Shkullaku : Drama e Edi Ramës është bilanci skandaloz i qeverisjes

229
Sigal

Analisti Armand Shkullaku, në një opinion të tijin, shkruan se drama e Edi Ramës është bilanci skandaloz i qeverisjes.

Ai shkruan se asnjë qeveri nuk ka qenë në këtë gjendje përpara zgjedhjeve.

Madje aq e rëndë është situata, sa as mbështetësit mediatikë nuk e mbrojnë dot në këtë drejtim.

“Tre muaj para zgjedhjeve dhe me dy mandate në krye të vendit, drama e Edi Ramës është bilanci i qeverisjes. Asnjë qeveri para tij, nuk ka qenë në këtë gjendje para zgjedhjeve. Vendet e punës, ulja e varfërisë, rritja e rrogave dhe pensioneve, shëndetësia falas, investimet e huaja, ndihma për familjet në nevojë, zbutja e pabarazisë, shtimi i buxhetit për arsimin e sektorë të tjerë, hapja e negociatave që në vitin e parë të qeverisjes, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, janë të gjitha premtime të pambajtura. Në kontrast me to, thellimi i varfërisë, kriza e sistemit shëndetësor e arsimor, emigrimi masiv, bllokimi i negociatave, depërtimi i kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korrupsioni i shpërfaqur në dhjetëra skandale, asnjë investim i huaj i qenësishëm madje dhjetëra miliona euro që po u paguhen nga taksat e shqiptarëve investitorëve të huaj, tendera e koncensione nga inceneratorët e deri tek shërbimet në spitale që po përpijnë pjesë të rëndësishme të buxhetit, është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur ta shesë duke e ngjyer me bojëra të tjera.”,shkruan Shkullaku.

“Aq eklatant është dështimi i 8-vjeçarit Rama sa edhe mbështetësit e tij mediatikë më lëkurëpandjeshëm, e kanë të pamundur ta mbrojnë publikisht. Thuajse asnjë prej tyre nuk avokon dot në publik ndonjë të arritur të qeverisë, duke e mbushur këtë boshllëk me sulmin ndaj opozitës, si e vetmja arsye që kryerilindasi të mbetet në pushtet,” shkruan ai.

“Edi Rama del nëpër Shqipëri dhe sulmon për shembull rrugët e bëra nga qeveria para tij. Dhe kur do të tregojë ndonjë kilometër që ka bërë në 8 vite, ato ose i shemben ose i përmbyten pa mbaruar ende turi i propagandës. Kryeministri nxjerr ministrat në terren me kaska në kokë për të shpalosur ditën planet 3D të zhvillimit, natën ata u shfaqen qytetarëve në gostitë e kripura të Nusret Beut. Lideri thotë se do i shpëtojë shqiptarët nga Covid sepse falë tij u sigurua vaksina dhe krejt procesi i vihet në dyshim nga një valixhe me 900 copë që s’dihet nga kanë ardhur e si kanë ardhur. Ai bën spektakël në stadium e premton qindra mijëra vaksina, por ndërkohë në 8 ditë arrijnë të vaksinohen vetëm 447 mjekë dhe sasia që premtoi se do t’i vinte në gjysmën e parë të janarit ende nuk ka mbërritur. Flet se do të vinë investime të mëdha të huaja, ndërsa mbërrijnë vetëm faturat e arbitrazhit me miliona që duhet t’u paguajmë ne të huajve. Lë të kuptohet se do pajtojë Greqinë me Turqinë dhe ngel në klasë tri herë rresht me negociatat. U tregon shqiptarëve se falë tij ata po hedhin valle në gojë të ujkut, por e nxjerrin zbuluar reagimet e BE dhe Francës.Një këshilltar i mirë, jo nga ata që i mbushin mendjen se po shkëlqen me manipulimet e tij, do të duhej t’i sugjeronte kryeministrit se kur nuk ke bërë asgjë, më mirë është të vazhdosh të mos bësh asgjë. Përndryshe, këto tre muaj është e garantuar që do shohim e do dëgjojmë bllofe e skandale të tjera”, – përfundon Shkullaku.