Vangjel Tavo: LSI, tmerri dhe makthi i “Rilindjes”

200
Sigal

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Vangjel Tavo deklaron se 25 prilli është dita e fitores së madhe dhe kapitullimi i plotë i “Rilindjes”.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Tavo tha dje se LSI-ja është shndërruar tashmë në tmerrin dhe makthin e “Rilindjes”.

E frikësuar gjer në palcë nga largimi i sigurtë, thotë Tavo, “Rilindja” është vërsulur të anatemojë LSI-në duke sajuar çdo ditë gënjeshtra e duke sinkronizuar deklaratat për të luftuar partinë që i ka kallur tmerrin, bashkë me Opozitën e Bashkuar e cila do e shporrë përgjithmonë.

 

Postimi i tij i plotë :

LSI tmerri dhe makthi i “Rilindjes”. E panikosur gjer në palcë nga largimi i sigurtë “Rilindja” është vërsulur të anatemojë LSI-në duke sajuar çdo ditë gënjeshtra e duke sinkronizuar deklaratat për të luftuar partinë që i ka kallur tmerrin, bashkë me Opozitën e Bashkuar e cila do e shporrë përgjithmonë. Sulmet plot panik nuk e dëmtojnë LSI-në, përkundrazi e rrisin atë edhe më shumë, dhe këtë “Rilindja” e ka të provuar. Jeni bërë qesharakë të dëshpëruar. Shqiptarët e shohin se sa në hall të madh keni rënë. Sesi po qyrraviteni, sepse edhe pak javë ju kanë mbetur nga vjedhjet dhe zhvatjet qindra miliona euro. Ju e shihni qeverisjen si përfitim dhe jo shërbim, si mjet për t’u pasuruar dhe jo privilegj për të ndryshuar jetën e shqiptarëve, ndaj edhe shpikni mashtrime mediatike se iku ky apo iku ai, sepse e dini që të vetmit që do ikin e shporren përgjithmonë jeni ju, sekti i “Rilindjes” që mjeroi shqiptarët. Ndaj, të gjithë shqiptarët, me apo pa bindje partiake, socialistë të thjeshtë që “Rilindja” ju turpëroi, të rinj e të reja, familje të thjeshta, bashkoni edhe më shumë forcat dhe ndëshkojeni rëndë “Rilindjen,” e të gjithë së bashku ta shporrim përgjithmonë këtë të keqe të madhe. 25 prilli është dita e fitores së madhe dhe kapitullimi i plotë i “Rilindjes.”