Shqipëria e para në Evropë për aplikimet për Lotarinë Amerikane, 367, 231 aplikues

554
Sigal

Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për numrin e aplikimeve për Lotarinë Amerikane në vitin 2017. Sipas të dhënave të “Pew Research Center”, në Shqipëri kanë aplikuar 13% e popullsisë, duke u renditur vendi i parë në Evropë, ndërsa vendet e lindjes janë ato që kryesojnë. Sipas të dhënave të DASH, në vitin 2017, kanë aplikuar për lotarinë plot 315,842, ndërsa në vitin 2018, ky numër është rritur më tej, duke shkuar në 367,231 aplikues. Në Evropë, pas Shqipërisë vjen Moldavia me 11% si dhe Armenia me 9 për qind. Në Azi, Uzbekistani dhe Nepali renditen të parët, përkatësisht me 7 dhe 4%, ndërsa në Afrikë renditet Sierra Leone me 14% dhe Gana me 9%. Në përgjithësi-thotë raporti-pothuajse 1% e njerëzve në vendet përkatëse kërkuan programin e lotarisë, ndërsa në total kanë aplikuar 22.4 milionë njerëz në vitin 2017 për programin e vizave. SHBA-të kanë pranuar vetëm 50 mijë persona, që u jepet karta jeshile, duke ju mundësuar vendbanim të përhershëm atje. Megjithatë, numri i aplikuesve në vitin 2017 pësoi ulje, pasi një vit më herët kishin aplikuar 23 milionë persona. Ulja erdhi pasi administrata e Trump dhe disa anëtarë të Kongresit kanë kërkuar të eliminojnë programin – i vetmi i këtij lloji në nivel global. Programi ka nisur në vitin 1995, dhe aplikuesit janë pranuar çdo vit, zakonisht në vjeshtë. Përfituesit e vizave përzgjidhen rastësisht dhe mund të hyjnë në SHBA afërsisht dy vjet pas aplikimit të tyre fillestar. Për shembull, fituesit e lotarisë që aplikuan në vitin kalendarik 2017 kanë kohë deri më 30 shtator 2019, për të marrë vizën e diversitetit. Megjithatë, jo të gjithë banorët e shteteve të botës mund të aplikojnë. Për shembull, banorët e Meksikës, Kinës dhe Indisë nuk mund të aplikojnë për shkak të numrit të madh të emigrantëve, që kanë dërguar në SHBA, zakonisht numri i kalon 50 mijë. Lista e vendeve të kualifikuara mund të ndryshojë çdo vit. Për shembull, për shkak të rritjes së emigracionit në SHBA, qytetarët e Bangladeshit u bënë të papërshtatshëm për lotarinë, duke filluar nga viti 2011 dhe ata nga Nigeria u bënë të papërshtatshëm që nga viti 2013. Të tjerë mund të fitojnë të drejtën për lotarinë, nëse imigrimi në SHBA ngadalësohet, siç ishte rasti me qytetarë të Rusisë, të cilët filluan të kenë të drejtën që në fillim të vitit 2008, ndërsa ata nga Polonia nisën aplikimet, duke filluar nga viti 2012.