Skandali: Artan Shkëmbi i ka lënë bashkisë 4.7 miliardë lekë borxhe

420
Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapari akuzon paraardhësin e tij Artan Shkëmbi, se i ka trashëguar qytetit një borxh prej 4.7 miliard lekësh. Kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri, i bën thirrje qeverisë të gjejë zgjidhje për larjen e këtyre borxheve. Kapri ka bërë me dije se në javët në vijim, do të publikojë një listë me problemet e trashëguara. Këto borxhe në shumë që arrin deri në 5 miliardë lekë të reja, janë të pajustifikuara, gjë që dëshmon se ish kryetari i Bashkisë së Pogradecit ka kqëadministruar fondet e bashkisë gjatë mandatit të fundit të tij. Organet hetimore së shpejti do të fillojnë hetimet për shpërdorimin e 5 miliardë lekëve në Bashkinë e Pogradecit nga ishkryebashkiaku, si edhe do të rihapen dosjet e kallzimeve penale që KLSH ka bërë ndaj ishkryebashkiakut Artan Shkëmbi.
Shkëmbi që u gradua, pas shpërdorimeve
Që ishkryetari i Bashkisë së Pogradecit Artan Shkëmbi kishte shpërdorur në rradhë të parë besimin e qytetarëve, kjo ishte kuptuar edhe nga vetë PS, pasi në 21 qershor nuk ia ripërtëriti mandatin, edhe pse publikisht Shkëmbi kishte deklaruar ambicien e tij për të kandiduar, madje kishte manipuluar edhe sondazhe, ku gjoja socialistët dhe qytetarët e Pogradecit e mbështetnin kandidaturën e tij. Shumë fonde të bashkisë së Pogradecit shpërdoroheshin, ndërkohë punë nuk dukeshin, por shpërdorime ishin bërë edhe me lejet e ndërtimit në qytetetin turistik të Pogradecit, si edhe me cënimin e shumë monumenteve të traditës e kulturës, që u tjetërsuan. Mirëpo, skandali rëndohet, pasi ishkryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi është vënë në krye të Agjencisë e Zbatimit të Reformës Territoriale. Domethënë, Artan Shkëmbi, që shpërdoroi fondet e bashkisë, spekuloi me lejet e ndërtimit në mandatet që ai ishte kryebashkiak i Pogradecit, tani do të drejtojë edhe zbatimin e reformës territoriale?
KLSH e ka paditur Shkëmbin për lejet e ndërtimit
Në fundvitin e 2012, KLSH publikoi rezultatet e auditimit që bëri në Bashkinë e Pogradecit dhe në bazë të shkeljeve që gjeti për dhënien e lejeve të ndërtimit, ngriti edhe padi penale ndaj kryetarit (të atëhershëm) të Bashkisë së Pogradecit Aran Shkëmbi dhe bashkëpunëtorëve të tij në bashki. Pas rreth një viti hetimesh, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte dërguar për kallëzim penal më 1 janar 2013 dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kjo e fundit ia referoi Task-Forcës, është vendosur që procedimi të kalohet në Gjykatën e Pogradecit. KLSH ka kryer disa audite ekonomike në Bashkinë e Pogradecit. I fundit më 31 gusht 2012 dhe i përfunduar në dhjetor, kurse më 1 janar 2013 është dërguar kallëzimi penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Nën akuzë ishte kryebashkiaku Artan Shkëmbi dhe 10 zyrtarë të lartë dhe punonjës zyre të institucionit, për shkelje të rënda të barazisë së tenderëve, shpërdorim detyre dhe për lejet e ndërtimit.
Shkeljet e konstatuara
Bëhej fjalë për dhënien e lejeve në zonën e qendrës së qytetit, sheshe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit, të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me ligjin “Për Urbanistikën” dhe “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”. Gjithashtu studimet Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike, dhënie leje ndërtimi për pistë, të shfrytëzueshme në pronë publike (liqen). Janë konstatuar shkelje e barazisë në tenderë publik, si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i stadiumit dhe ambienteve rreth tij”, për të cilin është skualifikuar pa të drejtë ofertuesi me ofertën ekonomike më të vogël, në vlerën 3,429,652 lekë, dhe prokurimi në kundërshtim me ligjin për tenderin me objekt “Rikonstruksioni i Shëtitores 10 Dëshmorët e Pojskës”. Shkelje janë gjetur në kontratat e qirave për ambiente të institucioneve, nënshkrimi i kontratave për institucione të treta dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, si në rastin për kontratën e marrjes me qira ambiente ndërtese dhe oborre të fondacionit “EDU-PRO”, themelues i të cilit është titullari i institucionit, kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi. Dëmi ekonomik në total nga këto veprimtari kap vlerën 46,4 milionë lekë.
Sigal