Shqipëria, vend me demokraci të cunguar, rrëshqet drejt autoritarizmit

211
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gazeta e përditshme franceze e së Majtës, “Liberation”

Këto vende të Ballkanit janë të gërryera nga korrupsioni

Fillimi i korrikut, dita kur ish- republika jugosllave e Sllovenisë ka marrë presidencën 6 mujore të Bashkimit Evropian, me premtimin për ta çuar më përpara afrimin e Ballkanit Perëndimor me unionin, ka ringjallur edhe njëherë shumë pikëpyetje. Fakti që udhëheqësi populist liberal, Janezh Jansa do të kryesojë për gjysëm viti BE-në, i shoqëruar nga përhapja e këtij modeli që bie ndesh me vlerat e 27- es edhe në Hungarinë e Orbanit, apo në Çeki, e Poloni po ringjall frikërat se, zgjerimi i mëtejshëm mund ta bëjë edhe më lëmsh Evropën. Në këtë prizëm, e përditshmja franceze e së Majtës, “Liberation”, që i ka kushtuar një dossier kësaj çështjeje, ka bërë një klasifikim të regjimeve autoritare dhe gjysëm autoritare të kontinentit, duke përfshirë aty vendet anëtare të BE-së, si dhe ato që aspirojnë të bëhen pjesë. Natyrisht tek vendet me demokraci të cunguar, renditet edhe Shqipëria.

“Liberation” ka bërë një klasifikim të regjimeve autoritare dhe gjysëm autoritare të kontinentit, duke përfshirë aty, vendet anëtare të BE-së, si dhe ato që aspirojnë të bëhen pjesë. Tek vendet me demokraci të cunguar, renditet edhe Shqipëria”

Gazeta ka bërë një klasifikim sipas të dhënave të “Freedom House”, të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës qendrore, ku në bazë të rregullsisë së zgjedhjeve, lirisë së medias, drejtësisë së pavarur dhe korrupsionit, secili shtet merr notat, nga zero deri në 100. Aty Shqipëria renditet me 46 %, pothuajse pas Serbisë, 48 %, dhe Maqedonisë së Veriut 47%.  Por, për të kuptuar me fjalë se çdo të thotë kjo renditje për ne, është mirë të krahasohet përshkrimi që “Liberation” i bën Serbisë së Vuçiçit që renditet me vetëm dy pikë më mirë. “Së bashku me Malin e zi, Serbia është më e avancuara në procesin e integrimit. Por bilanci i Aleksandër Vuçiçit, kryeministër që prej 2014 dhe president i republikës që prej 2017, është larg standardeve të BE-së. Ai kontrollon mediat, ka shtuar kultin e personalitetit, zgjedhjet janë bojkotuar nga opozita. Ish- ministri i Millosheviçit e kontrollon vendin me një dorë të hekurt, pa nxitur shqetësimin e Brukselit”.  Pra, duke parë këtë analizë problemi nuk është vetëm të kuptohet se si vizatohet Shqipëria që me pikë është edhe pas Serbisë, por të hidhet dritë edhe se pse, shumë vende evropiane janë ngurruese ta shtojnë BE-në me modele shtetesh autoritare që mund t’i ngjajnë Hungarisë apo Polonisë. “Këto vende janë të gërryera nga korrupsioni dhe po rrëshkasin drejt autoritarizmit”, shkruan “Liberation”.  Prandaj gazeta thotë se, propozimi i ish- presidentit francez Mitterrand, menjëherë pas rënies së komunizmit, që vendet e Lindjes mos bëheshin menjëherë anëtare, por integrimi të bëhej hap pas hapi, duke filluar me ngritjen e një konfederate, ndonëse mori shumë kritika, ishte më i drejti.

“Këto vende janë të gërryera nga korrupsioni dhe po rëshkasin drejt autoritarizmit, – shkruan “Liberation”

Gazeta i jep të drejtë edhe presidentit Macron, që vuri veton në tetor 2019, ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, pa vendosur më parë një sistem kontrolli për përparimin e tyre, që mund ta kthejë dhe mbrapa procesin, nëse vendi kandidat bën regres. “Ky propozim ngjalli polemika të forta në shtypin gjerman dhe britanik, sa arritën deri në akuza se, Franca do t’i lërë Ballkanin Rusisë dhe Kinës- shkruan e përditshmja. Por në shkurt 2020, komisioni i pranoi shumicën e propozimeve franceze. Tani procesi është i kthyeshëm. Kështu edhe nëse negociatat mbi 6 grupet tematike të politikave të BE-së përfundojnë, ato mund të rifillojnë nga e para, nëse gjatë kësaj periudhe vërehen regrese”. Pra, përballë hapave pas që po bën demokracia në rajonin tone, BE-së s’i ka mbetur asnjë zgjidhje tjetër, veçse të kujdeset që ky virus, të mos bëhet më i fortë edhe brenda saj.