Sistemi i Drejtësisë në kolaps!

255

Reforma në Drejtësi, kosto pa fund. Shtohen edhe 96 milionë Euro! Strategjia, nga buxheti do shpenzohen 86 milionë Euro

Sigal

Reforma në Drejtësi i ka kushtuar qindra miliona euro buxhetit të shtetit gjatë këtyre viteve, ndërkohë që kostot do të vijojnë të jenë shumë të larta edhe për të paktën dy vitet e ardhshme. Media ka zbardhur Plan Veprimin 2023-2025 në zbatim të Strategjisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ku pritet që Qeveria të alokojë një fond prej thuajse 100 milionë eurosh për përmbushjen e objektivave. Më specifikisht, kostoja totale e vijimit të reformës në drejtësi pritet të shkojë në 11.8 miliardë lekë apo 96 miliardë euro për periudhën 2023-2025. Prej tyre, 1.2 miliardë lekë apo 10 milionë euro do të sigurohen nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që 10 miiardë lekë, apo 86 milionë euro do alokohen nga buxheti i shtetit. Në hapat e para të Reformës, në vitin 2016, parashikohej që ajo të kushtonte rreth 175 milionë deri në vitin 2020. Në vitet e para kostot mbetën relativisht të ulëta, për shkak të vonesave në plotësimin me staf të organeve të reja të drejtësisë. Por kostot erdhën në rritje veçanërisht duke nisur nga viti 2019. Pagat e reja të gjyqtarëve e prokurorëve janë një prej zërave që e bëjnë kaq të kushtueshme reformën në drejtësi. Kjo pasi pagat e magjistratëve prej tre vitesh janë në nivelin mesatar të 2 deri 3 mijë euro në muaj. Ndërkohë që kosto më vete janë edhe shpenzimet kapitale, për zyra, ambjente, të cilat kanë kushtuar jo pak, por rreth 40 milionë euro vetëm dy-tre vitet e fundit.

42 milionë euro nga Marrëveshja IPA, 2018.
42 milionë euro u investuan në vitin 2019.
57 milionë euro të tjera për “Reforma në Drejtësi” u dhanë deri në 2025.
63 milionë euro fonde, parashikohet të përfitojë Shqipëria nga programi IPA III, për periudhën 2021-2024.

Reforma në Drejtësi, dështoi. Milionat e Reformës  ‘i merr lumi’, krimi dhe korrupsioni në shkallë alarmante

Në shtator 2017, qeveria Rama uli me 40 për qind fondet për institucionet e Vettingut, duke siguruar që në krye një fillim të ngadalshëm të zbatimit të reformës. Në ndihmë ka kontribuar gjithmonë fuqishëm BE. Reforma në drejtësi merr pjesën e luanit nga Marrëveshja IPA, 2018, 42 milionë euro, rreth 45% të shumës totale prej 94 milionësh, që do të përdoren për “forcimin e pavarësisë, transparencës, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare”. Sërish Bashkimi Europian investoi 42 milionë euro në vitin 2019, duke pasuar me 57 milionë euro të tjera në vitin 2021. Reforma në drejtësi është kushti kryesor për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shkolla e “natës’, mesatarja mjerane e lehtësisht të shantazhueshëm, janë pasqyra e Reformës në Drejtësi !

E zgjedhura nga Kuvendi si anëtare zëvendësuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Mimoza (Tasi) Pano ka filluar detyrën më 1 shkurt 2022, pas vakancës së krijuar si pasojë e shkarkimit të Luan Dacit. Ajo ka studiuar në vitet 1986- 1990 pranë Fakultetit të Shkencave Politike Tiranë, në degën e Filozofisë Marksiste- Leniniste me mesatare 8.9. Gjatë viteve 1994 – 2000, ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në degën Drejtësi me korespondencë me mesatare 6.9.  Ligji i Vettingut parashikon që përmbushja e kritereve për t’u emëruar anëtar i organeve të Vettingut vlerësohet duke marrë në konsideratë edhe notën mesatare jo më pak se 8. Pikërisht në Nenin 7, të Ligjit për Vettingun, kur flitet për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve në organet përgjegjëse thuhet në mënyrë taksative se Anëtar i Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kërkesat e përgjithshme si më poshtë: Pika 3 /d: Përmbushja e kritereve të mësipërme vlerësohet bazuar në një notë mesatare jo më pak se 8, në studimet brenda vendit, ose ka përfunduar studimet universitare jashtë vendit.

Rreth 250 magjistratë u larguan nga sistemi me shkarkim ose dorëheqje, gjykatat e Prokuroritë mbeten bosh

Në një njoftim të publikuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dha të dhëna mbi proceset e ndjekura në 5 vjet. Sipas ONM 247 magjistratë janë larguar nga sistemi me vendim të formës së prerë, ndërsa 185 janë konfirmuar në detyrë prej shkurtit 2018. Por të shumta kanë qenë zhvillimet në lidhje me reformën në drejtësi që nga nisja e saj duke u caktuar si anëtarë të komisioneve vlerësuese persona, të cilët vetë nuk ishin Vettinguar në asnjë formë duke sjellë kështu edhe problematikat e para  në lidhje me varësinë ndaj politikës të këtyre institucioneve. Këto institucione kanë aktualisht edhe çështje të hapura gjyqësore për vendime të padrejta ndaj të Vettinguarve. Në një nga rastet, ai i ish-prokurorit Besnik Cani u vërtetua nga gjykata ndërkombëtare e Hagës së vendimi ishte i padrejtë dhe se duhet të rishikohet çështja. Natyrshëm lind pyetja, sa vendime të padrejta në këtë kohë kanë dhënë anëtarët e komisioneve vlerësuese në përkrahje apo rrëzimin e një të vetinguari?  Në krye të komisioneve vlerësuese kemi persona, të cilët janë vërtetuar të kenë pasuri marramendëse dhe probleme të theksuara me deklarimin e pasurisë apo deri në falsifikimin e dokumenteve për të qenë pjesë e këtyre komisioneve vlerësuese. Çfarë do të thotë kjo për ‘reformën në Drejtësi’, një tjetër zhgënjim për qytetarët që besuan në një drejtësi të re. ‘Puna e palodhur’ e këtyre anëtarëve duket se po shpërblehet pasi katapultimi i tyre në krye të organeve të reja drejtuese të kësaj drejtësie të ‘reformuar’, gjë që ekspertët kanë deklaruar se nuk duhet të kishte ndodhur kurrsesi, në fakt po e tregon më së miri. Kërkesa e ONM për shtyrjen e afateve të punës së anëtarëve duket se ka qenë një tjetër hap i ndërmarrë për të mbajtur një dorë të hekurt në personat që do të ishin të aftë për të kaluar Vettingun, një Vetting i anëtarëve të komisioneve nga personat që tashmë e kishin kaluar vettingun do të ishtë problem, pasi do të ulej mundësia e manipulimit të anëtarëve të komisioneve vlerësuese.