Skandali i TIMS në polici

Ekspertët teknik dhe juridik: Paguajmë miliona për tu mbrojtur nga sulmuesit, por vidhemi nga ata që duhet të na mbrojnë. Të mblidhet këshilli i sigurisë kombëtare

Skandali me të dhënat e Sistemit TIMS, Progni: Pse AMP lajmëroi dje?

Sigal

Nga Gent Progni

Në 29 mars, këtë vit, në media doli lajmi si Gjykata e Tiranës dënoi dy ish-zyrtarët e IT të Drejtorisë së Tatimeve, Eni Qirjakon me Andi Agarajn, për shpërdorim detyre se nxorën të dhënat e pagave të 630 mijë shqiptarëve nga databaza e “Sistemit Cats” të Tatimeve dhe i shitën. Sa u dënuan pas dy vjet hetimesh? Eni Qirjako me 32 muaj shërbim prove, Andi Agaraj me 4 vjet shërbim prove. Shefi i tyre, Ervin Muça, nuk u prek fare, as nuk u akuzua se, “s’dinte gjë”. Ja sa e thjeshtë është me shpëtu pa u lagur po vodhe serverat e Tatimeve, pastaj ato të Policisë së Shtetit kur ke drejtor Ervin Muçën. Nuk të gjen gjë, s’të prek shteti, as gjykata. Nuk bën hiç burg, maksimumi ca shërbim prove me punë detyruese pastron Lanën. Shërbimi i provës me mbikëqyrje elektronike ka dalë nga loja, ka shtatë vjet që s’funksionon fare që kur tenderin për byzylykët elektronikë e fitoi “Soft & Solution” e Ermal Beqirit, shefit të Ervin Muçës. Media dha alarmin në janar 2022 kur doli lista me paga që u shpërnda dhe u bë virale brenda ditës me WhatsApp. Doli dhe lista me 900 mijë numra celulari dhe një me 530 mijë targa makinash. Prokuroria dhe policia u ngrit në këmbë me konferenca shtypi, sepse opinioni publik u nxeh shumë nga kjo rrjedhje të dhënash. Duhej një zgjidhje që të mos prekeshin autorët e vërtetë, Muça me shefat lart tij. U “kapën” dy autorët që nxorën listën e pagave të Tatimeve. Ata pranuan fajin dhe u bënë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe me kaq skandali u mbyll. Shërbim prove 32 muaj për Qirjakon dhe 4 vjet shërbim prove për Agarajn. Punonjësit e Tatimeve e dinin të vërtetën kur vinin hetuesit, por asnjë nuk foli. Nuk foli njeri pse dhe si ndodhi, por u mbajt versioni “u shitën” për 200 mijë lekë të dy tipa që i donin për punë biznesi kredie përmbarimi. Eni Qirjako, nga frika, kur e arrestuan në fillim tregoi në polici të vërtetën: “Kam njoftuar drejtorin Ervin Muça se emri i user-it nga i cili kanë dalë të dhënat mbante emrin Moza Seraj. Unë kërkova ndryshimin e userit me emrin Moza Seraj te shefi, por ndryshimi nuk u bë prej tij”. Deklarimi i Eni Qirjakos e fuste në valle përgjegjësie Ervin Muçën, ndaj në gjykatë ajo ndryshoi deklarimet. Kështu po kërkohet të përfundojë edhe vjedhja e TIMS-it nga banda e Mirlinda Karcanajt, që solli në polici Ervin Muçën drejtor IT-je. Po përpiqen ta mbyllin me heshtje dhe zvarritje. Tre javë kaluan. Pas një viti a dy “hetime” do dali ndonjë viktimë të dënohet me shërbim prove. AMP-ja e Ard Veliut erdhi me vrull në 4 gusht, pasi media dha alarmin e grabitjes së TIMS. Bllokoi dyert e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku janë zyrat dhe serverat e policisë. Në fillim u duk sikur po bëhej nami, sikur do arrestoheshin të gjithë që të dilte e vërteta, por u desh vetëm fundjava, 5-6 gusht, që të “zbutej” ArdiVeliu me gjithë Met Rrumbullakun. Diku i thirrën të dy dhe i orientuan si do bënin. Kthyen për tre ditë në punë Ervin Muçën. Denoncuesit, që ngritën alarmin e vjedhjes së TIMS u kërcënuan me jetë gjatë asaj fundjave dhe që atë ditë s’dihet ku janë fshehur. AMP e përcolli që me datë 10 gusht çështjen për në prokurori dhe jo dje më 22 si ia shitën medias sikur ishte lajm dite. AMP e dërgoi “lajmin” nga halli i medias që e hapi përsëri këtë skandal kur mori vesh se Ervin Muça ishte akoma në polici edhe pse për skandalin foli dhe Ambasada (Amerikane) para ca ditësh. Prokuroria s’ka filluar asnjë çështje ka dhjetë ditë. Në gusht janë pushim, s’ka short as prokuror që të merret me çështjen që përcolli AMP e Ard Veliut. Met Rrumbullaku “mori” lejen këtë periudhë që të mos ishte aty… Thashethemet thonë që e kërcënoi Mirlinda Karcanaj ta shkarkonte direkt po nuk i hoqi pezullimin Ervinit. Ervin Muça vazhdon i qetë punën sikur s’ka ndodhur skandali. Duke qenë në zyrat e Policisë manipulon provat dhe punonjësit derisa të vijë shtatori, kismet do ketë ngjarje të tjera dhe do harrohet dhe kjo. Do harrohet si u shkarkuan nga serverat e Policisë së Shtetit të dhënat e TIMS nga civilët me hardisk të jashtëm USB në xhep. Ata u futën në Komisariat nga Ervin Muça, serbes-serbes, pa u ndaluar nga askush. Ata s’janë ndaluar, ose arrestuar më pas. USB-ja që kopjoi të dhënat e TIMS-it s’dihet ku është tani, a është në Qipro, apo ndonjë kopje ka përfunduar në Dubai…

