Sigal

Për të tretën herë pasi vendosi të japë dorëheqjen, ministri i brendshëm në largim Fatmir Xhafaj ka komentuar edhe një herë arsyet e tij.

Fillimisht bëri një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale ku e vetmja frazë për tu veçuar ishte vlerësimi se në pak më shumë se një vit ïshin bërë punë të mëdha, të pamendueshme më parë”. Tingëllonte si një “shigjetë” për ata që e kishin sulmuar nga brenda mazhorancës, ku njëri prej tyre ishte rreshtuar hapur edhe paraardhësi i tij në këtë detyrë, Saimir Tahiri.

LEXO EDHE:

Nishani: Ja çfarë e solli

Reagimi i dytë ishte për gazetarët e shumtë që e prisnin te dera e ministrisë. Aty bëri vetëm një falënderim për familjen dhe bashkëpunëtorët ndërsa ai që duket si më i forti është një koment që ka bërë në Twitter gjatë pasdites së të shtunës. Në disa postime, Xhafaj thotë se ka marrë shumë mesazhe mbështetjeje nga socialistë dhe njërëz të panjohur prej tij. Për këta, ministri thotë se ka ikur nga detyra me vullnetin e tij.

“I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua” – thotë Xhafaj që më pas bën një kundërsulm për opozitën duke e sfiduar atë.

“Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vete, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër”- shkruan Xhafaj.

Pjesa më kulmore duket se është për në fund ku mesazhi duket si i koduar.

“Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që nuk mund të kuptojë dot se ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo” – thotë Xhafaj.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që s’mund të kuptojë dot se ka dhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo

Fatmir Xhafaj thotë se është një “njeri i lirë dhe vetëvetja”, por vetëm pak orë më parë në një takim në Lushnje, kryeministri Rama thoshte se “njerëzit e lirë në një parti që qëllojnë me gurë shtëpinë e tyre duhet të largohen”.

“Kur hyn në një parti, nuk i bën dot të gjitha siç i bëje përpara. Unë që kur hyra në parti hoqa dorë nga ideja që mund të shkoja prapë në plazh nudo. Por ka edhe të tjera. Diskutojmë ne me njëri tjetrin dhe ndonjëherë kemi ndonjë shok që thotë: “Unë jam njeri i lirë”. Jo mo se nuk je njeri i lirë. Je njeri i lirë ta thuash, këtu dhe ta diskutojmë këtu, por nuk je njeri i lirë të dalësh atje dhe t’i gjuash me gurë shtëpisë ku jemi bashkë se nuk ka kuptim. Nëse do që t’i gjush me gurë shtëpisë, ik se nuk je i shtëpisë”- thotë Rama.

Këto dy mesazhe janë një shkëmbim i qartë i përplasjes Rama-Xhafaj brenda qeverisë që çoi në largimin e këtij të fundit. Mbi arsyet e përplasjes mes tyre janë dhënë shumë versione, por siç thotë edhe vetë Xhafaj, “koha” që për të mbetet “gjykatësi më mirë” do të zbulojë edhe atë që ndodhi këtë fund tetori në selinë rozë.