Shqipëria vend kryesor i pastrimit të parave

252
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka klasifikuar Shqipërinë në listën e vendeve më të mëdha të pastrimit të parave për vitin 2017. Në raportin e fundit mbi Strategjinë e kontrollit të narkotikëve, DASH thotë se Shqipëria mbetet në rrezik domethënës për pastrim parash për shkak të korrupsionit të gjerë dhe institucioneve të dobëta.
“Shqipëria ka një ekonomi të madhe cash dhe informale, me flukse domethënëse parash që hyjnë nga jashtë në formën e remitancave. Burimet kryesore të parasë kriminale vijnë nga trafiku i drogës, evazioni fiskal, kontrabanda dhe trafiku i qënieve njerëzore,” thuhet në raport.
Por cfarë do të thotë klasifikimi në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave?
Sipas Departamentit të Shtetit, në vendet që bëjnë pjesë në këtë liste, institucionet financiare kryejnë transaksione, të cilat përfshijnë shuma domethënëse parash që burojnë nga trafiku i drogës.
“Ndërtimi, veccanërisht në zonat bregdetare, projektet e biznesit dhe kumari janë metodat më më popullore të pastrimit të parave në Shqipëri,- thuhet në raport.
Sipas Departamentit të Shtetit, institucionet shqiptare janë inefektive në luftën kundër pastrimit të parave. Si rezultat paratë e pista në vend pastrohen lehtësisht.
Shqipëria u rikthye në listën e zezë të pastrimit të parave vitin e kaluar për shkak të rritjes masive të trafikut të drogës dhe parasë kriminale në ekonomi. Edhe këtë vit Departamenti i Shtetit e ka mbajtur Shqipërinë në të njëjtën listë duke i kërkuar qeverisë të forcojë luftën ndaj pastrimit të parave, dhe të konfiskojë pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme.