Shpërthen Trump: Marrin paratë tona, pastaj votojnë kundër

517
SHQIPERIA KUNDER SHBA/ Tirana zyrtare refuzon kërkesën e Uashingtonit për të hedhur poshtë rezolutën në OKB. Shtëpia e Bardhë: Do t’i mbajmë shënim këto vota 
Shqipëria votoi kundër qëndrimit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në një ndër çështjet më të debatuara dhe më të rëndësishme për politikën e jashtme të Uashingtonit. Pavarësisht deklarimit të hapur të Shteteve të Bashkuara për rëndësinë e votës pro qëndrimit të tyre për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, Tirana zyrtare vendosi të bashkohet me kundërshtarët e kësaj linje. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria ishte mes 128 vendeve që votuan pro rezolutës. “Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA në OKB, Niki Halej, në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit. Diplomatja amerikane ishte edhe më direkte. “Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi Halej.

Sesioni i Asamblesë u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze. Aty thuhet gjithashtu se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”. Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare. Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan, pasi 128 vende e mbështetën. Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin “jo” Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau. Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.

Trump merr listën e vendeve rebele
Në fillim të javës, ambasadorja e SHBA në Nju-Jork, Niki Halej, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t’i raportonte Presidentit Donald Trump, se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale. Presidenti i SHBA, Donald Trump kërcënoi me ndërprerjen e fondeve ndaj vendeve që përpiqen të votojnë në OKB një rezolutë, duke dënuar njohjen nga ana e Uashingtonit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. “Ne do të mbajmë shënim këto vota”, u shpreh ai nga Shtëpia e Bardhë, duke dënuar të gjithë këto shtete që marrin paratë tona dhe më pas votojnë kundër nesh në Këshillin e Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme. “Ata marrin qindra milionë dollarë dhe ndoshta miliarda dollarë dhe më pas votojnë kundër nesh”, u shpreh ai me rastin e një takimi në prani të kabinetit. “Lërini të votojnë kundër nesh, ne do të kursejmë shumë”, shtoi ai, para se të falënderonte ambasadoren amerikane në OKB, Niki Halej, për iniciativën e saj në këtë çështje.

“Historia i regjistron emrat, i kujton emrat”, tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. “Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes”, shtoi ai. Ndërsa ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ishte posaçërisht në Nju-Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e Trump se, nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat. “Një qëndrim i tillë është i papranueshëm”, tha Çavushoglu. “Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi”, tha ai. Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën. Edhe në Bashkimin Evropian prej 28 vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.


Sigal