Shqipëria diskriminon qytetarët në pandemi

178
Sigal

Raporti i Amnesty International: Qeveria nuk mori masa të mjaftueshme për pandeminë dhe shfrytëzoi krizën e saj për pushtet, minimin e lirive dhe si një arsye për të injoruar obligimet për të drejtat e njeriut. Dhuna në familje shënoi rritje. Kryeministri Rama kërcënoi se do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme për të mbyllur grupe mediatike. Policia përdori forcë dhe dhunë kundër protestuesve

Disa masa për të luftuar pandeminë kanë përkeqësuar nivelin e pabarazisë në Evropë dhe Azinë Qendrore, thuhet në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International. Një numër i qeverive, sipas raportit, e përdorën krizën e pandemisë “për marrjen e pushtetit, minimin e lirive dhe si një arsye për të injoruar obligimet për të drejtat e njeriut”. Në raportin për të drejtat e njeriut në botë, organizata thekson se masat e qeverive ndaj pandemisë “ekspozuan përjashtimin shoqëror, pabarazinë dhe mbivlerësimin e shtetit”. Organizata thekson se qeveritë gjithashtu nuk morën masa të mjaftueshme për të mbrojtur gazetarët dhe sinjalizuesit, duke përfshirë punëtorët shëndetësorë dhe nganjëherë shënjestruan ata që kritikuan përgjigjet e qeverisë ndaj pandemisë. “Këto raste janë shënuar në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Armeni, Bjellorusi, Hungari, Kazakistan, Poloni, Rusi, Turqi, Ukrainë dhe Uzbekistan”, – thuhet në raport.

Amnesty International. Një numër i qeverive, sipas raportit, e përdorën krizën e pandemisë “për marrjen e pushtetit, minimin e lirive dhe si një arsye për të injoruar obligimet për të drejtat e njeriut”

SHQIPËRIA 2020

Në kapitujt për Shqipërinë AI nënvizon se problemi i dhunës në familje vazhdoi në këto vende, madje u thellua gjatë kohëzgjatjes së masave më të forta izoluese. Po ashtu, organizata ngre shqetësime të tjera, ndër to lidhur me lirinë e operimit të medias, kërcënimin e gazetarëve, si dhe diskriminimin e grupimeve pakicë të vërejtura në të dyja vendet. Përmbledhje: Dhuna në familje shënoi rritje gjatë periudhës së kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë. Kryeministri Edi Rama kërcënoi se do të përdorte kompetencat e jashtëzakonshme për të mbyllur grupe mediatike të cilat i akuzoi se po “përhapin panik” për COVID-19. Po ashtu, grupime tradicionalisht të mënjanuara dhe diskriminuara, si romët dhe komuniteti LGBTI vazhduan të ndeshen me keqtrajtim.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave

Raporti vëren se dhuna me bazë gjinore u keqësua. AI citon një organizatë joqeveritare që ka regjistruar rritje të telefonatave në linjën kombëtare për gratë e vajzat e keqtrajtuara në periudhën mars-maj të vitit 2020. Raporti përmend edhe revoltimin publik të shprehur në lidhje me keqtrajtimin e një 15-vjeçareje nga roja e shkollës dhe tre persona të tjerë në qershor si dhe protestat në Tiranë me thirrjet për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.

Liria e Fjalës

Raporti veçon ndër problemet në këtë kategori kërcënimet e Kryeministrit Rama për të mbyllur grupe mediatike që i akuzonte për “përhapje paniku” lidhur me pandeminë. Gjithashtu, Amnesty International nënvizon edhe faktin që autoritetet tërhoqën ligjin kundër shpifjes që kishte shkaktuar reagime dhe polemika të forta si kërcënim ndaj lirisë së medias.

Në Shqipëri qeveria nuk mori masa të mjaftueshme për të mbrojtur gazetarët dhe sinjalizuesit, duke përfshirë punëtorët shëndetësorë dhe nganjëherë shënjestruan ata që kritikuan përgjigjet e qeverisë ndaj pandemisë

Refugjatët, azil-kërkuesit dhe migrantët

Amnesty International përmend në raport shqetësimet e ngritura nga Raportuesi i OKB-së dhe Ombudsmani për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në rastin e ekstradimit të shtetasit turk, Harun Çelik, që kishte kërkuar azil në Shqipëri, pasi i trembej persekutimit si gulenist nga autoritetet turke.

Diskriminimi

Viti 2020 regjistroi edhe protesta të pakicës rome, pasi nuk kishte përfituar nga ndihma emergjente e qeverisë, sepse kjo ndihmë nuk mbulonte punonjësit e sektorit informal. Parlamenti, vëren raporti, miratoi një amendament ligjor duke zgjeruar ndjeshëm grupet që do të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.

Përdorimi i forcës së tepruar

Raporti dënon përdorimin e “forcës jo proporcionale nga policia” ndaj protetuesve që kishin dalë për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020. Po ashtu AI veçon rastin e dy gazetarëve të sharë dhe sulmuar fizikisht nga policia, ndërkohë që ata po mbulonin protestat, një prej të cilëve u ndalua për pak kohë. Amnesty International përmend edhe protestat, në disa raste të shoqëruara me përleshje, që pasuan vdekjen e 25-vjeçarit të qëlluar nga policia pasi kishte shkelur orën policore të vënë në kuadër të masave të pandemisë. Këshilli i Evropës u bëri më pas thirrje autoriteteve të Shqipërisë të anulojnë ndalimin e përgjithshëm, pa cilësim të lirisë së grumbullimit.