Tendera për vjedhjen e parave të shtetit me dëm prej 2.5 miliardë lekësh

498
Një oficer i Krimit Ekonomik në Elbasan i cili ka dashur të mbetet anonim, pasi në të kundërtën flaket menjëherë nga detyra dhe e ndjekin edhe pasoja të tjera, i ka deklaruar “Telegraf” se “gjatë vitit 2015 deri në ditët e para të janarit 2016, kemi hapur, hetuar dhe dërguar në Prokurorinë e Rrethit mbi 303 dosje penale që akuzojnë zyrtarë, drejtues institucionesh, ish-kryetarë komunash, dekanë e pedagogë, juristë dhe kontabilistë, subjekte private kliente të paracaktuara të tenderave qindra milionëshe, që akuzohen për korrupsion, afera të pista, vjedhje të parave të shtetit me forma dhe metoda të paligjshme”. Sipas oficerit i cili ka në atë detyrë qysh nga viti 2003 “Krimi Ekonomik shpesh ka qenë dhe mbetet nën presionin e politikës, njerëzve me pushtet, të cilët ndërhyjnë për të pushuar gjurmimet, përgjimet, hetimet duke arritur deri aty sa të kërcënojnë edhe oficerë policie të papërlyer në aferat e pista me largime nga detyra në rast se nuk binden, dhe kjo ka ndodhur edhe para pak muajsh në degën e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Elbasan”. 
Figurat kriminale të shpërdorimit të fondeve
Duke folur mbi natyrën e shkeljeve ligjore, shpërdorimeve të detyrës, dhe dëmit financiar, oficeri i Krimit Ekonomik tha se “ato janë të natyrave të ndryshme, si financime të paligjshme, sponsorizime të paligjshme, dhënie e tenderave të paligjshme duke fshirë konkurrencën e pandershme, shkeljet procedurale duke favorizuar klientët e pushtetit dhe politikanëve, apo edhe abuzime të shtrira edhe në institucionin e arsimit të lartë, ku akuzohen pedagogë, dekanë, juristë institucionesh që kanë firmosur duke shkelur ligjet, dhe e veçanta është se dëmi financiar deri tani tek dosjet e korrupsionit besoj se arrin në mbi 2.5 miliardë lekë”. Fakti është se sektori Krimit Ekonomik në Drejtoritë e Policive në qarqe, duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me organin e akuzës, gjë e cila ka rezultuar se shpesh ka mbetur e tillë vetëm me letra, sepse në praktikë ajo nuk është realizuar kurrë. Oficeri i Krimit Ekonomik tha se “me organin e akuzës gjithmonë që është tentuar bashkëpunimi, kemi dështuar pasi dosjet tona janë hedhur poshtë nga ata, janë mbajtur për hetime me nga 5- 6 muaj apo 1 vit, dhe pastaj janë mbyllur duke hedhur poshtë gjithë punën tonë, kështu ka ndodhur me korrupsionin e tenderave, emërimeve, abuzimeve financiare, dosjet e panumërta që kemi nga hetimi në fakultetet e universitetit, dhe dhjetëra të tjera që lidhen me subjekte private që kanë qenë ndërmjetëse të aferave korruptive, kurse në gjykata janë nisur vetëm 25 % e dosjeve tona, akoma edhe sot e kësaj dite ka me qindra dosje qysh nga viti 2013, që nuk kanë vajtur për gjykim, dhe që besoj se janë mbyllur për të mos u hapur kurrë”. Intensifikimi i punës hetimore nga sektori i Krimit Ekonomik, ka pasur raste kur edhe është “zhurmuar” nga vetë drejtuesit dhe shefat, të cilët kanë pasur dhe kanë akoma lidhje dhe ujdira me drejtuesit dhe zyrtarët e lartë, të cilët shpesh janë akuzuar dhe akuzohen për shkelje ligjore, abuzime dhe përvetësime të parave të shtetit. Sipas burimeve mësohet se “në 303 dosjet e korrupsionit, të mbushura me emra dhe mbiemra të zyrtarëve, të cilët ushtrojnë detyrat e tyre në pothuajse të gjitha institucionet e shtetit, gjenden edhe faktet, të cilat janë mbledhur nga gjurmimet, përgjimet, hetimet disa mujore të oficerëve të Krimit Ekonomik, që sot ndjehen të dështuar dhe zhgënjyer pasi puna e tyre shpesh po hidhet poshtë, dhe kjo vërtetohet nga mungesa e veprimeve konkrete dhe qëndrimi në detyrë e gjithë personave të akuzuar e pakta nga 3-4 nene të Kodit Penal”. 
Degradimi i institucioneve
Duke vazhduar prononcimin e tij oficeri i Krimit Ekonomik tha se “shpesh urdhërohemi të merremi intensivisht me ndonjë dyqanxhi apo tregtar që abuzon me ndonjë koli cigaresh apo kuti me makarona, dhe na pengojnë kur hetojmë dhe jemi në pragun e zbulimit të ndonjë afere të madhe korruptive, ku lidhen dhe përlidhen emra të njohur të politikës, duke nisur nga ligjvënësit dhe deri tek ministrat, ndaj mendoj se duhet më mirë të bëjmë sikur punojmë, dhe të marrim rrogën, pasi në të kundërtën mund të mbetemi një ditë edhe pa atë, dhe kur të jemi të papunë si qindra kolegët tanë, të na bëjnë krashillëk, ata që ne i kemi gjurmuar dhe përgjuar për vjedhjen e milionave nga paratë e taksapaguesve”. Ky realitet kaq dramatik , flet qartë për degradimin e institucioneve dhe kryesisht sektorëve delikatë, që merren çdo ditë me ruajtjen dhe zbatimin e ligjit, flet qartë për implikimin në afera të pista në shumicën e rasteve, të atyre që drejtojnë sektorët e hetimit dhe faktimit të veprave penale, siç është korrupsioni dhe vjedhja e parave të shtetit, të cilat sot kanë në mbi 90 për qind të rasteve, të akuzuar të drejtpërdrejtë zyrtarët e këtij shteti. Pesimizmi që ka pushtuar ata pak specialistë të mbetur në sektorët e hetimit të krimeve kryesisht të korrupsionit, ka sjellë gjallërimin dhe forcimin e aferave të pista, pasurimin e një kaste, e cila sot ka arritur t’i “blejë” dosjet e tyre, madje duke arritur të poshtërojë ligjet dhe institucionet e drejtësisë. 

Nga Alma JONUZI
Sigal