/Gazeta TELEGRAF
PD ka denoncuar qeverinë se po shpërblen me fonde publike, ata që i konsideron si “autorë të masakrës zgjedhore”. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se, kryeministri Edi Rama, ka nisur një aksion propagandistik në vijën bregdetare dhe kërkon që të krijojë një imazh të rremë me pretendimin se, situata është nën kontroll, por kjo gjë nuk e mbulon “rrokopujën e rendit dhe sigurisë”.
Denoncimi
Pasi masakra e Velipojës nxori edhe njëherë në pah gjunjëzimin e shtetit përballë krimit, përgjigja e vetme që regjimi Rama-Doshi ishte nisja e aksionit propagandistik në vijën bregdetare, nëpërmjet të cilit kërkojnë të krijojnë imazhin e rremë të një situate nën kontroll. Por, sikurse qytetarët e dinë, e kundërta është e vërtetë. Ndaj ky aksion, nuk e mbulon dot rrokopujën e rendit dhe sigurisë, sepse rrënjët e masakrës së Velipojës, janë të thella dhe shkojnë tek modeli mbi të cilin është ngritur pushteti i regjimit Rama-Doshi: lidhjet e politikës me krimin dhe bashkëpunimi i tyre në vjedhjen e zgjedhjeve. Dhe Velipoja është një nga skenat e krimit zgjedhor, sepse aty prej vitesh vepron trafikanti i drogës Pëllumb Gjoka, një nga ushtarët më të rrezikshëm të regjimit Rama-Doshi, që në çdo palë zgjedhje, zbret në fushë për të blerë vota, për të shantazhuar qytetarët dhe në këmbim, fiton pandëshkueshmërinë, lirinë për të pastruar paratë e pista dhe akses në tenderat publikë. Dhe fill pas masakrës zgjedhore, si shpërblim për shërbimet e tij ndaj Ramës, trafikanti Pëllumb Gjoka, përfiton pa garë nga Bashkia Tiranë, tenderin me objekt “Shërbim mirëmbajtje dhe furnizim me solucion për tunelet e dezinfektimit”, me vlerë kontrate 204 mijë euro (95% e fondit limit). Por shpërblimet nuk kanë munguar edhe përpara masakrës zgjedhore, pasi nga shtatori 2020 ka përfituar nga e njëjta bashki 5 tendera me vlerë 1.8 milionë euro si dhe në janar 2021 (periudhë zgjedhore) ka përfituar nga KKT me firmën e Edi Ramës “Leje për ndërtimin e objektit: “Kompleks turistik “Silver Sand Resort”, me vendndodhje në zonën Pulaj-Plazh, Velipojë. Tenderat të fituar pa garë dhe leja e ndërtimit në Velipojë me vulën e Edi Ramës, janë ilustrimi më kuptimplotë se si paratë e drogës shkrihen me paratë publike, dhe se si shteti, vendoset në shërbim të kriminelëve që vodhën zgjedhjet, për të vjedhur bashkë me politikanët e korruptuar, taksat e shqiptarëve. Ne i bëjmë përsëri thirrje SPAK, të mos vonojë hetimet ndaj autorëve të masakrës zgjedhore, sepse çdo tolerim, çdo vonesë, dëmton drejtpërsëdrejti qytetarët shqiptarë, duke çimentuar edhe më shumë kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. Krimet zgjedhore, lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsioni që lulëzon për të ushqyer me para publike këtë lidhje, godasin ekonominë, godasin sipërmarrjen e ndershme, godasin sigurinë e çdo familje që sheh në pandëshkuehsmërinë e politikës të lidhur me krimin, pamundësinë për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre në Shqipëri.




















