Porti i Durrësit mbytet nga kokaina duke zyrtarizuar alarmin e ndërkombëtareve, mediave dhe antimafjes italiane se Shqipëria është kthyer në “Kolumbinë e Europës”. Dje në mbrëmje për të disatën herë gjatë 8 viteve të fundit, në kontenjerët me banane të “BanaKing” janë kapur 2 arka me 35 kg kokainë dhe janë shoqëruar vetëm 8 puntorë. Më 10 korrik tek kontenjerët e të njëtës kompani u kapë një sasi kokaine dhe rezultuan të zhdukura 50 arka me banane, ku mendohet se ishin futur rreth 1 ton kokainë. Kush është zyrtari i lartë që mbron trafikun e kokainës së “BanaKing”, kur drejtuesit e policisë dhe kryeprokurorët janë ndërruar disa herë?!
Kush është pushtetari i fuqishëm që fshihet pas kompanisë që transporton pa u ndëshkuar deri 1 ton kokainë në Portin e Durrësit?!
Një sasi prej 33.5kg kokainë është gjetur mesditën e të enjtes në Portin e Durrësit. Media raporton se droga është gjetur në kontejnerët me banane të firmës ‘BanaKing’, rast ky i përsëritur pasi nuk është hera e parë që i është gjetur kokainë në kamionët e saj. Droga ishte e ndarë në 31 pako, me peshë totale 33.5 kilogramë të vendosura në 2 arka bananesh. Kamioni ku ishte vendosur droga rezultoi i pastër në skaner, por pas informacioneve të sigurta të anti-drogës për një sasi të konsiderueshme, kanë detyruar hetuesit të nisin një kontroll fizik me qen të arkave me banane, nga ku u zbulua dhe sasia e kokainës. Për pasojë, janë shoqëruar 8 persona, pjesëtarë të ‘BanaKing’, por edhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit. Ndërkohë, në Portin e Durrësit 84 kontejnerë e ‘BanaKing’ po i nënshtrohen kontrollit, teksa pritet të skanohet edhe kamioni, pasi ka dyshime se ka sasi të tjera.
Itinerari: Anija është nisur në 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama, në portin ‘Cristóbal’. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port 21 tetor. Në këtë datë, është nisur drejt Shqipërisë, ku ka mbërritur në Portin e Durrësit më 28 tetor, e ndërsa zbulimi i drogës është bërë, sot 3 nëntor.
Drogë në kontejnerët e ‘BanaKing’, rast i përsëritur
Kjo nuk është hera e parë në kontejnerët me banane të Kompanisë ‘BanaKing’ është gjetur drogë. Rasti më i fundit ka qenë në korrik të këtij viti. Kontejneri me banane u gjet i hapur dhe u zbulua se mungonin rreth 50 arka, të cilat dyshohet se kishin kokainë. Episodet me drogë në Portin e Durrësit janë të shumta. Prokuroria dyshon se në bashkëpunim punonjësit e Forcave të Sigurisë në Autoritetin Portual të Durrësit kanë shpërdoruar detyrën. Kontejneri që u nis nga Ekuadori konsiderohet me risk të lartë, por autoritetet portuale thyen portokollin dhe nuk morën asnjë masë parandaluese dhe kontrolluese duke e lënë ngarkesën tek sheshi i zakonshëm i kontejnerëve dhe jo në mbikqyrje të lartë. Kontejneri mbërriti në Portin e Durrësit më 8 korrik. Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë, prokuroria thotë se deri më 10 korrik, pra për 2 ditë, nuk rezulton që të ketë dyshime për lëvizje të kontejnerit. Prokuroria e Durrësit dyshon se 49 arkat mund të jenë hequr mes datave 13 deri dhe 16 korrik. Në orën 21:59 të 13 korrikut kontejneri ka bërë një lëvizje të dyshimtë duke shkuar nga kati i parë në të tretin, në një zonë të zakonshme. Këtë ditë, dhe më 14 korrik, ndryshe nga herët e tjera, në turn ishte caktuar vetëm një roje sigurie i autoritetet portual, ndërsa duhej të ishin 2. Gjatë kontrollit më 16 korrik doganierët konstatuan se kontejneri nuk ishte i vulosur me plumbçe me numrin përkatës serial, pra në këtë rast, kanë munguar elementet e sigurisë dhe nuk korrespondonin arkat me banana, që ishin deklaruar në dokumentacion dhe kutive që gjendeshin vërtetë brenda. Të gjithë veprimet janë bërë përpara se kontejneri të kalonte në skaner dhe hetuesit dyshojnë se është hapur në mënyrë të paligjshme nga trafikantët për të marrë drogën brenda tij.
Edhe SPAK në Portin e Durrësit
Operacioni i quajtur ‘Again’, u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.






















