Silvi Bardhi: Veliaj shtoi edhe një barrë tjetër për kryeqytetasit

469
Me ardhjen e tij në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, i shton një peshë edhe më të rëndë qytetarëve tiranas, si edhe zonave që e rrethojnë. Rritja e çmimit të biletës ka ngjallur pakënaqësi të thellë tek shtresa më e varfër dhe ajo e mesme. Marrë shkas nga ky lajm, aspak i çuditshëm kur vjen nga e majta josociale e Shqipërisë, flas në emër të shumë banorëve, të cilët nuk gjejnë një mënyrë për të shprehur mllefin e tyre. Ata nuk flasin nga frika se spiunohen dhe humbin vendin e punës, disa të tjerë nga pamundësia për t’u ankuar në dyert e blinduara të bashkisë, e cila pas 23 qershorit është kthyer në pronë personale e beniaminit të Ramës. Janë ata, të cilët i dhanë votën Erion Velisë, duke besuar se performanca e frikshme teatrale në fushatë, do të përmirësonte jetën e tyre. Por, doli të ishte kokë e këmbë një gënjeshtër.
Së pari, qytetarët, të cilët përdorin transportin publik nuk mund shtrydhen deri në palcë, paçka se 10 lekëshi është i papërfillshëm, madje një tallje nga supermilionerët në krye të vendit.
Së dyti, në oratorinë propaganduese të qeverisë, është zhdukur fjala rritje rroge, rritje pensioni, ulje çmimesh, shpërblime në fundvit.
Së treti, përse hesht Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit?
Të gjendur në këto rrethana mbytëse, qytetarët përpëliten rrugëve duke shfryrë mllefin e krijuar prej 3 vitesh, pasi ndryshe nga ç’ju premtua, ata janë të papunë, të paushqyer, të palumtur dhe të rrezikuar çdo ditë nga menaxhimi skandaloz që i bëhet jetës së tyre. Janë me qindra nxënës, të rinj, nëpunës, të papunë, pensionistë, nevojtarë, të cilët do të shtrydhen edhe më nga duart e të majtëve, kinse socialë në këtë vend. Në fund të muajit, çdokush nga ne që lëviz rrugëve të Tiranës me transport publik, do të ketë më pak të ardhura në kuletën e bërë pendë tashmë. Ato të ardhura do të duhen për të krijuar kushte më të mira për fëmijët. Ky nuk është vetëm një reagim personal, por edhe mbarëqytetar, theksoj, i frikësuar nga një sistem i kthyer në kohën e diktaturës. Filozofia e së majtës, se shtrydhja e xhepit të qytetarëve sjell edhe shtrydhje të mendjes, paralizim e mosreagim, duhet të marrë fund. Shqiptarët kanë zgjuarsinë të reagojnë në kohë.
Anëtare e Këshillit Kombëtar të PD
Sigal