Skandali TIMS në polici, Sula: Paguajmë miliona euro për t’u mbrojtur nga sulmuesit, por vidhemi nga ata që duhet të na mbronin

Dashnor Sula, deputeti i Partisë Demokratike, në reagimin e tij të mërkurën foli për skandalin në sistemin TIMS, ku u shpreh se shqiptarët paguajnë miliona euro për t’u mbrojtur nga hackerat, por vidhen nga ata që duhet t’i mbronin. Në reagimin e tij deputeti demokrat Sula theksoi se sërish u desh ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë rëndësinë një super skandali, teksa shton se ‘kalaja merret nga brenda’, referuar vjedhjes së të dhënave. “Paguajmë miliona euro për t’u mbrojtur nga hackerat, por vidhemi nga ata që duhet të na mbrojnë. Edhe një herë, u desh ndërhyrja e partnerëve të SHBA për t’i dhënë rëndësinë e duhur një super skandali siç është vjedhja e të dhënave delikate nga sistemet e policisë. Është e tmerrshme teksa merren miliona euro nga taksat tona për të krijuar sisteme të sigurta në polici dhe në çdo organ tjetër shtetëror, “kalaja” merret nga brenda. Pra “Kali i Trojës” është brenda dhe pa iu dridhur dora vjedh çdo informacion delikat që ka policia. Ky është krim shtetëror dhe meriton ndëshkim maksimal. Por rasti nuk është i izoluar. Personi që dyshohet se ka kryer këtë krim të rëndë më herët është akuzuar se ka vjedhur edhe informacionet tatimore për çdo biznes që ndodhen në sistemet e Tatimeve. Në vend që të ndëshkohej është promovuar edhe më shumë nëpër pozicione kyçe siç është rasti i fundit në Policinë e Shtetit. -Jo vetëm kaq, por ka marrë edhe miliona euro tendera nga AKSHI, që drejtohet nga znj. Karçani mbi të cilën nuk kanë pushuar për asnjë moment akuzat. Në vjedhjen e fundit me të dhënat e qytetarëve nga policia operacioni nuk ka qenë individual, por janë përfshirë edhe drejtues të strukturave të Policisë. Bisedat e zbuluara në aplikacionin SKY duket se do djegin shumë tradhëtar të ligjit në Polici, që kanë gëzuar mbështetje politike. Përpos hetimit në drejtimin e abuzuesve të ligjit me vjedhjen e të dhënave, hetimi duhet të shtrihet edhe se për llogari të kujt janë vjedhur këto informacione nga policia. Kujt i interesojnë ato? Për çfarë janë përdorur? Nëse këto pyetje marrin përgjigje, atëherë rrjeta duhet të jetë e madhe dhe disa qeli duhet të zbrazen, sepse do mbushen me disa “vipa”!” – tha të mërkurën deputeti demokrat Dashnor Sula.