Shpendi Topollaj : Askush nuk ka të drejtë t’i ngatërrojë më tej shqiptarët dhe të sillet si padron i tyre

252
Sigal

Porosit e Presidentve të SHBA-ve, Tomas Xheferson për lirinë e shtypit dhe Teodor Rusvelt për kurajon për të ecur përpara , janë më aktuale se kurrë.

 

Nuk e di në u kujtohet ai majmuni me tre pamje, që kishte zënë me pëllëmbët e duarve të veta sytë, veshët dhe gojën. Ja kështu po kërkojnë të na shndërrojnë edhe ne shqiptarëve të huajt. Dhe duke qenë se na ka mbetur pa zënë hunda, më duket gjithashtu se po synojnë të na fusin atje atë zinxhirin e viçave të Brehtit për të na çuar drejt thertores. O Zot! Si u katandisëm. Gjithkush është i lirë të gjykojë si të dojë, por unë personalisht, kur shoh se po fiton terren çdo ditë e më shumë, bindja se na bën mirë nënshtrimi, e quaj detyrim ta ngre zërin deri në kupë të qiellit: Mjaft me këtë qëndrim që na turpëron! Dhe jo vetëm na turpëron, por edhe po na dëmton. Flas ashtu siç ma ndien shpirti, dhe e shpall atë në media, pasi jam mbrujtur me mësimin e autorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara Tomas Xhefersonit (Thomas Jefferson), se “Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund të lexojë, gjithçka është e sigurt”. Kurkujt nuk kemi pse t`i druhemi, pasi kjo është alfa e demokracisë. E di se Shqipëria po kalon ashtu si pa kuptuar, situata politike aspak të lehta, të cilat mesa duket, po vinë duke u komplikuar akoma më shumë? Dhe e gjithë kjo, thjesht për fajin e drejtuesve tanë, të cilët duke qenë pa përvojë dhe me atë entuziazmin e kohës, gabuan, sidomos në politikën e jashtme, qysh në fillim të vendosjes së demokracisë. Nisur nga nevojat, qoftë ekonomike që vendi i porsadalë nga mjerimi komunist kishte, qoftë nga interesi i mbështetjes për mbajtjen e pushtetit, qoftë dhe nga besimi në ndihmën e sinqertë të tyre, ashtu si pakuptuar, ata e lanë atdheun në dorën e të huajve. Këta të fundit, njësoj si Papa dikur, fituan të drejtën të imponohen: “Roma lacuta est, causa finita est”, pra “Roma ka folur, çështja ka përfunduar”. E gjithë kjo i kënaqi ata që besonin tek ajo teza e poshtër se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese. Jo! Nuk është aspak kështu. Sekretari i Republikës së Firences, diplomati i mprehtë Nikola Makiaveli (Nicolo Machiavelli), shpallte pa doreza se “Politika nuk ka lidhje me moralin”. Por pika u rëntë si atyre politikanëve që deklarojnë pa u skuqur se vendosa kështu se isha nën presion e kërcënim, ashtu edhe atyre opinionistëve që mburren me tezën se është në interesin tonë t`u bindemi të huajve edhe kur ata gabojnë, pasi kështu mbrojmë interesat e tyre. Më vjen rëndë nga vetja kur dëgjoj të papërgjegjshëm si ata që flasin për turbullira ashtu edhe të tillë, që thonë se aty është ajo ushtria e huaj dhe lëvizni po guxuat. Ndaj duhet të rrimë sus. Ne jemi vërtetë në gjendje nockdauni, ata duke u bërë qesharakë, këshillojnë të ulim shpinën, të pranojmë pushtimin e të bëhemi shërbëtorë të tyre. Pra, të shkojmë nga shiu në breshër. E gjithë kjo sipas tyre, ngaqë dikur një President i nderuar bëri një deklaratë pro nesh, apo një tjetër po aq i nderuar, urdhëroi forcat ushtarake në mbrojtje të Kosovës, nga barbarët serbë. Gjithë brezat tanë do t`u jenë mirënjohës atyre. Monumentet më të mëdha