Silva Caka: 4 rajonet e Edi Ramës, mekanizmi i përvetësimit të pasurive dhe parave të shqiptarëve

73

Nga Silva Caka, ish-deputete e LSI-së

Në seancën e famshme të 30 korrikut që lamë pas, Edi Rama e shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, disa herë madje. Në heshtje të plotë institucionale, por në rrëmujën e madhe të krijuar nga këmbëngulja e tij për ndryshime kushtetuese pa dakordësi mes palëve, ashtu si ujku që në mjegull vepron i pashqetësuar, Edi Rama miratoi një tjetër ligj tërësisht antikushtetues, ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.

Për të emëruarit e Ramës në bashkitë e vendit, ky projektligj nuk ndryshon asgjë, pasi ata nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve; ata i shërbejnë vetëm interesit të padronit që i emëroi dhe nuk shqetësohen as për shkeljen e Kushtetutës, as për zhvillimin ekonomik të bashkive që drejtojnë, as për qytetarët e tyre e aq më pak për parimet e shenjta të decentralizimit, autonomisë vendore apo subsidiaritetit, të cilit me siguri nuk ia kanë as haberin se çfarë do të thotë. Mirëpo për të gjithë ata që i duan zgjedhjet e lira e të ndershme, rendin demokratik, institucionet, transparencën e fondeve e llogaridhënien, ky ligj i miratuar, nuk është asgjë tjetër veçse mekanizmi i radhës për të përqendruar në një dorë të vetme pasurinë publike (vendore) dhe fondet që njësitë vendore përfitojnë nga buxheti I shtetit, Bashkimi europian apo OJF e donatorë të ndryshëm.

Mashtrimi i madh i Edi Ramës me këtë ligj, nis që me shmangien me dashje të referimit të tij, në nenet relevante me organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, parashikuar në Kushtetutë. Ligji i referohet vetëm neneve 78 dhe 83/1. I propozoj kujtdo që ka interes, të lexojë referencat ligjore në të gjithë ligjet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe do të shohin se të gjitha ligjet që rregullojnë fusha të caktuara, përvecc neneve 78 dhe 83/1, referohen dhe në nenet respektive në Kushtetutë, që japin parimet themeltare të rregullimit të fushës specifike.

Mirëpo Edi Rama me qëllim e shmang referimin e këtij ligji në nenet 108, 110/2 dhe 114 të Kushtetutës, sepse ky ligj bie ndesh dhe shkel hapur këto 3 nene të Kushtetutës. Një tjetër shkelje e Kushtetutës ka ndodhur edhe me procesin e konsultimit publik të ligjit, i cili është përcaktuar të kryhej në periudhën mars-maj 2020. Neni 108/2 i Kushtetutës, kërkon me forcë që ndarjet administrative territoriale midis njësive të qeverisjes vendore, duhet të marrin më parë mendimin e banorëve që jetojnë në këto njësi”, duke pretenduar pamundësimin e çdo pushtetari për të ndarë territorin e për të gllabëruar kompetencat e pasuritë vendore sipas qejfit.

Lidhur me këtë të fundit, Edi Ramës i plasi cipa që kur krijoi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare, me anë të të cilave gllabëron në mënyrë kriminale çdo pronë që i ka vënë syrin, pavarësisht se kush e posedon atë. Duke iu kthyer shkeljes së Kushtetutës me ligjin e fundit, ngrihet pyetja se si u konsultuan qytetarët shqiptarë lidhur me krijimin e Rajoneve dhe ndryshimet administrative-territoriale që do kryhen, kur të gjithë ishin të izoluar prej pandemisë? Cila është metoda konsultative e përdorur, për të matur reagimin e publikut? Përgjigjja është kristal e pastër: Asnjë qytetar shqiptar nuk u pyet, asnjë qytetar shqiptar nuk u konsultua lidhur me këtë ndryshim madhor administrative-territorial! Edi Rama e ideoi, e hartoi me dorën e Benetit, e dorëzoi me dorën e Erionit, e miratoi me duart e deputetëve të tij dhe sot ia servir shqiptarëve si risi dhe si nevojë për përshtatjen me direktivat e Bashkimit Europian.

Dua t’ju risjell në vëmendje Reformën Administrative-Territoriale të miratuar në Parlamentin e vitit 2015, e cila kaloi në një stazh 2 vjeçar përpara se të miratohej, madje u ngrit dhe një komision i posaçëm parlamentar vetëm për këtë reformë. Për kuriozitet të gjithësecilit prej jush, më poshtë do të paraqes një bilanc të kryer nga Reporter.al, të të gjithë hapave te ndjekur nga Kuvendi i Shqipërisë në ato vite, për konsultimin publik, informimin e nevojshëm dhe marrjen e mendimit të qytetarëve:

• 13 takime të hapura me 1218 pjesëmarrës në të gjitha qarqet e vendit gjatë muajve mars-prill 2014, të fokusuara të argumentimi për nevojën e reformës së pushtetit vendor dhe te kriteret që duhet ta udhëheqin atë;

