Skandali i dytë: Anije luftarake në sfondin e takimit Panariti-Avramopulos

478
Sigal

Incidenti me flamurin kombëtar/ Thellohet skandali i shefit të diplomacisë shqiptare gjatë vizitës në Athinë

Skandali me flamurin tonë kombëtar në Athinë gjatë konferencës për shtyp midis ministrit tonë të Jashtëm, Edmond Panariti dhe homologut të tij grek, Avramopulos, është më shumë se një skandal. Me kalimin e ditëve ngjarja merr përmasat e një megaskandali, i cili nuk mund të fshihet kurrsesi pas deklaratave patetike me ngjyrime patriotike se gjoja ai ishte thjesht një incident që nuk ka rëndësi përpara faktit se shefi i diplomacisë shqiptare i ngriti palës greke Çështjen Çame. Kryetari i LSI-së shtoi dje se, Panariti ka kërkuar në Athinë edhe abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë që mban në fuqi pala greke prej më shumë se 70 vjetësh. Por ministri ynë i Jashtëm, i nxënë me axhenda të ngjeshura takimesh e vizitash nuk ka dhënë ende shpjegimet e mjaftueshme, qoftë për çfarë ka biseduar me grekët dhe si i ka ngritur çështjet e përfolura, qoftë për incidentin që ka marrë dhenë dhe që ka fyer dhe indinjuar të gjithë shqiptarët. Dje Aleanca KuqeZi bëri të “pabërën”: tentoi t’i bllokonte hyrjen në Shqipëri ministrit Panariti, për shkak të incidentit me flamurin, por edhe në shenjë proteste kundër negociatave  të qeverisë shqiptare me qeverinë greke për marrëveshjen e ujërave. Pra, ministri Panariti paska diskutuar edhe për marrëveshjen detare me Greqinë, një kapitull ky i mbyllur përfundimisht nga Gjykata jonë Kushtetuese. Ministri Panariti mund ta mohojë këtë, por faktet flasin kundër tij.

Bisedimet

Vëreni me kujdes fotografinë e takimit mes Panaritit dhe Avramopulosit. Panariti është ulur në një kolltuk dhe bisedon me ministrin grek, sikur të ishte një vizitë konfidenciale dhe jo zyrtare. Vëreni më tej pikturën në sfond, mbi kryet e dy bashkëbiseduesve. Mbase ajo pikturë ndodhet rastësisht në zyrën e shefit të diplomacisë helene, por në kontekstin e këtij takimi dypalësh ka një domethënie të veçantë. Ç’është gjithë ai tym e flakë dhe ajo anije e hepuar gati në të mbytur në mes të detit, si një ëndërr e keqe? Përtej anës artistike, le të deshifrohet domethënia e asaj tabloje. Diplomatët mund ta shpjegojnë këtë.  Mos ka dashur kryediplomati grek se ne nuk heqim dorë nga marrëveshja që kemi bërë për detin dhe rreziku i luftës është në horizont midis nesh. Ndoshta edhe ka menduar: ti më përmend Ligjin e Luftës këtu e 70 vjet të shkuara, unë të paralajmëroj për të ardhmen… Ndoshta. Nëntekstet e asaj vepre artistike në sfondin e takimit Panariti-Avramopulos e kanë një domethënie. Në diplomaci flitet edhe me gjeste.

Incidenti me flamurin

As incidenti me flamurin gjatë konferencës për shtyp nuk mund të jetë i rastësishëm. Gjatë takimit kokë më kokë midis ministrave, u tha se, Panariti ka ngritur edhe Çështjen Çame. Duke pasur parasysh precedentët në marrëdhëniet shqiptaro -greke, kur kryeministra, presidentë dhe ministra grekë gjatë dy dekadave të fundit e kanë mohuar kategorikisht ekzistencën e Çështjes Çame dhe janë hedhur përpjetë dhe kanë ndërprerë bisedimet sa herë u është përmendur Çamëria, mund të bëhet një arsyetim i thjeshtë: Nga fundi i bisedës me homologun grek, Panariti i ka kërkuar atij zgjidhjen e Çështjes Çame. Avramopulosi ka parë orën i nervozuar dhe i ka thënë Panaritit: “Është koha të dalim para gazetarëve!” I befasuar nga ndërprerja e bisedës, Panariti është hutuar aq shumë saqë nuk e ka vënë re se flamuri ynë kombëtar ishte vendosur me kokë poshtë. Pavarësisht ndjesës së mëvonshme nga pala greke, incidenti u shënua dhe ishte i rëndë, tepër i rëndë. Edhe me këtë gjest diplomatik, Greqia zyrtare foli shumë. Sikur na tha: Kërkojeni po deshët herë tjetër Çamërinë!

Paaftësia

Por ky incident ka edhe një anë tjetër: Paaftësinë totale të Ministrisë sonë të Jashtme. Ministri nuk ishte i vetëm në Greqi. Ai ka një tufë me njerëz të protokollit që e rrethojnë. Ku e patën mendjen dhe sytë këta njerëz? Nuk e vunë re ata si ishte vendosur flamuri dhe ndonjëri t’i afrohej ministrit e t’i thoshte: Zoti ministër, mos dilni në konferencë! Ata na kanë vendosur flamurin me kokëposhtë! Ata jo vetëm nuk e bënë këtë në atë moment për të parandaluar incidentin, por as më pas. Zhurma që është bërë më pas ka qenë më shumë mediatike se sa zyrtare. Ministria jonë e Jashtme hesht totalisht dhe nuk jep asnjë detaj më shumë. Të gjitha këto tregojnë se para se të diskutojmë çështjen e detit me Greqinë, le të qetësojmë detin me halle që kemi vetë ne. Por kjo jep pak shpresë. Ndaj dhe Greqia bëhet arrogante dhe na fyen aq paturpësisht.

Një paralele në kohë

Incidenti diplomatik i skenuar nga zëvendësministri i Jashtëm izraelit, Dani Ajalon arriti kulmin e keqësimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve, të cilat në të kaluarën kishin pasur marrëdhënie shumë të mira. Kjo ndodhi në vitin 2010. Ambasadori turk, Ahmed Cajikol në “Tel Aviv” ishte ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’i dorëzuar një notë proteste nga ana e zëvendësministrit izraelit, për shkak të emetimit të një seriali në televizionin turk, të cilin Izraeli kishte konsideruar se ishte i drejtuar kundër tij dhe kishte karakter antisemit, si dhe për shkak të disa deklaratave të kryeministrit turk, kundër politikës së Izraelit, në Lindjen e Mesme. Sjellja e zëvendësministrit izraelit ndaj ambasadorit turk, ashtu siç e përshkruan mediat izraelite kishte qenë tejet poshtëruese. Në media u publikua fotoja ku shihej se ambasadori ishte ulur në një karrige disa centimetra më e ulët se sa karrigia në të cilën ishte ulur zëvendësministri izraelit i shoqëruar nga tre nëpunës tjerë. Dani Ajalon , kishte refuzuar t’ia shtrinte dorën ambasadorit turk dhe e kishte detyruar atë të priste një kohë të gjatë para zyrës së tij. Në shenjë nënçmimi, në tavolinë nuk kishte vendosur flamurin turk, por vetëm atë izraelit. Ky incident shkaktoi një furtunë të tërë në marrëdhëniet mes dy vendeve deri në përplasje midis dy kryeministrave.