për ta, janë brenda zemrave tona. Por kjo nuk do të thotë të hiqemi zvarrë para çdo nëpunësi të administratave që venë e vinë sa herë atje bëhen zgjedhje. Ne, në detyrat si aleatë, madje edhe ndaj asaj Evrope që na ka bërë aq dëme, jemi treguar plotësisht korrektë, edhe pse ajo vazhdon të luaj teatër me ne. Duhen hapur mirë sytë kur këshillojnë zgjidhje, qoftë edhe me dhimbje të madhe. E pse u dashka kjo? Për t`i bërë agresorëve, pasues të Sllobodan Millosheviçit dhe Arkanit, qejfin. Për t`i përkëdhelur ata? Prandaj, mesa duket i dërgojnë në gjyqin e Hagës komandantët e UÇK – së. Prandaj ndërmarrin dhe imponojnë nisma që tragjikisht dëmtojnë rëndë marrëdhëniet mes nesh dhe popullit vëlla të Kosovës. Apo nga ato që djallësisht e çojnë punën deri te shkëmbimi i akuzave mes udhëheqësve të të dy shteteve (që realisht duhet të jenë një dhe vetëm një!). Po pse, si pandehni ju, se shpallja e dikujt “non grata” ka lidhje vetëm me një figurë? E ç`punë u prishi ai atyre, kur dihet se për 30 vjet me radhë ka predikuar dashurinë për atë vend të madh? Jo, or jo! Ata kanë shfrytëzuar thembrën e Akilit për të na ndarë e përçarë akoma më keq seç jemi dhe për ta pasur dorën më të lirë mbi ne, por harrojnë se Paridi që e vrau dhe Apoloni që drejtoi shigjetën atje i përkasin mitologjisë. Kjo nuk ka asnjë lidhje me miqësinë mes popujve dhe dy vendeve dhe as me korrektesën në marrëdhëniet diplomatike. Kjo ja bën muuu, dhe ne bëjmë sikur nuk e kuptojmë. Në këtë koniukturë politike, vetiu vjen pyetja: Mos po lindin dyshime ndër ne, që i bëjnë dëm edhe vetë atyre vendeve, lidhur me miqësinë dhe aleancat që kanë me ne? Po ku ka popull në botë që ta pranojë që miku të bëjë ligjin në shtëpinë e tij? Vërtetë jemi vend në nevojë, ama nderi dhe dinjiteti tani më shumë se kurrë duken. Nga amerikanët e vjetër kemi shumë mësime. Kështu, Presidenti nobelist Teodor Rusvelt (Theodore Roosevelt), këshillonte: “Kurajë nuk do të thotë të kesh forcën të ecësh përpara, por të ecësh përpara edhe kur nuk ke forcë”. Ne duhet të kemi kurajë të bashkohemi me njëri – tjetrin në radhë të parë. Të debatojmë, por t`a duam shqiptari – shqiptarin e jo të urrehemi deri atje sa të hidhemi përpjetë nga kënaqësia kur të tjerët e vënë në pozitë të vështirë vëllanë tonë. Kemi ç`kemi, problemet që dalin mes nesh, duhet t`i zgjidhim vetë. Historia na ka dhënë boll shembuj, nga të cilët duhet të nxjerrim mësime. E tillë është ajo shprehja se “Grekët janë dënuar për marrëzitë e kryetarëve të tyre”. O kryetarë shqiptarë! Ku po e çoni Shqipërinë. Ku vajti dinjiteti i saj i fituar me aq sakrifica ndër shekuj? Hidhini pas krahëve inatet personale dhe makutërinë për pushtet. Ngjallni besimin te njerëzit se ky vend do të bëhet, por vetëm atëherë kur fatet e tij t`i marrin në dorë vetë shqiptarët. Mos lejoni të na vënë zinxhirin në hundë, siç bënin dikur pushtuesit evropianët me indigjenët e Amerikës. Vetëm kështu, pra duke u paraqitur si të barabartë, do fitojmë respektin e vërtetë të të huajve dhe ata do lehtësohen nga barra e sjelljes si guvernatorë të këtij vendi me qytetërim shumë më të vjetër se i tyre. Lexojeni E. Kantin (Immanuel Kant), krijuesin e filozofisë kritike dhe frymëzohuni nga ajo që ai thotë se “Njeriu që varet nga një tjetër nuk është më qenie njerëzore”.