Shqiptarët në varfëri, parlamenti monist rrit pagën e administratës

459
Sigal

 

Qeveria fillon fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, duke hapur “thesin”, për të joshur nëpunësit e administratës publike me rritjen e rrogës, ndërkohë, që shqiptarët varfërohen edhe më shumë dhe shpërngulen masivisht nga Shqipëria, borxhi publik i kapërceu  80% të PBB

Edhe pse ende kryeministri Rama nuk e ka shpallur datën e zgjedhjeve parlamentare, de fakto, qeveria po bën fushatë elektorale, duke shpërdoruar buxhetin e shtetit, për të rritur pagën e administratës publike. Dihet që administrata publike është shtuar mbi 40% në qeverisjen e kryeministrit Rama, janë punësuar të gjithë militantët e “Rilindjes”, për t’i shpërblyer për kontributin që dhanë në fushata zgjedhore. Pikërisht, sa më shumë ofrohet data e zgjedhjve të reja, qeveria me ligje dhe VKM bën fushatë elektorale. Parlamenti në shtator, do të miratojë projektligjin për rritjen e pagave të administratës publike. Qeveria e kryeministrit Rama ka 7 vjet, që ka ngrirë pagat e punonjësve, sepse buxhetin e shtetit, taksat që vjel nga bizneset dhe qytetarët i shpërdoron për të paguar mbi 2.600 koncesione dhe tendera, shumica e tyre janë dhënë pa transparencë, ku opozita ka denoncuar dhe akuzuar, madje edhe ka bërë padi penale, se këto u janë dhënë klientëve të kryeministrit Rama. Ndërkohë, mijëra shqiptarë emigrojnë çdo vit nga Shqipëria, pikërisht për kushtet e vështira të jetesës, varfëri e madhe, papunësi, pa shpresë për të ardhmen.  Ligji i “Për nëpunësit civilë” dhe “Për administratën publike” sanksionojnë se pagat e punonjësve të administratës publike rriten, sa herë që edhe Presidentit të Republikës i rritet paga. Këtë shfrytëzon qeveria dhe parlamenti, duke nxjerrë si justifikim, se pagat e nëpunësve të administratës publike do të rriten, ngaqë i rritet edhe paga Presidentit të Republikës. Pyetja është: Pse paga e nëpunësve të administratës publike u rritet në fillimin e fushatës elektorale? Mos vallë për t’i joshur, që këta të votojnë vetëm qeverinë e “Rilindjes”, për ta patur karriken e punës më të sigurtë?

Projektligji

Qeveria nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike (DAP) duhet të realizojë reformën në sektorin publik sipas angazhimeve që ka marrë në procesin e integrimit në BE. Kuvendi i Shqipërisë në një rezolutë të posaçme i ka kërkuar qeverisë që të përshpejtojë reformën e pagave dhe ta realizojë atë brenda 6 -mujorit të parë të vitit 2021. Kuvendi i ka kërkuar DAP-it  të përmbyllë punën për konsultimin e dokumentit për reformën e pagave brenda qershorit 2021 evidentimin e efekteve financiare dhe planifikimin e hapave në vijim për implementimin e kësaj reforme dhe të përshtaste pagat në varësi edhe të angazhimeve dhe detyrave që nëpunësit përmbushin si rrjedhojë e detyrimeve të ligjeve të veçanta, siç është dhe ligji nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve Reforma në sektorin e pagave publike po kryhet me mbështetjen e projektit IPA 2014 “Zbatimi i reformës së shërbimit civil në administratën publike”. Reforma përmban dy nënrregullime sa i takon strukturës së re të pagave në administratën publike, së pari, zbatimin e strukturës së re të pagave sipas legjislacionit të shërbimit civil dhe së dyti, vendosjen e standardeve që do të shërbejnë si udhërrëfyes për përcaktimin e pagave për të gjithë  administratën publike, duke mbajtur në konsideratë parimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”,  si dhe shpërblimin e drejtë për përgjegjësinë dhe impaktin që jep puna e gjithsecilit në realizimin e funksioneve dhe detyrave të institucionit. DAP-i njofton se, dokumenti i reformës së pagave pritet të finalizohet gjatë vitit 2020, dhe më pas DAP-i në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë do të fillojë llogaritjen e implikimeve të buxhetit për këtë reformë me qëllim zbatimin e plotë të saj. Sa i takon vitit 2019, nuk ka një vlerësim të këtij indikatori nga SIGMA, megjithatë pritet që realizimi i reformimit të sistemit të pagave të adresojë rekomandimet e vlerësimit të fundit të SIGMA. Gjithashtu nuk ka ndryshuar që nga viti 2017 , indikatori që paraqet raportin e pagës maksimale në administratën publike (paga e Presidentit të Republikës së Shqipërisë) me pagën minimale në administratën publike. Ky indikator nuk ka ndryshim krahasimisht me vitin 2017 pasi paga e Presidentit duhet të jetë 22 herë më e lartë se paga minimale në vend. Kështu me rritjen e pagës së Presidentit rriten në mënyrë automatike edhe pagat minimale në administratë, por paga e kreut të shtetit nuk është rritur që prej tre vjetësh.