Shpendi Topollaj: Kujt i vlen gjithë kjo zhurmë në fushatë elektorale?

48
Sigal

Në kohën e mashtrimeve universale, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.

George Orwell

Të gjithë politikanët janë si panolinat e fëmijëve, duhet patjetër të ndërrohen rregullisht, sepse ndoten shpesh”. Dhe kjo është e vetmja rrugë e përparimit të vendit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe jo ajo përralla me cilësitë hyjnore të atij kreshnikut epik që është në krye.



Fushata e zgjedhjeve te ne, ashtu sikurse pritej, po zhvillohet e ashpër, për të mos thënë, e egër, duke thelluar sherrnajën politike dhe përçarjen në popull. Akuzat e kundërakuzat, fyerjet e denigrimet e kundërshtarit nuk kanë të sosur. Parashtrimet, ballafaqimet dhe debatet me kulturë, gjakftohtësi dhe argumente për programet e partive, janë harruar. Nuk bëhet fjalë për ta respektuar kundërshtarin, qoftë edhe në planin njerëzor. Dhe puna nuk mbetet deri këtu; nga ana e forcave kryesore konkuruese, dhe sidomos asaj që është në pushtet, po lëvizen të gjithë gurët dhe po përdoren të gjitha makinacionet e mundshme, për të fituar. Pas dymbëdhjetë vitesh, çfarë nuk premtohet, deri edhe futjen në BE në vitin 2030. Pra, lihet të kuptohet se jo vetëm këtë legjislaturë, por edhe atë të pestën rresht, duhet të na e besoni neve, pasi vetëm me partinë tonë dhe me mua si Kryeministër, do të realizohet kjo aspiratë e kahershme. As më shumë e as më pak, kjo është vetëm demagogji e ngjashme me atë synimin e dikurshëm dështak, për të ndërtuar komunizmin. Ta trajtosh problemin e perspektivës së vendit, nga ky këndvështrim, pra sikur ti dhe vetëm ti, je mbinjeriu që bën çudira, dhe burrështetasi i pazëvendësueshëm, pa të cilin Shqipëria nuk do të futet në familjen evropiane, është më shumë se megallomani dhe krijim i kultit të neveritshëm të personit, kult, të cilin e shohim që nga epitetet që u vihen e deri te këngët që u këndohen drejtuesve kryesorë, pa folur për përqendrimin e pashembullt të pushteteve, në një dorë të vetme, tamam si në Francën e 9 marsit të vitit 1661 kur vdiq kardinali Mazzarini. Mirë atyre ua errëson sytë pushteti, por ata këshilltarët, që nga sa thuhet i mbajnë pranë dhe i paguajnë, nuk ua thonë dëmin që vjen nga shikimi ngurtësues i Meduzës? Mediet tona, qofshin dhe ato të kapurat, japin plot shembuj të veprimeve e manipulimeve të paligjshme e të dënueshme, nga ekipet drejtuese të fushatës, ku shfaqen lloj – lloj mashtruesish, intimiduesish, patronazhistësh, shantazhuesish e deri blerës votash. Shohim një administratë të fryrë e të nënshtruar që e marrin si kope nëpër mitingjet që organizohen nën zhurmën e daulleve dhe fanfarave partiake. Sa bukur e thosh Mark Twain: “Zhurma nuk provon asgjë, shpesh një pulë që ka bërë vetëm një vezë, kakarit sikur ka bërë një asteroid”. Nuk e kuptoj sesi mund t`i gëzohesh atij pushteti që e fiton me anë kërcënimesh për vendin e punës, pra për bukën e gojës së fëmijëve të shtetasve të tu. Si është e mundur të shfaqësh përbuzje e përçmime për analistët, opinionistët e gazetarët që kanë kurajën të flasin, të thonë të vërtetën, kur kjo është një ndihmë edhe për vetë ty. Për të frenuar arrogancën tënde, dhe për t`u bërë sa më njerëzor me kundërshtarin, se të gjithë jemi të një gjaku, të një qëllimi, pra vëllezër. Dhe për këtë nuk kemi nevojë as për konstatimet dhe vrejtjet e OSBE dhe as për ato të Amnisty Internacional, të cilave u jemi mirënjohës, pasi ne këtu jetojmë. Përse o politikanë mendjeshkurtër, nuk mësoni nga Diogjeni i lashtësisë që me armiqtë hakmerrej duke u bërë më i mirë? Përse, sot kur kemi më shumë nevojë për bashkim e mirëkuptim, silleni si Ali Pashai që kur e pyeti Pukëvili se “Ç`prisni tjetër në këtë pozicion që keni marrë? u përgigj: “Armiq, ja e keqja ime që nuk ka shërim”. Po a nuk e vuajtëm këtë psikologji në diktaturën gati gjysmë shekullore? Ndofta e teproj me mësimet e historisë, por është rasti të kujtoj se sipas kërkuesit të palodhur Patrik Ravinjanit, edhe Napoleoni zbatonte bindjen se vendet e punës do të jenë të hapura për të gjithë francezët të të gjithë opinioneve, mjafton që të kenë dijeni, aftësi dhe virtyte. Mendoni pastaj shpenzimet (burimet e të cilave nuk i di askush se mungon tërësisht transparenca), që dalin po nga xhepat e po këtij populli. Por nuk shohim askënd të penalizohet për veprime të tilla. Si është e mundur që romakët e kishin zgjidhur këtë problem qysh në vititn 67 p.e.s. me ligjin “Kalpurnia”, ku thuhej shprehimisht se ata që manipulojnë votat, kushdo qofshin, veç gjobës, pazgjedhshmërisë së përjetëshme në detyra shtetërore, përjashtohen nga senati, dhe ne ende diskutojmë kush t`ja kallë tjetrit, duke vjedhur votat. Natyrisht që edhe vota ka subjektivizmin e saj dhe nuk është zgjidhja e paqortueshme, dhe këtë na e ka mësuar me kohë Plutarku kur tregon jetën e Aristidhit, por kjo mënyrë praktikohet në të gjithë botën e qytetëruar, ndaj edhe duhet zbatuar me drejtësi, ndershmëri e rigorozitet si vullnet i popullit për t`u qeverisur. Kjo duhet t`u vlejë në epokën e pluralizmit edhe forcave opozitare që përpiqen të vinë në pushtet. Atdheu ka nevojë për kontributin e gjithsecilit. Sa për qeveritë për të cilat votohet, nuk ka pse të jetë i huaj për ne, ai përcaktimi i dikujt se “Të gjithë politikanët janë si panolinat e fëmijëve, duhet patjetër të ndërrohen rregullisht, sepse ndoten shpesh”. Dhe kjo është e vetmja rrugë e përparimit të vendit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe jo ajo përralla me cilësitë hyjnore të atij kreshnikut epik që është në krye. Unë flas hapur si qytetar, por edhe si shkrimtar, se është ashtu sikurse thosh Vaclav Haveli: “Aktiviteti politik është i natyrshëm për shkrimtarin. Një shkrimtar është më i njohur se qytetarët e tjerë për të cilët ka përgjegjësi. Prandaj, është i detyruar të shprehë mendimin e vet për problemet politike e shoqërore”.