favorizohen skuadrat vendase, por unë të dyja i quaj sfida të forta dhe të vështira dhe Vllaznia-Partizani si kryendeshje të kësaj jave të 25-të. Partizani skuadër e padeshifrueshme, Vllaznia ka luhatje. Të dyja të tregojnë limitet që kanë.
Është shpejt për një parashikim në të dy kahjet e renditjes së Abissnet Superiore?
Ky kampionat ka treguar se të gjitha skuadrat kanë oshilacione dhe janë jo të stabilizuara. Besoj se faza e katërt do të luhet pikërisht për skuadrën Kampione dhe dy të tjerat që do të luajnë në Evropë. Ndërkohë që për skuadrat e fundit të renditjes do të luftohet për largimin nga vendi i tetë.
Sot edhe Kategoria e Parë luan gjashtë ndeshje të javës së 19-të. Prisni ndonjë suprizë?
Kalendari duket se favorizon më shumë tre skuadrat e kreut të renditjes, por unë mendoj se edhe ndeshjet e tjera do të sjellin rezultate interesante. Do jetë javë e surprizave, por që do ta formatojë më qartë tabelën e renditjes, kryesisht në vendet e para.
Jeni një ish-dinamovit, si ndjeheni që Dinamo luan prej vitesh në Kategorinë e Parë?
Dinamo ka patur një ngërç dhe unë nuk ndjehem mirë që luan në Kategorinë e parë. Jam nostalgjik dhe dua që të jetë e para skuadër që do ngjitet në Superiore. Edhe Flamurtarin do ta doja në Superiore, por do të jetë një “tre-dhëmbësh” për dy vendet e para.
Fakti që në këtë kategori luajnë edhe Flamurtari, Skënderbeu, Besa, Tomori, Lushnja, Apolonia e Besëlidhja, mos është një “Superligë-inferiore”?
Eh, kjo është një “sëmundje” e cila ka më shumë se 25 vite që e ka kapur këtë kategori skuadrash. Janë shumë faktorë, por unë më shumë do të thoja se mbijetesa ndaj ekonomisë së tregut ka sjellë vështirësi për këto skuadra. Ndërsa po të kapim traditën, Kategoria e Parë ia kalon edhe Superiores.
Cilat skuadra i vendosni si pretendente për titullin kampion në Kategorinë e Parë?
Tani janë tre skuadra që po shfaqen si pretendente për titull kampion, dhe vendin e dytë që i çon në Abissnet Superiore. Unë mendoj se dy vendet e para do ndahen mes Dinamos, Skënderbeut e Flamurtarit. Të treja janë të denja.
Në këtë sezon, si është dukur niveli në këto dy kategori të futbollit shqiptar?
Niveli i Superiores le shumë për të dëshiruar, sepse klubet shqiptare të futbollit ndodhen në situata jo të mira ekonomike. Këto oshilacione janë dukuria kryesore që vijnë nga ekonomia dhe ku diferencat mes skuadrave janë të vogla.