• 8 dëgjesa publike me 75 ekspertë dhe përfaqësues të grupe të interesuar, të organizuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën administrativo-territoriale gjatë muajve prill-maj 2014, ku janë prezantuar dhe diskutuar disa propozime teknike për reformën e pushetit vendor, si propozimet e organizatave Co-Plan, Shtetiweb, Programi për Zhvillim Lokal dhe Decentralizim, etj;

• 42 takime të hapura ku morën pjesë 1785 pjesëmarrës, duke përfshirë qytetarë të thjeshtë, biznese, gazetarë, dhe të zgjedhur të organeve vendore, gjatë të cilave u diskutuan propozimet për 39 dhe 47 njësi vendore, që ishin miratuar deri në atë kohë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar;

• Shpërndarjen e 10,000 fletëpalosjeve informuese për përfitimet e reformës dhe propozimet për ndarjen e re, gjatë muajve mars-korrik 2014, në gjithë vendin;

• Transmetimin e tre spoteve, 240 herë në 10 televizione dhe 60 herë në radio, me përgjigje të përmbledhura për pyetje mbi nevojën për këtë reformë, përfitimet, vendin ku do merren shërbimet bazë, dhe ndikimin mbi tregun e punës;

• Botimin e një posteri informues në gazeta dhe revista, 32 herë, gjatë muajve qershor-korrik;

• Krijimin e një portali online, kanali në Youtube, dhe llogarish nëFacebook dhe Twitter;

• Kryerjen e një sondazhi me 145 biznese;

• Kryerjen e një sondazhi me 16,000 të pyetur në gjithë vendin mbi nivelin e tyre të informimit për reformën, mbështetjen e reformës në parim, si dhe mbi nivelin e dakordësisë me variantet me 39 dhe 47 bashki të propozuara nga analiza teknike dhe të miratuara fillimisht nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, dhe më pas, mbi nivelin e dakordësisë për variantin final me 61 bashki, për të cilin u pyetën qytetarë vetëm në zonat që prekeshin nga ky variant.

Kushdo që do t’a lexojë ligjin e ri, do të kuptojë shumë shpejt që ky ligj nuk synon asgjë tjetër veçse përqendrimin në një dorë të kompetencave të bashkive dhe parave të tyre. Me pak fjalë, çdo burim financiar, që bashkitë e vendit e marrin nga buxheti i shtetit, nga donatorë apo nga përfitimi i projekteve të ndryshme nga Bashkimi Europian ose organizma të tjerë ndërkombëtarë, do të kalojë një herë nga Edi Rama. Financat e bashkive nuk do t’a arrijnë kurrë destinacionin e tyre final që janë qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre; bashkitë dhe krerët e tyre do humbasin autoritetin, pavarësinë, decentralizimin e autonominë dhe me këto veprime, Edi Rama i zhvesh ato nga kompetencat thelbësore, duke i kthyer bashkitë e vendit në zyra të rëndomta të komunales.

Të gjithë tashmë e kemi të qartë se çdo herë që Edi Rama shkel Kushtetutën, e bën se do të hedhë ndonjë hall të madh që i del në rrugën e tij totalitare. Ndryshoi Kushtetutën e hoqi koalicionet, nga frika e Opozitës së Bashkuar përballë tij të vetëm e të rraskapitur, u çorr e u ngjirr për hapje listash e pastaj e katandisi kokoshin në 1/3 e thelës dhe tani do të fitojë dhe kontroll të plotë mbi bashkitë e vendit.

Por, unë nuk mendoj se ky ligj vjen si pasojë e hallit të madh që e ka zënë Edi Ramën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare; ato i di që i ka humbur dhe se rotacioni është domosdoshmëri!

Halli i Edi Ramës është diku gjetkë!?

Tmerri i Edi Ramës janë Opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias, të cilat jo pak herë i dhanë të drejtë Presidentit dhe jo Edi Ramës, lidhur me votimet moniste të vitit 2019. Tmerri i Edi Ramës është edhe Raporti Final i OSBE/ODIHR, i cili e çmontoi krejtësisht maskaradën e votimeve moniste, me fakte, argumente dhe prova konkrete. Megjithatë, tmerri më i madh i Edi Ramës janë kushtet e vendosura nga BE-ja! Një prej kushteve kërkon legjitimitetin ose jo të procesit elektoral të vitit 2019, të gjykuar dhe vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Në kushtet kur nuk po e kap dot Gjykatën Kushtetuese, kur Venecia nuk i jep të drejtë për manovrat antikushtetuese për emërimin e anëtarëve të kësaj Gjykate, Edi Rama po fillon të ketë një tablo të qartë të vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, për përcaktimin e ligjshmërisë së procesit monist të votimit të qershorit 2019. Tabloja i thotë Edi Ramës se jo vetëm zgjedhjet parlamentare, por Edi Rama do të humbasë edhe uzurpatorët e tij nëpër bashki dhe kjo e çon në kryerjen e akteve ekstreme, si miratimi i ligjeve antikushtetuese. Humbja e bashkive do të thotë fund i karrierës së Edi Ramës, jo vetëm si Kryeministër i Shqipërisë, por edhe si Kryetar i Partisë Socialiste, prandaj përpiqet e mundohet të krijojë disa struktura amorfe, me të cilat mendon se do të ruajë ende pushtetin.