Bashkitë mund të caktojnë pranë bizneseve, që janë debitore në pagesën e taksave një punonjës të tatimeve vendore për t’u kontrolluar xhiron ditore dhe bllokuar të paktën gjysmën e kësaj xhiroje deri në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Nis sekuestrimi i xhiros ditore të bizneseve që janë borxhlinj ndaj tatimeve
Bashkitë mund të caktojnë pranë bizneseve që janë debitore në pagesën e taksave një punonjës të tatimeve vendore për t’u kontrolluar xhiron ditore dhe bllokuar të paktën gjysmën e kësaj xhiroje deri në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Ky është njëri prej përcaktimeve të bëra në një udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, si ministria përgjegjëse e pushtetit vendor. Udhëzimi me titull “Për përcaktimin e uniformitetit minimal të standardeve proceduriale për mbledhjen e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore” është hartuar më 20 qershor dhe botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare. Në të përcaktohen kushtet dhe afatet për nisjen e mbledhjes me forcë të detyrimeve të prapambetura. Në pikën 1.2 të kreut të tretë të udhëzimit të përbashkët të dy ministrive thuhet se me urdhër të kryetarit të bashkisë, apo të titullarit të administratës tatimore vendore në rastet kur kjo administratë është më vete në bashki nis verifikimi në terren i aktivitetit tregtar të subjektit debitor. “Administrata tatimore vendore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të taksapaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50 për qind të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi i taksave dhe tarifave vendore për të cilat kanë filluar masat shtrënguese. Taksapaguesi njoftohet paraprakisht se do të fillojë verifikimi dhe monitorimi në terren i aktivitetit tregtar të tij. Urdhri për të konfiskuar në fund të çdo dite një shumë jo më pak se 50% e qarkullimit ditor të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor, lëshohet nga titullari i NJVV-së ose drejtuesi i strukturës së taksave e tarifave vendore, kur kjo e fundit është e organizuar si njësi shpenzuese më vete”, përcaktohet në udhëzim.
Procedura e verifikimit në terren të xhiros ditore dhe sekuestrimit më shumë se gjysmës së kësaj xhiroje nis kur tatimpaguesi ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara nga ligjet dhe vendimet në fuqi për pagesën e detyrimeve. Kur sekuestrimi i parave në arkë nuk mjafton për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të këtyre bizneseve, atëherë administrata tatimore vendore ka të drejtë që t’i drejtohet Qendrës Kombëtare të Biznesit për të bllokuar çdo veprim, si shitje apo transferim të biznesit nga pronari debitor. Veç kësaj, pronari i subjektit debitor mund të paditet penalisht dhe t’i ndalohet me vendim gjykate dalja jashtë vendit nëse më parë nuk ka shlyer detyrimet. Udhëzimi u jep mundësi subjekteve debitore që të zgjedhin të paguajnë me këste detyrimet e prapambetura. Në këtë rast, në pagesë përfshihet edhe kamatë vonesa, gjobat, apo interesat e tjera për vonesën e shlyerjes së detyrimit. Taksat vendore përfshijnë taksën vendore për biznesin e vogël, taksën mbi pasurinë e paluajtshme, që përbëhet nga taksa mbi ndërtesat dhe taksa mbi tokën bujqësore, taksa e fjetjes në hotele, taksa mbi të drejtën e transferimit të pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, që paguhet vetëm nga bizneset, tarifa mbi zënien e hapësirës publike dhe taksa mbi tabelën, tarifa e pastrimit, gjelbërimit etj, si dhe taksa e tarifa të përkohshme. Udhëzimi i dy ministrive pason një raport të Ministrisë së Financave, që flet për 26 bashki me probleme madhore financiare, dy prej të cilave në prag falimenti.