Abissnet Superiore
Java e 25-të
Dje, datë 10 mars 2023
Kukësi-Bylis 2-0
Kastrioti-Teuta 0-0
Erzeni-Egnatia 2-1
Sot, datë 11 mars 2023
Vllaznia-Partizani 17:00
Tirana-Laçi 17:00
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Partizani 24 40
2.Tirana 24 40
3.Egnatia 25 37
4.Vllaznia 24 36
5.Kukësi 25 34
6.Erzeni 25 33
7.Teuta 25 33
8.Laçi 24 30
9.Bylis 25 27
10.Kastrioti 25 24
Kategoria e parë
Java e 19-të
Sot, datë 11 mars 2023
Skënderbeu-Tomori 13:00
Lushnja-Korabi 13:00
Besa-Turbina 13:00
Oriku-Besëlidhja 13:00
Burreli-Luzi 2008 13:00
Tërbuni-Flamurtari 13:00
Nesër, datë 12 mars 2023
Dinamo-Apolonia 13:00
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Flamurtari 18 35
2.Dinamo 18 34
3.Skënderbeu 18 34
4.Korabi 18 29
5.Tomori 18 27
6.Besa 18 24
7.Apolonia 18 22
8.Luzi 2008 18 22
9.Burreli 18 22
10.Tërbuni 18 21
11.Lushnja 18 18
12.Oriku 18 18
13.Turbina 18 18
14.Besëlidhja 18 15
Kategoria e parë
Nevil Dede për Dinamon: E meriton Superioren
Sot do të luhen gjashtë, nga shtatë ndeshjet e javës së 19-të në Kategorinë e Parë. Situata në renditjen që kanë skuadrat i bën edhe më interesante këto sfida. Njera prej tyre është edhe ajo e ditës së dielë, Dinamo-Apolonia, për të cilën ish-trajneri dinamovit Nevil Dede mendon se ish-skuadra që ai e drejtoi në 17 javë do t’ia dalë në fund për ta arritur objektivin.- “Mendoj se Dinamo i ka mundësitë dhe kapacitetet që në fund të jetë në dy vendet e para që shkojnë direkt në Abissnet Superiore. Tre ndeshjet e radhës: me Apoloninë, Flamurtarin e Korabin do të vendosin shumë për objektivin”. Ndërsa për ndeshjet e tjera, Dede thekson se janë të vështira të gjitha. “Duke ju referuar renditjes që kanë skuadrat dhe synimeve të tyre, të gjitha ndeshjet e tjera janë të vështira. Mendoj se nuk do ketë favoritë, por do fitojnë skuadrat që do gabojnë më pak gjatë lojës”.
Broja, fanelë me dedikim për Kryeministrin
Pas operacionit në gju, sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, është ende në rikuperim. Ai pritet të rikthehet sezonin tjetër në fushën e lojës, por këto ditë ka tërhequr vëmendjen me një surprizë të veçantë për Edi Ramën. Sulmuesi shqiptar i ka dërguar Kryeministrit një fanellë të tij te Çelsi me numur 18, por me një dedikim: “Falenderim për gjithçka që bëni për shqiptarët”, -shkruan Broja në shpinën e fanelës së tij. Ndërkohë që Kryeministri e postoi dhuratën e Brojës në Facebook dhe i uron shërim të shpejtë.
Koment/ Më 27 mars starton rrugëtimi kuqezi në Europian. Shqipëria pa miqësore
Kombëtare e “andrruar” për sfidën kundër Levandovskit
Nga Agron Kaja
“Kemi Uzunin që po luan dhe shënon rregullisht me Granadën në La Liga 2 të Spanjës, dhe po kështu edhe Cikalleshin, që po luan sistematikisht me Al Khaleej të Arabisë Saudite. Por, sa do të mjaftojnë këta për 27 marsin në Varshavë?!”
Tri javë para sfidës me Poloninë në eliminatoret e Grupit E të Europianit të futbollit, nuk ka ndeshje miqësore për Kombëtaren tonë! Ky ishte lajmi që ndoshta vetëm trajneri Silvinjo nuk do ta dëshironte, pse jo edhe atmosfera shqiptare kuqezi. Sepse ai tashmë, që nga muaji nëntor që zyrtarizoi marrëveshjen për ta drejtuar Kombëtaren tonë, vetëm teorikisht, ose virtualisht mund ta ketë përfytyruar skuadrën që do të hedhë në fushë më 27 mars në Varshavë, atje ku Levandovski me shokë presin që të marrin tri pikët e para. Madje edhe në përfytyrimin e tij ai do të ketë shumë dilema, nga porta deri te sulmi. Të dy portierët, si Berisha ashtu edhe Strakosha, nuk kanë qenë aktivë me skuadrat e tyre dhe drejt Polonisë ata do të duhet të shkojnë ende pa një “nxemje”! Ndoshta ndonjë alternativë e tretë edhe mundet të jetë menduar, por do të duhet të luajë me rezervat përballë një ish-Këpuce të Artë që golin e ka në AND-në e tij. Edhe mbrojtja e ka një problem, sepse Kumbulla më shumë ka qenë alternativë e dytë për Murinjon, por edhe kur është bërë pjesë e skuadrës minutazhi i tij në fushë ka qenë me “pikatore”. Ndoshta goli që ai shënoi në Europa Ligë kundër Real Sociedad do ta forcojë edhe më shumë repartin difensiv. Ndërkohë që Hysaj, Ismajli e Gjimshiti kanë qenë më aktivë me skuadrat e tyre, dhe këtu le të themi se kemi diçka më të sigurtë me prapavijën. Mesfusha është e mbipopulluar, por edhe këtu Asllani vjen pasi minutat me Interin i ka patur të pakta, aq sa vetë trajneri Inzagi duket se e ka si alternativë të tretë. Gjasula dhe Bare kanë muaj në “pit stop” si të dëmtuar dhe stafeta i mbetet Bajramit në këtë repart. Po sulmi? Ndoshta këtu mbetet edhe mangësia më e madhe. Kemi Uzunin që po luan dhe shënon rregullisht me Granadën në La Liga 2 të Spanjës, dhe po kështu edhe Cikalleshin që po luan sistematikisht me Al Khaleej të Arabisë Saudite. Por, a mjaftojnë? Natyrisht që jo, dhe kjo përforcohet kur Broja ka katër muaj i dëmtuar dhe ende nuk është riaftësuar për në fushë, dhe jo të jetë i gatshëm për Poloninë. Vetë trajneri u takua me të javën e shkuar dhe sipas tij e përqafoi, po në fushë cilin do të “përqafojë” në mungesë të tij? Edhe Rei Manaj është në ajër dhe në këtë prag të eliminatoreve vjen me shumë pak minuta në këmbët e tij. Po citoj një deklaratë të trajnerit Silvinjo, e cila më shumë se sa emrat e rinj, që duhet të sjellë për këtë ndeshje, tregon se si do përzgjedhë talentet e së ardhmes! Po, do të ketë emra të rinj. Prej dy muajsh këtu kam parë ndonjë ndeshje dhe mund të them që lojtarë të mirë ka gjithandej, por nuk dua të përmend emra. Është një lojtar te Partizani, i cili më pëlqen shumë. Gjithmonë ka lojtarë dhe ne duhet t’i shohim, ndaj vendosa që të jetoj këtu, mendova që punën ta zhvilloja këtu. Puna nis nga këtej dhe theksoj që kam të evidentuar 2-3 lojtarë këtu, të cilët ndoshta në të ardhmen mund të zhvillohen dhe të bëhen lojtarë të mëdhenj …”. Por, a mund të përgatitet skuadra kështu? Natyrisht që nuk është faji i tij për këtë situatë, por kjo do të ndikojë në premierën e tij të parë në stolin kuqezi, sepse do të ketë një Kombëtare të “andrruar” për sfidën kundër Levandovskit? Të presim 27 marsin, takohemi në Varshavë!
Formacioni i “TELEGRAF”
1-4-4-1-1
Berisha? (Strakosha)?
Hysaj Gjimshiti Kumbulla Ismajli
Abrashi Bajrami Ramadani Çekiçi
Uzuni
Cikalleshi
Kampionati Evropian i futbollit, Gjermani 2024
Ndeshjet e Shqipërisë
Gruoi E
Datë 27 mars 2023
Poloni-Shqipëri 20:45
Datë 17 qershor 2023
Shqipëri-Moldavi 20:45
Datë 20 qershor 2023
Ishujt Faroe-Shqipëri 20:45
Datë 7 shtator 2023
Rep. Çeke-Shqipëri 20:45
Datë 10 shtator 2023
Shqipëri-Poloni 20:45
Datë 12 tetor 2023
Shqipëri-Rep. Çeke 20:45
Datë 17 nëntor 2023
Moldavi-Shqipëri 20:45
Datë 20 nëntor 2023
Shqipëri-Ishujt Faroe 20:45